Të rinjtë ngushëllohen me ëndrra, të moshuarit me kujtime
Të rinjtë ngushëllohen me ëndrra, ndërsa të moshuarit ngushëllohen me kujtime. Kujtimet janë shtuar aq shumë… Më të mëdhenjtë na tregonin çdo herë kujtimet e tyre dhe ne ato na dukeshin si përralla. Kujtimet dhe këshillat që më parë nuk…
Publikuar:

Të rinjtë ngushëllohen me ëndrra, ndërsa të moshuarit ngushëllohen me kujtime. Kujtimet janë shtuar aq shumë… Më të mëdhenjtë na tregonin çdo herë kujtimet e tyre dhe ne ato na dukeshin si përralla. Kujtimet dhe këshillat që më parë nuk i vlerësonim, vjen një kohë që na vijnë menjëherë në mendje. Kjo do të thotë se dashur pa dashur ato janë vendosur në vetëdijen tonë…
Më parë nuk kishte “familje bërthamë”; në çdo shtëpi jetonin gjyshërit, dajat, hallat, tezet. Ngaqë familja ishte e madhe, prindërit e rinj merreshin me punë, ndërsa fëmijët kalonin shumë kohë me gjyshërit. I dëgjonin si një përrallë kujtimet e tyre të jetës me ndjenjën e dashurisë, lumturisë dhe sigurisë. Nuk kishte si në ditët e sotme televizor, internet, revista për fëmijë, madje nuk kishte as radio, por fëmijët nuk qëndronin kurrë pa njeri dhe nuk ngeleshin vetëm për vetëm me mendimet e botës së tyre të vogël, të cilat i bënin konfuzë… Shokët e lagjes dhe më të mëdhenjtë në shtëpi gjenin menjëherë një zgjidhje, për problemet e tyre…
Tani shikoj që fëmijët e vegjël kanë formuar një botë më vete në dhomën e tyre me ndikimin e rrymave negative përreth, sidomos nga interneti që është si thikë me dy tehe… Nëse nuk kontrollohen shpesh, në zemrat e tyre do të shfaqen humnera. Ka shumë të rinj të cilët nuk dinë të ndajnë me askënd asgjë të mirë apo të keqe dhe që për gjënë më të vogël negative, bien në depresion. Prindërit me universitet, gjendjen ekonomike e kanë shumë të mirë, nëna ka dalë në pension, por fëmija bie herë pas here në depresion.
Qorton duke thënë:
“Pse nuk kam motër ose vëlla? Nëse do ta kisha, tani do ta ndaja çdo gjë me të. Gjatë fëmijërisë sime kam qenë gjithmonë i vetëm, sepse ju keni qenë të zënë me punë. Edhe në rrugë nuk më keni lënë të dilja, prandaj nuk kam shumë shokë!..”
Nëna thotë me shumë mërzi:
“Po të ishte mundësia, edhe unë do të kisha pasur dëshirë të kisha edhe një fëmijë. Ndoshta nuk do të kishim pasur kaq shumë pasuri, por fëmija im do të ishte i lumtur!..”
Më parë fëmijët loznin lloj-lloj lojërash në bahçe e në rrugë me shokët deri në mbrëmje, lodheshin dhe i harxhonin energjitë, pastaj ktheheshin në shtëpi, lanin duart e fytyrat, hanin ushqimin, bënin detyrat nëse shkonin në shkollë, përndryshe zhyteshin në gjumë të thellë. Sidomos nëse jetonit në qytezë, nuk ekzistonte shqetësimi i trafikut dhe të gjithë ishin të afërm ose fqinj me njëri- tjetrin.
Netët e gjata të dimrit, nëse kishte vende me distancë të mundshme për t’u vizituar nga të moshuarit, ata shkonin. Përndryshe preferonin të qëndronin në shtëpi me fëmijët. Ajo që më pëlqente më shumë në këto net, ishin përrallat që na tregonin më të mëdhenjtë.
Kur shkonim te të afërmit, nëse kishte rënë dëborë, flokët e borës shkëlqenin nga drita e hënës dhe ne mbushnim mushkëritë me ajër të pastër dhe gjallëroheshim… Zërat e dëborës nëpër këmbë, qeni apo macja e shtëpisë që na ngjitej pas, yjet që shkëlqenin si qelq, janë skena të paharrueshme të jetës sonë.
