Ti je xheneti im - Mirësia Islame

Ti je xheneti im

Filluan të ecnin në heshtje. Mësuesja Saxhide u tremb nga qetësia e Amines. A mos vallë nuk kishte dëshirë të vinte? A ishte duke u shpejtuar, a ishte duke i bërë presion? Ajo e këshillonte pa pushim Aminen. Mos vallë…


Publikuar:

Filluan të ecnin në heshtje. Mësuesja Saxhide u tremb nga qetësia e Amines. A mos vallë nuk kishte dëshirë të vinte? A ishte duke u shpejtuar, a ishte duke i bërë presion? Ajo e këshillonte pa pushim Aminen. Mos vallë vajza kishte filluar ta ndjente veten mëkatare dhe të pa vlerë? Nuk duroi më dhe tha:

“E dashur Amina, sikur je ftohur pak. Unë të flas pa pushim dhe si duket të kam mërzitur…”

“Jo, jo!.. Unë isha duke menduar. Më keni thënë që jeta është e mbushur me surpriza…  Teksa po ecim, sytë e mi fiksojnë vitrinat shumëngjyrëshe të dyqaneve, por mendja më rri tek personi që po shkojmë të takojmë! Jam duke u përpjekur që të mendoj për surprizat që na bën jeta. Sa shpejt ndryshojnë gjërat. Njerëzit që mendoja se i njihja më kanë dalë shumë ndryshe nga pretendimet e mia. Motër Saxhide, si është njohur shoqja juaj me zonjën Zylejha?”

“Ajo është njohur me anën e një mësueseje, të cilën e vlerëson shumë. Mësuesja i paska thënë që të shkonte të njihej me të dhe t’i kërkonte duanë e saj… Me anë të asaj shoqes u njoha edhe unë me Zylejhanë… Shtëpia e saj është e mbushur me njerëz të cilët kanë probleme dhe gjejnë ngushëllim tek fjalët e Zylejhasë… Allahu i ka larguar disa perde asaj dhe e ka lartësuar në botën e shpirtit… Zylejhaja merr letra edhe nga burgu dhe u jep përgjigje atyre letrave. I këshillon që të pendohen dhe të kthehen në rrugën e drejtë. Njerëz me profesione shumë të ndryshme e vizitojnë dhe i kërkojnë që të bëjë dua për to.”

“Jam bërë shumë kureshtare!”

“Pas pak do ta shuash kureshtjen, mbërritëm.”

I ranë ziles. Një grua me fytyrë të qeshur u doli tek dera dhe i ftoi të futeshin brenda në shtëpi.

Hynë brenda një shtëpie të vogël, përballë derës ndodhej një dhomë e vogël… Nën dritare kishte një shtrat dhe e mbuluar me batanije të gjelbër po buzëqeshte një vajzë e dobët… Një njeri i cili nuk e dinte që Zylejhaja ishte e paralizuar, mund të mendonte se dobësia që kishte i vinte nga ndonjë grip apo ndonjë sëmundje tjetër e lehtë; buzëqeshja e saj nuk të linte të kuptoje  një vuajtje aq të madhe. Si mund të ishte kaq i lumtur një njeri që kishte njëzet e shtatë vite e paralizuar?! Me një zë të ëmbël tha:

“Kush paska ardhur, hajde e dashur Saxhide! Më paska marrë malli shumë për ty…”

Mësuesja Saxhide iu përgjigj:

“Edhe mua më ka marr malli e dashur Zylejha! Ju kam sjell një shoqen time, Amina…”

“Hajde bukuroshe, paske emër shumë të bukur!”

Amina u përkul për t’ia puthur dorën. Kur iu afrua e vuri re që gishtat e dorës të Zylejhasë ishin të kthyer nga brenda. Duart ia kishin lidhur me kordele të vogla shumëngjyrëshe, në mënyrë që të mos deformoheshin plotësisht… Amina u habit dhe nuk dinte se çfarë të bënte. Zonja Zylejha i tha:

“Ato janë unazat e mia të fejesës, a u habite? Hajde të të puth!..”

