Ti ke dhënë një nder e nuk ka nevojë për gradë tjetër - Mirësia Islame

Ti ke dhënë një nder e nuk ka nevojë për gradë tjetër

Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, ka thënë: “Mua më janë bërë të dashura këto tri gjëra nga bota juaj: namazi, që është drita e syve të mi, aroma e mirë, dhe gruaja.” (Nesai, Ishretu’n-Nisa, 10; Ahmed bin Hanbel, III, 128,…


Publikuar:

Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, ka thënë:

“Mua më janë bërë të dashura këto tri gjëra nga bota juaj: namazi, që është drita e syve të mi, aroma e mirë, dhe gruaja.” (Nesai, Ishretu’n-Nisa, 10; Ahmed bin Hanbel, III, 128, 199.)

Ndërsa në një tjetër hadith fisnik, të cilin e transmeton Hz. Aliu (r.a.), thuhet:

“ Një nga këshillat e fundit të Pejgamberit, salallahu alejhi ve selem, ishte edhe kjo: ‘Kini kujdes namazin. Frikësojuni Allahut nga haku i atyre që keni nën urdhra’” (Ibn Maxhe, Vesaja, 3.)

Në këtë hadith fisnik, të cilin e transmeton edhe Hz. Enesi, radijallahu anh, dhe ku qartësohen veçanërisht “gratë”, zënë vend shprehjet: “Kini frikë Allahun nga haku i grave dhe njerëzve që keni nën urdhrat tuaj!” (Musannef, 5; 436.)

Para se të vinte Islami, në shoqërinë e xhahilijetit (injorancës) njerëzimi dhe pikëpamja njerëzore ishte shumë problematike… Njeriu nuk ishte qenia më e nderuar e universit, por qenia më e mjerë. Njerëzit ishin ndarë në dy pjesë; zotërinj dhe skllevër…  Njerëz të cilët kishin ngelur në errësirën e shirkut dhe mjeranë që kërkonin ndihmë nga guri e druri…

Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, i ngjalli përsëri ndjenjat e vdekura njerëzore të një populli truri i të cilit kishte zënë myk. Ai nxori dritë nga zemra të errëta, rreze mëshire nga shpirtra të vdekur dhe monumente dhembshurie nga njerëz të kthyer në agresivë nga padrejtësia.

Tek Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, sigurisht që kishte prioritet njeriu, sepse po të rregullohet njeriu, do të rregullohet i gjithë universi.

Kishte prioritet njeriu, sepse ekzistonte perceptimi i një shoqërie të fundosur, një mjedis shoqëror ku kishte të drejtë i forti, shtypej i dobëti dhe ku përjetoheshin tortura.

Kishte prioritet njeriu, sepse gruaja ishte neglizhuar, përjashtuar, shtyrë e përbuzur në një gradë sa pothuajse nuk quhej njeri. Jo vetëm në shoqërinë ku jetonte Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, por edhe në popujt që jetonin në gjeografi të ndryshme, por në të njëjtën periudhë, perceptimi i gruas nuk ndryshonte nga ai i popullit mushrik.

Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, ndërkohë që po formonte një shoqëri të shëndetshme, një nga çështjet të cilën e trajtoi me ndjeshmëri ishte edhe “rifitimi i dinjitetit të gruas” ose “rikthimin e dinjitetit të humbur gruas”.

Burri, i cili nga natyra është krijuar me fizik të fuqishëm, nëse e përdor këtë forcë për të shtypur më të dobëtit, tregon një shembull injorance. Pikërisht në shoqërinë ku gjendej Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, ashtu siç nuk i jepej vlerë njeriut, pothuajse ishte e pamundur të flitej për vlerën e femrës.

Për këto krijesa sublime të cilat ishin shkaku i ardhjes së tyre në tokë, pranimi se ishin shkaku i turpit, nuk ishte një mënyrë veprimi që mund ta perceptonte një mendje e shëndoshë. 

Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, gjatë gjithë jetës nxori në plan të parë cilësitë e tyre “zonjë e nderuar” dhe “nënë” dhe me mirësjelljen që shfaqi ndaj grave ua tregoi me veprat e Tij vlerën e grave të gjithë njerëzve, duke filluar nga burrat e tyre, njerëzve përreth dhe atyre që do të vinin pas Tij (s.a.s.). 

Bashkëshortja e Tij e parë, nëna jonë Hatixheja (r.a.), ishte një zonjë me karakter të fortë. Kishte karakter aq të fortë, saqë i ktheu përmbys të gjitha traditat dhe devijimet e popullit, i prishi të gjitha zakonet e gabuara që kishin pasur gjatë gjithë jetës së tyre, mori përgjegjësinë që të bëhej gruaja e Pejgamberit, salallahu alejhi ve selem dhe u bë ndër të parat e asaj kohe. Por kjo nuk qe aq e lehtë…Të zbatoje të gjitha fjalët e një njeriu që ndëshkohej me vdekje nga populli dhe t’i qëndroje gjithmonë besnike Atij (s.a.s.)!.. 

Kundrejt kësaj besnikërie, i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, e ngriti në këmbë (lartësoi) nderin e gruas me nënën tonë Hz. Hatixhen, radijallahu anha. Nëpërmjet personalitetit të saj shpirtëror, të gjitha gratë myslimane, madje të gjitha gratë e botës, arritën një status të ndryshëm në shoqëri.