Një ditë në javë ishte teatri në radio. Atë ditë të gjithë të mëdhenj e të vegjël, mbaronin punët dhe uleshin e dëgjonin pa bërë zë, sikur të ishin në teatër prej vërteti. Edicionet në radio nuk ishin aq të qarta, nganjëherë kishte zhurmë, por edhe pse mund të na ikte ndonjë gjë pa dëgjuar, përsëri dëgjonim me shumë vëmendje. Kur ishim ende të vegjël, nuk mund ta konceptonim se si realizoheshin edicionet e radios dhe bëheshim kureshtarë duke menduar: “Si vallë mund të hyjnë njerëzit në këtë gjë kaq të vogël?”. Përgjigjen e kësaj e merrnim me anë të shpjegimit të babait…
E çfarë është radioja? Në të ardhmen do të shpikej diçka që quhet televizor; i cili do të na tregojë të gjitha këto që flasin, qytetet, dhe ngjarjet!.. E shikoni hënën në qiell? Ja njerëzit do të shkojnë atje. Larg me shekuj, diçka që vetëm mund të imagjinohet…
Kishte aq pak ushqime të gatshme, sa mund të thuhej se nuk kishte. Qoftë i pasur apo i varfër, të gjithë ishin të detyruar ta përballonin vetë nevojën e dimrit. Ngaqë komunikacioni nuk ishte i mjaftueshëm, nuk mund t’i blinin gjërat e nevojshme nga një vend tjetër. Të gjithë ishin të detyruar të shfrytëzonin produktet që prodhonin në zonën e tyre.
Qe luftë, prandaj në vitet e zisë së bukës, në çdo shtëpi sillnin nga një ose dy portokaj të cilët ndaheshin nga një thelë për çdo pjesëtar. Sigurisht që vinin me deve… Po ashtu, ekzistonte edhe pasioni për kafe. Ndonjëherë thoshim:
“Duam edhe ne!”
Na thoshin:
“Nuk pinë fëmijët, sepse nxihen!”
Ky ishte një shpenzim shtesë për familjet e mëdha dhe nuk ishte gjithmonë e mundur të sigurohej. Në çdo shtëpi vendosej soba dhe kjo e fundit ndizej sipas mundësisë me dru, qymyr ose plehra. Herët në mëngjes fshatarët i ngarkonin gomarët me kërcunj që i shkulnin nga malet dhe i sillnin për t’i shitur. Kur ndizej soba me qymyr, ngrohej i gjithë vendi rreth e rrotull. Sipër sobës vlonin çajnikët dhe në dhomë përhapej era e blirit të freskët.
Qetësimi që të jepte ngrohtësia, zëri që nxirrte uji na vinte si ninullë dhe kur ndikonte edhe era e çajit të blirit, zhyteshim në gjumin më të mirë. Sidomos me indiferentizmin që jepte fëmijëria, kalonim nga ëndrra në ëndërr dhe nuk e kuptonim madje se ishte bërë mëngjes…
Macja me qime të gjata flinte në jastëkun e veçantë prapa sobës sikur pothuajse kishe shtruar një qyrk. Ndërsa zëri i erës që frynte nga jashtë ishte një muzikë krejt tjetër. Në netët më të ftohta të dimrit familja mblidhej së bashku dhe ëmbëlsirat e sotme atëherë i bënin të gjithë bashkë në shtëpi. Shtrohej sofra, vendose tepsia e madhe sipër saj, pastaj të gjithë prisnim me padurim ëmbëlsirën e cila po përgatitej.
Kur vinte mëngjesi, në çdo shtëpi fillonin përgatitjet për dimrin. Në të vërtetë, në Anadoll vera nuk mbante më shumë se tre muaj. Njerëzit atje thanin menjëherë pothuajse çdo perime, bëheshin salca, makarona shtëpie, turshi të ndryshme, lloj-lloj reçeli, marinade, djathëra, trahana, bullgur etj.. Pritej një lopë ose një dele, bëheshin suxhukë me makinë dore, vareshin në pe dhe thaheshin. Ndonëse jo gjithkush kishte vresht, të gjithë bënin pekmeze dhe suxhukë me arra. Rrushi, ftoi, mushmolla vareshin në pe dhe ruheshin për në dimër. Të gjitha këto qëndronin me muaj dhe nuk prisheshin për një javë si tani. Shtëpitë kundërmonin erë ftoi dhe pjepri. Kishte shumë bereqet.
Të gjitha kafshët në kafazet e bahçes ushqeheshin me mbeturinat e shtëpisë ose grurë. Në çdo gjë kishte kënaqësi natyrore, ajër të pastër dhe ushqim të bollshëm. Babai im i ndjerë fundjavave merrte bukë nga furra, i hapte një vrimë në mes, e mbushte me vaj të pastër ulliri dhe sapo ftohej pak, e hanim. Bëhej aq e shijshme… Në dimër, kur prushi i qymyrit nxehej mirë, përgatiste menjëherë hellin dhe bashkë me të na servirte edhe sallatë qepe. Sidomos, kur vinin mysafirë, shkonte menjëherë te soba dhe na thoshte:
“Ju jeni fëmijë, ushqehuni mirë që të mos keni nevojë për mjek!”