Amina e përqafoi. Zylejhaja mbante një erë shumë të mirë. Aminës i erdhi në mend një kushërirë e veta që ishte e paralizuar, ajo mbante erë ilaçesh dhe ankohej gjatë gjithë kohës. Ajo nuk i lejonte që ta preknin, jo më ta përqafonin. Një sëmundje e njëjtë, por dy mënyra krejt të ndryshme sjelljesh…

Zylejhaja filloi të fliste përsëri me zërin e saj të ëmbël:

“Uluni përballë meje, sepse kam dëshirë që t’ju shikoj sytë. Natën kur jam duke bërë dua gjithmonë më vijnë në mendje sytë dhe mendoj: ‘O Allahu im, je Ti ai që m’i kujton sytë; kjo do të thotë  që dëshiron t’ua plotësosh dëshirën e zemrës së tyre dhe kërkon që unë të bëj dua për ta.’

Mësuesja Saxhide dhe Amina u ulën tek kanepeja që ndodhej tek këmbët e shtratit. Sa kishin filluar të bisedonin, kur ra zilja. Zonja Zylejha tha:

“Do të jenë vajzat nga gjimnazi, që kishin dëshirë të vinin për vizitë…”

Në dhomë u futën rreth njëzet veta të moshës 17-18 vjeçe. Teksa Amina po mendonte se si do t’i nxinte të gjithë ato njerëz një dhomë aq e vogël, Zylejhaja interesohej për secilën prej tyre, i pyeste për emrat dhe i përqafonte me radhë. Pas përshëndetjes vajzat u ulën. Dukej qartë se edhe ato vinin për herë të parë. Amina po qëndronte në qetësi duke ndjekur zhvillimin e ngjarjes.

Zonja Zylejha pyeti :

“Ju falënderoj shumë që erdhët të më vizitoni. Sa të bukura që jeni, Allahu ju paska krijuar të gjithave shumë të bukura! Për çfarë keni dëshirë që t’ju flas?”

Njëra nga vajzat  iu përgjigj  me zë të ultë:

“E dashur Zylejha, një mësuesja jonë na ka folur për ju. Sa vjeçe keni qenë kur ju ka ndodhur aksidenti, si ia arritët ta përballoni? Si e keni gjetur çelësin e lumturisë?”

Zonja Zylejha  i dha këtë përgjigje:

“Kur isha shtatëmbëdhjetë vjeçe pata një aksident, si rezultat i të cilit u paralizova nga qafa e poshtë. Nuk kam qejf të flas për këtë gjë, sepse mund t’u shkaktoj mërzi njerëzve të tjerë, pasi shkaktari i atij aksidenti ishte një fëmijë i vogël. Në fakt duhet të them që ai ishte mjeti, sepse sigurisht që ky ishte një caktim i Zotit!.. E ardhmja ime ishte e përcaktuar të ishte e tillë dhe që kjo të përmbushej dikush duhet të bëhej shkak, prandaj ai fëmijë i vogël nuk duhet të ndjejë faj!.. Sikur të mos ishte ai, do të ishte një njeri tjetër. Le të themi që ky ishte vetëm një aksident, për më tepër që unë nuk dua që dikush të mërzitet për fajin tim. Duhet ta kuptojmë që fati ynë është shkruar që përpara lindjes sonë. Çdo gjë që na ndodh është për të mirën tonë. Allahu donte që unë të qëndroja në këtë shtrat dhe unë jam e kënaqur nga kjo gjendje. 

Unë deri në momentin e aksidentit kam qenë një myslimane që bëja përpjekje për të ndjekur rregullat e fesë sonë, por pas atij çasti lindi një dashuri shumë e madhe mes meje dhe Allahut, jeta ime filloi të ishte më e bukur!..

