Zoti yt është i Gjerë në falje
Ebu Hurejre (r.a.), transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë: “Allahu i Madhëruar qesh (kënaqet) me dy njerëz të cilët luftojnë mes vete; njëri e vret tjetrin dhe të dy hyjnë në Xhenet! Njëri prej tyre lufton në…
Publikuar:

Ebu Hurejre (r.a.), transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë:
“Allahu i Madhëruar qesh (kënaqet) me dy njerëz të cilët luftojnë mes vete; njëri e vret tjetrin dhe të dy hyjnë në Xhenet! Njëri prej tyre lufton në rrugë të Allahut, vritet dhe hyn në Xhenet. Ndërsa vrasësi bën teube tek Allahu për vrasjen, e pranon Islamin e më pas bie edhe vetë dëshmor (në rrugë të Allahut).”
-Muttefekun alejhi-
Shpjegime
Në këtë Hadith fisnik, bëhet e ditur se Allahu i Madhëruar, i Cili i përfshin me mëshirë të gjithë robërit e Tij, mund t’i pastrojë edhe mohuesit me anë të teubes dhe t’i vendosë në Xhenetin e Tij.
Teubeja për gjynahet, është një rrugë shpëtimi për të gjithë njerëzimin. Të gjithë ata që dëshirojnë një lumturi të pafundme, mund ta garantojnë të ardhmen e tyre duke bërë teube. Madje, nëse dikush vret një luftëtar, i cili lufton për të përhapur fenë e Allahut në të gjithë botën, duke rënë kështu në gropën e gjynahut, e më pas e kupton se është në rrugë të gabuar dhe kthehet në Islam, duke bërë teube për të gjitha gjynahet që ka bërë, edhe ai do të shkojë në Xhenet bashkë me atë që ka vrarë më parë dhe të dy do të shohin bukurinë e Allahut. Ja pra, në këtë Hadith, Profeti ynë (a.s.), na bën të ditur kënaqësinë e Allahut ndaj gjendjes së habitshme të këtyre dy robërve, njëri prej të cilëve e vret tjetrin dhe të dy hyjnë në Xhenet.
Në tekstin e Hadithit, kënaqësia e Allahut të Madhëruar me këta dy njerëz, është treguar në mënyrë metaforike, duke u shprehur se: “Allahu i Madhëruar qesh me gjendjen e këtyre dy robërve”. Në fakt, është e pamundur të mendohet se Allahu i Madhëruar përjeton gjendje të tilla si qeshja apo qarja. Prandaj, mund të themi me siguri se me këtë fjalë, është dashur të tregohet kënaqësia e Allahut.
Siç shihet, mëshira dhe butësia e Allahut të Madhëruar është shumë e madhe. Këtë e tregon edhe ajeti fisnik, ku urdhërohet, “…Zoti yt është i Gjerë në falje!..” [Nexhm, 32.] Ashtu siç është e gjerë mëshira e Allahut, ashtu është i gjerë edhe Xheneti i Tij. Ai është aq i gjerë, sa mund të mbajë të gjithë njerëzimin. Madje, siç tregohet në një Hadith fisnik, njeriu i fundit që do të hyjë në Xhenet, do të zotërojë një vend sa e gjithë toka, madje dhjetëfish sa toka. (shih. hadithet 1887-1888.)
Nëse njeriu e mëson se sa të gjera janë mëshira dhe Xheneti i Allahut dhe nuk përpiqet të fitojë mëshirën dhe Xhenetin e Tij, duke zgjedhur rrugën e teubes që këshillon Ai, atëherë ai gjendet në një shkujdesje shumë të madhe!..
Mësimet që nxjerrim prej Hadithit:
1. Mëshira dhe falja e Allahut janë jashtëzakonisht të mëdha.
2. Sado i madh të jetë gjynahu i bërë, njeriu nuk duhet të humbasë shpresat tek Allahu dhe patjetër duhet të bëjë teube për gjynahet e tij.
3. Ashtu si pranimi i Islamit e pastron njeriun nga të gjitha ndyrësitë e të qenit i pa fe, ashtu edhe teubeja e pastron atë nga të gjitha gjynahet e mëparshme.
4. Të gjithë ata që japin jetën në rrugën e Allahut, do të shkojnë në Xhenet.
5. Ne nuk e dimë se kush dhe si do të vdesë. Edhe një mohues mund të udhëzohet dhe të bëhet mysliman, duke fituar kështu Xhenetin dhe shikimin e bukurisë Hyjnore.