Njohja ime me dëborën ka qenë shumë interesante. Unë kam lindur në Adana. Kur mbusha gjashtë vjeç, erdhëm në Keskin i cili mban veçori karakteristike të Anadollit të mesëm. Akoma nuk kisha filluar shkollën. Një mëngjes nëna më zgjoi duke më thënë:
“Ngrihu dhe shiko pak nga dritarja!..”
Shtëpia jonë ishte karakteristike e Anadollit të vjetër, me dy kate dhe me bahçe… Ngaqë ishte sipër arrës, kishte përballë malet, kodrat dhe rrugët e fshatit… Shtëpitë me rrugët e tyre kishin një fushëpamje të gjerë.
Kur shkova te dritarja, ngriva nga habia. Çdo anë pa asnjë boshllëk ishte mbuluar me të bardhë. Kjo ishte një panoramë e mrekullueshme!.. Çatitë e shtëpive, pemët, telat e telefonit, rrugët, çdo gjë dhe çdo vend pothuajse kishte ndryshuar formë.
Në shtëpi të gjithë më shikonin mua. Prisnin përgjigjen e pyetjes së tyre “Çfarë është kjo?” Çfarë mund të ishte? Deri më sot nuk ishte folur për të. Atëherë nuk kishte as televizor. Çfarë të thosha? U vështirësova shumë… Me çfarë gjëje nga bota ime e vogël mund ta përngjaja?..
“Miell!”, thashë.
“Si mund të jetë miell?”, thanë.
Atëherë thashë: “Sheqer pluhur…”
Më thanë: “Pse ta hedhin njerëzit sheqerin në rrugë?”
E vërtetë. Edhe kjo nuk qëndronte. Edhe pse nuk i ngjante, thashë “Hi!”.
“Pse i bardhë është hiri?” më thanë.
U bëra aq shumë kureshtar… Më në fund, u njoha me dëborën. Kush mund ta bënte një tablo kaq të bukur përveç Krijuesit?!
Një shoku im i tregon përralla nipit të tij që ta zërë gjumi, sepse tashmë fëmijët nuk flenë pa përralla. Një ditë i del një punë dhe i thotë gjyshit:
“Sot vëre ti të flejë, sepse mua më duhet të shkoj!..”
Erdhi koha që fëmija të flinte dhe ai i thotë gjyshit:
“Eja gjysh, më trego një përrallë!..”
Gjyshi i thotë:
“Po unë nuk di asnjë përrallë. Çfarë të të tregoj?”
Por fëmija këmbënguli “Dua përrallë!”
Pastaj gjyshi filloi:
“Atëherë të të tregoj fëmijërinë time!.. Ah more bir, kur ne ishim fëmijë, nuk kishim lodra. Luanim gjithmonë me makina prej teli apo kutie, me shtëpi prej rëre, ose bënim diçka vetë. Nuk kishim biçikletë ashtu siç ke ti. Rrobat na i qepte nëna ose vishnim të vëllezërve. Madje as çantë shkolle nuk kisha. Nëna më pati qepur një çantë prej lecke dhe me atë shkoja në shkollë. Që të mos më griseshin këpucët, nganjëherë ecja zbathur, nganjëherë i vishja ato. Kisha vetëm një laps dhe kisha shumë frikë se më mbarohej.”
Fëmija, pasi me shumë durim dëgjoi deri këtu, mori frymë thellë tha:
“Gjysh, mua nuk më pëlqeu aspak fëmijëria jote!..”
Unë u zhyta në të kaluarën time të vjetër, por mund të ketë edhe nga ata që nuk u pëlqen.
Thonë se tani kanë ndryshuar kohërat. Po, kanë ndryshuar shumë gjëra. Teknologjia çdo ditë prodhon gjëra të reja, mundëson lehtësime që nuk ta merr mendja. Ndërsa të moshuarit nuk mund ta ndjekin këtë teknologji përparuese. Kjo nga ana e fëmijëve dhe të rinjve konceptohet sikur “të moshuarit nuk dinë asgjë”… E vetmja gjë që nuk ndryshon është… Fëmija gjithmonë është i pastër dhe naiv… Jemi ne të mëdhenjtë që i ndryshojmë ata…
Kurrë të mos themi: “Fëmijë janë, nuk kuptojnë gjë!”
Gjërat që ne na duken normale, në botën e tyre zënë një vend të tillë, saqë pas shumë vitesh të thonë: “Ti ke thënë kështu” ose: “U bë kështu”.