Tetë vitet më të bukura të jetës sime i kalova në spital pa lëvizur. A është e mundur të qëndrosh në spital për tetë vjet? Vite që i kalova e shtrirë në një shtrat, pa lëvizur dhe me sytë që shihnin veç tavanin… Nuk mund të haja as ushqimet e mia të preferuara; duke qenë se rrija shtrirë gjatë gjithë kohës, asgjë nuk më kalonte në stomak.

Në qoftë se doni ta kuptoni më mirë gjendjen e teze Zylejhasë, kur të shkoni në shtëpi qëndroni shtrirë në një shtrat pa jastëk. Edhe nëse djersitni nuk mund të fshiheni, edhe nëse doni të kruheni nuk mund ta bëni dot… Nuk është diçka e lehtë! Është e çuditshme, por Allahu nuk bëri asnjëherë që unë të thosha: ‘Pse unë jam këtu, pse më ndodhi mua?’ Allahu nuk lejoi që unë të ankohesha duke thënë: ‘Pse?!’ Nuk po i them këto fjalë që ju të ndjeni mëshirë për mua, por mendoj që duhet dikush të qëndrojë i shtrirë, në mënyrë që të tjerët ta marrin shembull dhe të jenë falënderues!

Duaja ime e përhershme ishte kjo:

‘O Allahu im, unë jam duke qëndruar e shtrirë; të lutem bëj që dikush të më shikojë dhe të jetë mirënjohës për gjendjen e vet!.. Unë nuk mund të bëj asgjë për Ty, por të paktën le të jem shkak që njerëzit e tjerë të falënderojnë Ty!’

Motra ime më thotë gjithmonë: “Gjatë gjithë jetës ti ke dhënë.” Ajo është një ndjenjë shumë e bukur, le të japim gjithmonë për hir të Allahut.

Si rezultat i këtij aksidenti, unë përfitova shumë gjëra pozitive. Një ditë doktori im i vendosi raftet e vogla njëra mbi tjetrën. E çuditur e pyeta:

“Çfarë po bëni?”

“Ti do të jesh mërzitur shumë, prandaj po të vendos një televizion mbi këto rafte.”

Ai po e bënte atë gjë për të mirën time, që të kaloja kohën duke shikuar televizion.

“Nuk ka nevojë.”- i thashë. Me të vërtetë që nuk ishte aspak e nevojshme, sepse mua më mjaftonin pamjet që më afronte Zoti im. Në momentin kur i nënshtrohesh përcaktimit të Zotit, Ai ju ofron gjëra pa fund. Zylejhaja ishte gati të jepte gjithçka për të përfituar nga këto të mira. Sikur ju të ishit në vendit tim dhe të shikonit ato që shikoj unë, nuk do ta ndryshoni as botën me këtë bekim. Allahu bëri që unë të edukoj egon time. Kur isha në spital e besoja se isha bërë me të vërtetë një besimtare e devotshme. Kam qëndruar me sy që fiksonin tavanin me muaj të tërë. Njerëzit mendonin se unë isha vetëm duke shikuar tavanin. Po ju them me sinqeritetin më të madh se kur zemra e njeriut është bashkë me Zotin dhe e kalon gjithë jetën duke e kujtuar Atë; në një tavan të thjeshtë mund të shikohen gjëra nga më të bukurat që një njeri i thjeshtë nuk është në gjendje as t’i imagjinojë. Ah sikur ta gjeja edhe një herë atë tavan… 

Çfarë mësuam nga kjo ngjarje; mësuam që të bëjmë durim dhe na tregoi se sa vlerë kanë gjërat që fitojmë si dëmshpërblim i atyre që humbasim. Unë gjithashtu kuptova rëndësinë e madhe të duarve dhe të këmbëve.

Disa ditë më përpara një mysafire më tha:

“Ne kemi një shtëpi me pamje nga deti. Është shumë e bukur dhe kemi dëshirë që t’jua bëjmë dhuratë. Ajo është shtëpi goxha e madhe dhe mund të prisni më shumë njerëz!”

