Veglat muzikore në Islam dhe ndikimi i tyre në muzikën perëndimore - Mirësia Islame

Veglat muzikore në Islam dhe ndikimi i tyre në muzikën perëndimore

Islami përmban një thesar shumë të madh kulturo-artistik dhe nuk ka dyshim se me zgjerimin e kufijve Islam dhe me kalimin e myslimanëve në Spanjë, ata patën ndikim të madh në mbarë Europën, si në aspektin shkencor, ashtu dhe në…


Publikuar:

Islami përmban një thesar shumë të madh kulturo-artistik dhe nuk ka dyshim se me zgjerimin e kufijve Islam dhe me kalimin e myslimanëve në Spanjë, ata patën ndikim të madh në mbarë Europën, si në aspektin shkencor, ashtu dhe në atë kulturor e artistik. 

Ne në këtë shkrim do të ndalemi në aspektin e artit muzikor dhe të instrumenteve muzikore. 

Europa e ka dhuratë nga myslimanët edhe origjinën e shumë instrumenteve muzikore. Ky ndikim fillon nga shekulli i IX- të. 

Edhe sot, po t’i analizojmë emrat e instrumenteve muzikore perëndimore, mund t’i zbërthejmë lehtë dhe të vërejmë se origjina e tyre gjendet në fjalët me prejardhje arabe. Kështu për shembull, fjala “Al-ud” është marrë nga gjuha Arabe dhe është përshtatur pothuajse në të gjitha gjuhët europiane si: në spanjisht laud, në portugalisht alaude, në suedisht lute, në anglisht lute, në frëngjisht luth, në italisht liuto, në gjermanisht laute, në danisht lut, në rusisht llutnja, në polonisht lutina dhe në gjuhën shqipe lahuta

Ky instrument ka një zë shumë mahnitës dhe me kalimin e tij në Spanjë, u bë i njohur në tërë Europën. Ekzistojnë mendime se këtë instrument e ka shpikur filozofi i madh mysliman, Farabiu, por faktet historike tregojnë se Udi ka ekzistuar edhe para Farabiut, ndaj mund të themi me siguri se ai ka bërë disa ndryshime në këtë instrument, duke e ripërtërirë atë, sepse në shkrimet tona të më hershme kemi cekur që ai ishte njohës i mirë i teorisë së muzikës, por ai ishte virtuoz Udi. Po ashtu, ai ishte edhe virtuoz i kanunit. 

Kanuni është një instrument që përbëhet nga 78 tela. Në disa raste, numri i telave mund të ndryshojë sipas vetë llojit të kanunit, gjë që varet nga madhësia e tij, arsye për të cilën disa prej tyre janë me 72 tela. Fjala kanun do të thotë ligj. Këtu bëhet fjalë për ligjin e instrumenteve, sepse kanuni është marrë si bazë e të gjitha instrumenteve. 

Pianoja e Europës ka marrë modelin ose shembullin nga kanuni, dallimi qëndron në atë se te pianoja, telave u bihet nëpërmjet tastave. 

Duhet theksuar se në këtë periudhë muzikantët europianë shkonin nëpër qytetet kryesore arabe, në institutet dhe universitetet e të cilave mësonin shkencën dhe artin. Mes të gjitha arteve të tjera, muzika ishte në rend të parë. U përkthyen veprat e El- Kindiut. Farabiut, Ihvanu es Safa, Ibni Sinas dhe u studiua hollësisht vepra e Safijjuddin Urmeviut. 

Përveç instrumenteve, europianët kanë marrë edhe terma të veçantë muzikor. Sipas disa muzikologëve, termi “Trubadur” vjen nga fjala arabe “Dur Tarb”, që do të thotë shtëpia e argëtimit. 

Padyshim që duhet të përmendim edhe instrumentin e mirënjohur, kitarën, e cila vjen nga fjala Arabe “el-Kajtara”, pastaj El-Daff-adufe (def ose daire), Al- Sumug-Sonajas (cimbali), Al-Nafir-anafil (trompetë e vjetër), Al-Karn-corn (bri). 

Ekziston një instrument tjetër arab, i njohur me emrin “Rebab”, të cilin më vonë francezët e quajtën rubella, kurse italianët rubeca. Me kalimin e kohës, ky instrument pësoi disa ndryshime të herëpashershme, derisa në shekullin XV mori emrin viola. 

Një ndër instrumentet më të rëndësishme, posaçërisht në muzikën fetare është naji. Termi vjen nga gjuha persiane dhe lidhet me një instrument frymor të përhapur në të gjitha vendet Islame. Ky instrument prodhohet nga kallami. Duhet të theksojmë se stili dhe mënyra e fryrjes është e ndryshme mes popujve myslimanë. Mënyra e fryrjes tek Iranianët është se tek ata naji vendoset midis dhëmbëve e jo në buzën e ekzekutuesit. Kjo mënyrë e përdorimit i jep tingullit një veçori dalluese. Ndërsa arabët i fryjnë këtij instrumenti me buzë. Po ashtu, ekziston dallim në lidhje me këtë edhe mes arabëve e turqve. Në pjesën e sipërme, turqit vendosën edhe një pjesë tjetër përbërëse, e veç kësaj e realizojnë këtë instrument duke përdorur bririn e kaut. Pjesa e shtuar bën që nga naji të dalin tinguj më të thellë e më shpirtërorë. Ne bëmë këtu një paraqitje të shkurtër të najit, por mendoj se për këtë instrument duhet të flasim më gjerësisht. Kësisoj, në shkrimet vijuese do të kemi një qasje më të gjerë lidhur me të, duke pasur parasysh historikun dhe simbolizmin e këtij instrumenti shumë të vjetër. 

Duhet të theksojmë se rebabi, instrumenti që përmendëm më sipër, u përdor nga persianët, arabët e turqit dhe është një instrument që ekzistonte qysh para ardhjes së Islamit. Kjo vegël muzikore vazhdoi të përdorej edhe gjatë shekujve që pasuan e pati ndikim të madh edhe në Europë. Me kohë, forma e saj në perëndim pësoi ndryshime, kështu që prej instrumentit origjinal lindën instrumente si viola, violina, violonçeli dhe kontrabasi. 

Mund të themi lirisht se arti muzikor islam është një thesar i pafund dhe i pashterur, si në aspektin e veglave muzikore, ashtu edhe në aspektin e teorisë së muzikës. 

Gjatë historisë kemi pasur ekzekutues të famshëm të instrumenteve të ndryshme muzikore, si solistë të famshëm dhe teoricienë të mëdhenj. Këto personalitete kanë lënë gjurmë të thella dhe ndikim të madh në artin e muzikës perëndimore. Në mbyllje, mund të themi se muzika është pasqyra e një populli, ose me fjalë tjera ajo është elementi që tregon shkallën dhe lartësinë e nivelit kulturor të një populli. Nëse dëshirojmë të vlerësojmë se sa i ngritur është një popull, duhet të shqyrtojmë nivelin dhe cilësinë e muzikës së atij populli. Filozofi i madh kinez, Konfuc, thotë: “Nëse është prishur muzika e një populli, mund të arrijmë në përfundimin se tek ai popull janë prishur edhe shumë vlera të tjera njerëzore”.

Copyright © 2025 - Shoqata V.H.K Istanbul | Ndalohet përdorimi dhe riprodhimi i përmbajtjes së kësaj faqeje pa leje dhe autorizim