Kur përballem me një ngjarje, pas shumë vitesh më vijnë në mendje fjalët e gjyshes sime të ndjerë. Një fjalë e urtë thotë: “Dijet që merren në fëmijëri, janë si t’i kesh gdhendur në gurë. Ndërsa dijet që merret në pleqëri janë si fjalët e shkruara në rërë”. Kohë më parë dëgjova një kujtim të një të afërmit tonë biznesmen.
Ky biznesmen doli për turizëm në Lindjen e largët bashkë me gruan e tij. Me qëllim që të shëtisnin, të bënin Pazar dhe kur të ktheheshin nga pushimet të mburreshin përpara shokëve, hyjnë në një dyqan duke thënë: “Meqë erdhëm, të shëtisim nëpër dyqane dhe të shohim për pëlhura të ndryshme…”. pëlhura që pëlqyen ishte shumë e shtrenjtë, por ngaqë u pëlqeu, ata kërkuan të bëjnë pazar. Pronari i dyqanit tha se nuk mund t’u bënte shumë zbritje. Ndërkohë që kjo çështje po zgjatej, pronari i dyqanit, i pyeti:
“Nga cili vend vini ju?”
Kur ata i thanë se vinin nga Turqia, pronari i dyqanit e preu menjëherë pëlhurën, e paketoi bukur dhe ia dha zonjës, duke thënë:
“Këtë e keni dhuratë nga ne!..”
Veprimi i këtij burri i cili pak më parë nuk pranonte të bënte as pazar, i habiti këta tanët. Ai tha:
“Meqë ju vini nga Turqia, ju jeni nipër Osmanësh, prandaj ne nuk marrim para nga ju. Ju lutem pranojeni!..”
Kur ai filloi të pyeste: “Në cilin hotel qëndroni? Ku do ta falni nesër namazin e xhumasë?”, burri u habit edhe më shumë, por nuk mundi të thoshte “çfarë namazi, çfarë xhumaje?”.
Kishte vite që nuk i kishte rënë në mendje të shkonte në xhami e jo më të falte namazin e xhumasë. Jeta e kësaj bote e kishte mbërthyer aq fort atë, saqë papritur nuk diti çfarë të thoshte.
Tregohet një anekdotë e Nastradin hoxhës. Një ditë e pyesin hoxhën. “Hoxhë, cila ditë e Ramazanit është sot?” Nastradin hoxha e shikon se nuk po e gjente fillin dhe përgjigjet:
“Bir unë jam i huaj në këtë qytet!..”
Ashtu si Nastradin hoxha edhe ai i përgjigjet:
“Unë sapo kam ardhur dhe nuk e di se cila xhami është më afër!”
Pronari i dyqanit i thotë:
“Më jepni adresën e hotelit dhe unë do të dërgoj nesër shoferin t’ju marrë!..”
Edhe pse burri i tha: “Ju lutem, mos u mundoni!..”, pronari i dyqanit këmbënguli duke thënë:
“Nuk mund t’ju lë, ju jeni mysafirët tanë!..”
Këta tanët largohen nga aty me falënderime. Në mëngjes vjen makina dhe shkojnë në xhami. Burri shkon menjëherë dhe flet me imamin. Pastaj vjen me xhubbe (manteli i imamit) në dorë drejt mysafirit dhe i thotë:
“Urdhëroni zotëri, na e falni ju namazin e xhumasë!..”
Edhe pse ai, duke menduar se tregohet modest, tha: “Si ta fal unë ndërkohë që është hoxha?”, ata e vunë të falte namazin e xhumasë duke i thënë:
“Ne na vjen turp të bëhemi imamë për ju, ndërkohë që jeni ju nipërit e Osmanëve, nipërit e Fatihut! Ju lutemi!..”
“Ja, aty dhashë provimin më të vështirë”, thoshte i afërmi ynë…Pastaj i shprehu ndjenjat dhe mendimet’ duke thënë:
“O Zot, çfarë do të bëj? U bënë vite që unë nuk e kam vënë kokën në sexhde. Pastaj i kërkova ndihmë Allahut të Lartësuar, sepse nuk dija çfarë të bëja me aq shumë njerëz pas që më prisnin mua… Të lutem më ndihmo o Zot, nuk do t’i lë më namazet!..Të lutem mos më lër të turpërohem! Nuk dija shumë lutje. Kur isha i vogël, shkoja me gjyshin në xhami. Dija vetëm ato që më kishin ngelur në mendje që nga ajo kohë… Zoti m’i solli në memorie, por nuk di se si e fala atë namaz?! Të gjithë vijnë në vendin tonë dhe mësojnë fenë, ndërsa unë shkova dhe mësova në një vend tjetër.”
Asgjë e bukur që i mëson fëmijës nuk shkon dëm. Allahu na dhëntë bukuri në zemër, gjuhë dhe përreth nesh. Amin!
Elif Menxhet