Unë thashë:

“Allahu im, çfarë po kërkon t’i thuash Zylejhasë? A mos do të thuash që  tashmë nuk do të mund ta shikoj më Xhenetin? Prandaj dëshiron të më dhurosh mua një pamje me det? Unë nuk dua të ndahem nga Ti. Çfarë pune kam  unë me detin? Unë të zgjedh Ty. Ti je Xheneti im, o Allah!”

Të gjitha mysafiret po e dëgjonin me sy të përlotur. Amina ishte emocionuar shumë. E dëgjonte dhe mendonte për gjendjen e saj; lotët i rrjedhin lumë. Donte të qante me zë të lartë por po përpiqej që ta zotëronte veten.

Një nga vajzat pyeti:

“Çfarë është Xheneti?”

Zonja Zylejha filloi t’i përgjigjej pyetjes dhe përsëri të gjithë po e dëgjonin me vëmendje:

“I kujt është Xheneti sipas jush? A e keni menduar se kush janë ata që mund të futen në Xhenet? A kemi të gjithë të drejtë që të futemi në Xhenet? Pse të marrim rrugën e Xhehenemit? Zoti ynë është shumë i mëshirshëm… Ai na ka dërguar një Libër të mrekullueshëm dhe na ka thënë që nëse i bëjmë disa gjëra dhe qëndrojmë larg disa gjërave të tjera, do të mund të futemi ne Xhenet. Nuk është mjaftuar me kaq. Duke qenë se Allahu na do, ka dërguar dhe një shembull të gjallë të rregullave që duhen ndjekur… Na ka dërguar njeriun e Vet më të dashur. Ju këshilloj që të lexoni sa më shumë libra që flasin për jetën e Resulullahut. Në një libër unë kam lexuar këtë fjali: ‘Në jetën e Resulullahut ka pasur shumë luftëra.’ Për mendimin tim kjo nuk e përshkruan mirë jetën e Resulullahut. Një pjesë e vogël e jetës së tij ka kaluar në luftë kurse pjesa tjetër e saj i ka kaluar duke qenë afër ymetin të vet… Ai ka qenë njeriu bujar që ka ndihmuar këdo që ka pasur nevojë për ndihmë… Ai ka qenë njeriu më i lartë dhe njeriu më i dashur i Allahut… Si çdo epokë tjetër edhe koha e Resulullahut ka pasur luftërat  e veta… Në çdo kohë ka pasur dhe do të ketë njerëz të mirë dhe të këqij… Përpjekjet dhe diskutimet mes këtyre dy grupeve do të jenë gjithmonë aktuale. Për më tepër që njeriu është në një luftë të vazhdueshme me egon e vet… Në qoftë se dëshironi të jetoni si njerëz, duhet ta merrni si shembull Resulullahun në çdo aspekt!

Shembulli i Resulullahut është i përshtatshëm për të gjitha kohërat. Kur ndodhi Miraxhi, Pejgamberi ynë nuk bëri vetëm një udhëtim nga një vend në një tjetër; Ai bëri edhe një udhëtim në kohë… Ai i shikoi të gjitha kohërat… A mund ta mendoni madhështinë e kësaj? Të shikosh dhe të jetosh të gjitha kohërat, ato të kaluarat dhe ato që do të vijnë. Ai u takua me Allahun. Ne kemi një Pejgamber shumë të veçantë, qoftë falënderuar Allahu!

Kjo ishte ajo që më ka mbajtur në jetë! Do të gënjeja në qoftë se do të thosha që këto gjëra i kam lexuar nga librat, sepse unë nuk kisha duart që të mbaja librin… Sikur të më ndihmojë dikush, do të më bien syzet dhe do të kem shumë probleme të tjera prandaj është e vështirë. Unë nuk lexoj dot libra. Më mjaftojnë gjërat që m’i shfaq Allahu…

Çfarë pret Allahu përballë kësaj dhurate të madhe që na ka dhënë? A dëshiron Ai që të bëjmë përgatitje për Xhenet? A keni ndonjë mendim? Unë e kam shumë të vështirë që t’ju them që të falni namaz. Më duket sikur po ju fyej po t’ju them atë fjalë… Nuk mund t’ia them një gjë të tillë një njeriu besimtar që e dëgjon zërin e ezanit pesë herë në ditë!..