Nëna jonë Hz. Ajshe (r.a.)… Nëna jonë Hz. Ajshe bashkëshortja e Pejgamberit (s.a.s.), pothuajse qe një derë e hapur për umetin. Gratë besimtare, madje edhe burrat besimtarë, pas vdekjes së Pejgamberit, salallahu alejhi ve selem, për çdo gjë që nuk dinin e pyesnin atë dhe pothuajse anët e Tij të panjohura i plotësonin duke i mësuar nga ajo, nëna jonë Hz. Ajshe (r.a.), ishte një oqean dijeje.

Ajo qe nëna e besimtarëve e cila i qëndroi më pranë Pejgamberit, salallahu alejhi ve selem, dhe që pa nga afër çdo gjendje të Tij (s.a.s.). Me personalitetin e saj shpirtëror, në zemrat e të gjithë besimtarëve formohej një ideal “Ajshe”.  Hz. Ajshe me respektin e Pejgamberit (s.a.s.) dhe të sahabëve të nderuar e ngrinte dhe e lartësonte sërish pozitën e mëparshme të gruas në shoqëri.

Një tjetër nënë e umetit ishte edhe Hz. Fatime. Hz. Fatime ishte një heroinë që i ngjante shumë Pejgamberit, salallahu alejhi ve selem, dhe që e mbështeste Atë në të gjitha shqetësimet… Një vajzë pak e trishtuar, pak e zymtë, pak e përlotur dhe një nënë e përvuajtur… Por ishte drita e syve të Pejgamberit, salallahu alejhi ve selem. Prej personalitetit të saj shpirtëror, u lartësua nderi i të gjitha grave myslimane.

Bëjmë mirë të hapim një parantezë dhe ta shtjellojmë këtë çështje. Qoftë në burimet islame, qoftë në praktikimet pas Pejgamberit, salallahu alejhi ve selem, shpeshherë kanë dalë në pah disa mendime dhe sjellje që bien ndesh me një sërë arsyetimesh e baza të Islamit si dhe me pikëpamjen e Pejgamberit (s.a.s.) ndaj gruas. Këto mendime, duhet të vlerësohen bashkë me kushtet e kohës kur kanë dalë në pah dhe duhet të korrigjohen duke aplikuar në dy burimet kryesore të Islamit që janë Kurani Famëlartë dhe Suneti i Pejgamberit, salallahu alejhi ve selem.

Nëse kthehemi te hadithi fisnik të cilin e transmetuam në fillim, shohim se kur Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, përmend edhe gruan krahas namazit dhe erës së mirë, parashtron mendimin e kthimit të vlerës dhe nderit të cilin gruaja e kishte humbur në popullin mushrik.

Ndërsa në hadithin tjetër fisnik, së pari tërhiqet vëmendja ndaj namazit dhe pas tij përmenden të drejtat e grave dhe shërbëtorëve të cilat janë marrë si “amanet” nga Allahu (xh.xh.). Specifikimi i veçantë i këtyre dy grupeve njerëzore zakonisht buron nga dobësia e tyre. Mbrojtja e të drejtave të këtyre dy grupeve është detyrë paraprake e atyre që e ndjejnë veten të fuqishëm.

Fakti që disa njerëz janë më të dobët fizikisht, nuk tregon se ata janë më të dobët edhe para Allahut Teala. Përkundrazi, kjo dobësi bëhet shkak që Allahu t’ua pranojë atyre lutjet e zemrës. Në të vërtetë  epërsia në Islam nuk është fuqia, forca fizike, pasuria dhe pozita, por adhurimi dhe devotshmëria. (Huxhurat, 13)

Prandaj të gjithë ata që na janë lënë në përgjegjësi janë amaneti i Allahut. Janë nga një shkak sprovimi; fitimi ose humbje për ne. Ndonëse njerëzit nuk e dallojnë mjaftueshëm vlerën e njëri-tjetrit në këtë botë, Allahu Teala nesër në Mahsher do t’ia japë secilit vlerën e merituar. E rëndësishme është që atë Ditë të jemi të nderuar!..

Lutja jonë:

O Zot!

“Ti je Rahman”; i mëshiron robërit e Tu pa bërë dallime, trego mëshirë ndaj nesh.

“Ti je Rahim”; i mbështjell me dashuri ata që të duan, na bëj ne prej atyre që të duan Ty.

“Ti je Kuddus”; je larg çdo mangësie, na pastro ne nga papastërtitë.

“Ti je Mu’min”; u jep zemrave besim, na ringjall me besimin ndaj Teje.

“Ti je Aziz”; je posedues i madhështisë së pafund, mos na poshtëro ne.

“Ti je Mutekebbir”; je më i madh se çdo gjë, na mbro ne nga arroganca.

“Ti je Bari”; e ke krijuar çdo gjë në harmoni me njëra-tjetrën, mos na largo ne nga harmonia.

“Ti je Musavvir”; i ke dhënë çdo krijese formë të bukur, na jep forcë që ta ruajmë këtë bukuri.

“Ti je Gaffar”; fal shumë, mos na privo nga falja jote.

“Ti je Vehhap”; jep shumë dhurata, na gëzo me dhuratat e Tua.

“Ti je Rezzak”; ia jep riskun gjithkujt, mos e privo sofrën dhe zemrën tonë nga nimetet e Tua.

“Ti je Fettah”; hap çdo çelës, hapi dyert e mirësisë për ne.

“Ti je Alim”; e di çdo gjë me saktësi, na mbro ne nga pavetëdija e madhështisë dhe fuqisë Tënde.

Amin…

Copyright © 2025 - Shoqata V.H.K Istanbul | Ndalohet përdorimi dhe riprodhimi i përmbajtjes së kësaj faqeje pa leje dhe autorizim