“Për kë këndon ezani?” A këndon për gjyshen dhe gjyshin tim?

Nuk ka asgjë më të keqe për një mysliman se mungesa e namazit në jetën e tij. Mendoni pak për gjërat me të cilën e harxhoni kohën tuaj para se të ankoheni se jeni shumë të zënë dhe nuk keni kohë…

Në qoftë se unë do të kërkoja diçka prej jush, diçka për  të cilën kam shumë nevojë; a do të ma jepni? Në qoftë se ju them që më ka marr uria ose që kam etje; a do të më jepni ushqim apo ujë?

Duke thënë këto fjalë motër Zylejhaja qante me dënesë, lotët e saj i fshinte mësuesja Hatixhe, por dukej sikur nuk ia arrinte t’i fshinte të gjithë lotët e derdhura.

“Sikur t’ju them që kam nevojë për t’u larë  a do të më ndihmoni? Po sikur t’ju kërkoja diçka për botën e përtejme? Sikur t’ju kërkoja t’i bënit këto gjëra pesë herë në ditë a do t’i bëni? Unë kam shumë nevojë për të reja si ju që të më ndihmojnë të shlyej mëkatet e mia… Ju do të dilni të fituara nga të gjitha këto, por do të shpërblehem edhe unë. A do të më ndihmoni që të shpërblehem? Unë e ndjej që ma dhatë fjalën. Lotët tuaja e tregojnë këtë gjë më së miri…”

Amina e kuptoi që edhe vajzat e tjera që po dëgjonin e falnin namazin ashtu si vetë ajo, pa përkushtimin e nevojshëm.

“Kam një kërkesë për vajzat që e falin namazin. A e dini cila është gjëja për të cilën ndjej më shumë mall? Më mungon sexhdja, më vjen shumë keq që tashmë nuk mund ta ul kokën për t’iu lutur Allahut… Vajza të dashura, në momentin kur koka juaj do të mbështetet në tokë a mund të thoni: ‘O Allah, le të jetë balli im, balli i motër Zylejhasë.’ A mund ta bëni për mua këtë gjë? Ju e keni shumë të lehtë që të arrini diçka që unë e kam të pamundur!.. Ju lutem mos e privoni veten nga kjo kënaqësi!, O Allah, të lutem më fal mua, sepse kjo nuk është ankesë por vetëm mall…’

Nuk kam mall për asgjë tjetër as për të ecur, as për të shëtitur, as për asgjë tjetër, unë ndjej vetëm mungesën e sexhdes.

Zonja Zylejha vazhdonte të qante pa pushim. Ajo fliste dhe nuk reshtte së derdhuri lot.

“Disa ditë më përpara shikova një ëndërr. Sa mirë që ekzistojnë ëndrrat, sepse nuk ka mënyrë tjetër për ta shikuar atë botë… Isha në një vend të cilit nuk mund t’i vendos asnjë përcaktim… Isha para Zotit tim. Shikoja nga ana e majtë dhe vëreja njerëz të njohur, hidhja sytë nga e djathta dhe shikimi im përsëri rastiste në njerëz të njohur… Kishte shumë njerëz dhe të gjithë së bashku ishim duke falur namaz. Mbizotëronte një qetësi e papërshkrueshme. A e keni parasysh lumturinë e faljes së namazit, edhe kjo ishte një ndjenjë e ngjashme. Mendoj se sikur ta perceptonim mirë se përpara kujt jemi duke qëndruar do të fitonim kënaqësi të pafund nga çdo namaz…”

Të gjitha vajzat e pranishme u zotuan se do të përmbushnin kërkesën e motrës Zylejha. Në dhomë mbizotëronte një atmosferë e veçantë dhe secila kishte humbur në një botë të re dhe të bukur.

Zonja Zylejha vazhdoi të fliste:

“Kemi qarë shumë, tani le të qeshim pak…”

Fjalët e saj ndërprenë ngashërimet e vajzave të cilat filluan të buzëqeshnin. Njëra nga ato i tha:

“Motër e dashur, ne u kënaqëm shumë nga kjo vizitë, a mund të vijmë edhe herë të tjera?”

“Sigurisht, bijat e mia. Mund të vini sa herë që të keni dëshirë.”

Një vajzë tjetër i tha:

“E dashur motër, a mund të bëjmë një fotografi me ju?”

Vajzat u larguan duke marrë si kujtim një fotografi të asaj dite aq të bukur.

Zonja Zylejha iu drejtua Aminës:

“Bija ime, ke qarë shumë; cili është problemi yt?”

Kur dëgjoi këto fjalë, Amina nuk mundi t’u bënte më ballë lotëve që i kishin mbetur në grykë. Vetëm qante pa mundur që të ndalohej. Motra Zylejha i tha:

“Qaj bija ime. Loti është ilaç. Qaj bija ime, sepse loti është mëshirë. Loti është shpresa për falje. Loti është shërim.”

Motra Zylejha e ndryshoi tonin e zërit dhe vazhdoi:

“Vajza ime e bukur… Në jetën e çdo njeriu ka momente në të cilat ndodhet në vështirësi të madhe. Shumica e njerëzve në një çast të vështirë zgjedhin rrugën më të lehtë: rebelimin ndaj Allahut… Këta njerëz nuk e kuptojnë se puna më me mend që mund të bëhet në këtë rast është nxjerrja e mësimeve prej fatkeqësisë. Me sa po shoh, ti je një njeri që ke pasur shumë përvoja të këqija në jetë. Mos ki frikë, sepse të gjitha këto do të zhduken, sepse në këtë jetë asgjë nuk është e pafund. Pafundësia është diçka që i takon vetëm Allahut. Ti duhet të merakosesh vetëm për një gjë: mendo për mësimet dhe përvojat e mira që do të nxjerrësh nga fatkeqësia të cilën po e përjeton në këto momente!..”

Amina filloi të fliste me ndalesa:

“Motër Zylejha… Unë nuk shqetësohem për problemet e kësaj jete, un mërzitem për jetën time e cila po shkon bosh. E gjithë fëmijëria dhe rinia ime ka kaluar pa asnjë gjë të mirë. Kur shoqja ime më e mirë vdiq, unë u kujtova për vdekjen. Në atë moment unë u përballa me vërtetësinë e jetës. Në atë moment Allahu bëri të mundur takimin tim me motër Saxhiden. Ajo mbajti dorën time dhe më qëndroi pranë në çastet e mia më të vështira. Nuk pata nevojë të luftoja e vetme me problemet e mia. Nga njëra anë kisha familjen, shoqërinë dhe egon time që më ftonin në një rrugë të gabuar; nga ana tjetër kisha motër Saxhiden prej së cilës merrja forcë për t’i përballuar  këto tundime. Në mësimet e saj gjeta trimëri dhe guxim. Tani Zoti më dha kënaqësinë që të njihem me ju. Nuk di se çfarë të them. Në qoftë se më jepni leje, dua të bëhem një nga shërbyeset tuaja.”

“Çfarë është ajo fjalë bija ime, si mund të bëhesh shërbyesja ime… Ti hajde për vizitë sa herë që të kesh dëshirë. Mund të qëndrosh këtu sa të duash, por nuk ke nevojë që të jesh shërbyesja ime, ti duhet të bëhesh shërbyesja e rrugës së drejtë. Në qoftë se vepron kështu, do të më lumturosh edhe mua.”

Halime Demireshik

Copyright © 2025 - Shoqata V.H.K Istanbul | Ndalohet përdorimi dhe riprodhimi i përmbajtjes së kësaj faqeje pa leje dhe autorizim