Të arrish te një zemër më shumë - Mirësia Islame

Të arrish te një zemër më shumë

Islami është thirrje për shpëtim. Shpëtimi i gjithë njerëzimit me individin e shoqërinë, i të gjitha pjesëve që formojnë njeriun me shpirt e trup. Ky shpëtim përfshin jetën, vdekjen dhe pasvdekjen, kështu rruga e shpëtimit në jetë është Islami dhe…


Publikuar:

Islami është thirrje për shpëtim. Shpëtimi i gjithë njerëzimit me individin e shoqërinë, i të gjitha pjesëve që formojnë njeriun me shpirt e trup. Ky shpëtim përfshin jetën, vdekjen dhe pasvdekjen, kështu rruga e shpëtimit në jetë është Islami dhe në Islam.

Ata të cilët arrijnë në një mënyrë në këtë ftesë sublime shpëtimi, marrin mbi vete një përgjegjësi të madhe. Përgjegjësinë e thellimit dhe zhvillimit të këtij shpëtimi…

Njerëzit, kur njihen me Islamin, marrin një rrugë në thellësi. Besimi zbret në zemër nga buzët dhe fyti, zë rrënjë aty dhe nga ajo qendër përhapet te të gjitha organet. Si përfundim, del në pah një njeri i cili i është dorëzuar Allahut me trup e me shpirt, pra është ndërtuar identiteti i një besimtari mysliman.

Në këtë mënyrë, njeriu i ngjan udhëtimit që ndodhet brenda tij. Paralel me të bëhet edhe një udhëtim besimi. Ai udhëtim është që ta bëjë edhe një zemër tjetër të digjet për këtë dashuri të përhershme…

Kur njeriu beson me të vërtetë, e di shumë mirë se çfarë fiton dhe se për çfarë mbrohet.

Në sajë të besimit, i cili është një mirësi udhëzimi nga Allahu Teala, njeriu shpëton në jetën e kësaj bote nga çdo lloj poshtërsie, ligësie dhe nënçmimi që mund t’ia njollosë nderin dhe dinjitetin e tij. Jeta e tij merr kuptim dhe vlerë. Ai e di se të gjithë njerëzit kanë një urtësi krijimi dhe se asnjë gjë në univers nuk është e padobishme, e paqëllimtë dhe e pazotë. Ç’do gjë është krijuar për një qëllim dhe sipas një urtësie. Allahu Teala, që është poseduesi i çdo gjëje, në të njëjtën kohë është edhe poseduesi i vetëm i njeriut.

Përsëri, në sajë të besimit që ka, ç’do lloj fatkeqësie, vështirësie, pikëllimi dhe brenge që mund të përballet me të përgjatë jetës së tij, zvogëlohet dhe nuk ka vlerë për të. Madje, secila prej tyre, bëhet një alternativë për të arritur kënaqësinë e Allahut (xh.xh.). Në të njëjtën mënyrë, edhe mirësitë, virtytet dhe pozitat që mund të arrijë përgjatë jetës në këtë botë, e bëjnë atë modest dhe falënderues ndaj Zotit. 

Në këtë mënyrë, njeriun fillon të përhapë mirësi dhe të shfaqë cilësitë sublime të tij ndaj të gjithë njerëzve përreth tij aq sa posedon edhe mirësi nga Allahu, merr lutjet e tyre, i do dhe e duan. Askujt nuk i bëhet barrë, përkundrazi i ndihmon të gjithë. Ai nuk pret që t’i shërbejnë, por nxiton për t’u shërbyer njerëzve dhe të gjitha krijesave.

Për shkak të besimit, bota fillon të fitojë vlerë dhe nga vdekja përfitohet nga një këndvështrim tjetër i ri. Vdekja, që ishte një fund i tmerrshëm deri atë ditë, tashmë fillon të marrë një gjendje me të dashur. Tashmë njeriu fillon ta shikojë vdekjen si stacionin e fundit ku do të takojë Zotin e Madhëruar. Perdja ndërmjet tij dhe të ardhmes fillon e hapet. Vdekja dhe jeta pas saj, për të jenë koha në të cilën marrin fund vështirësitë dhe brengat e jetës, koha kur do të mblidhen të gjitha ushqimet e ahiretit që janë mbledhur përgjatë gjithë jetës dhe koha kur do të arrijë mëshirën, rahmetin dhe faljen e Allahut Teala…

Allahu i Madhëruar u ka premtuar robërve nderimin me mëshirën e pafundme, xhenetin dhe bukurinë e Tij në shkëmbim të besimit, edhe pse mund të kenë shfaqur ndonjë gabim dhe mangësi. Nisur nga kjo, besimi është çelësi edhe i vendit të lumturisë së përhershme.

Ndërsa mohimi i Zotit, është një poshtërim, padrejtësi, errësirë dhe dhimbje. Por edhe pse njeriu posedon gjithë këto mirësi, nuk është i vetëdijshëm për to, i bën padrejtësi vetes dhe njerëzve përreth tij, harxhon pa kriter, përdor ashpërsisht, dhunon të drejtën e të tjerëve dhe lakmon ato që kanë të varfrit e të vobektët me zilinë për të pasur sa më shumë. Vjedh dhe qorton. Përpiqet të lartësohet duke shkelur mbi supet e të tjerëve dhe të ngopet duke ua marrë ato që posedojnë të tjerët. Por në asnjë mënyrë, nuk i ngopen sytë dhe zemra. 

Ai nuk bën rehat në këtë botë dhe nuk i lë rehat edhe ata që ka përreth. Për këtë arsye, njerëzit fillojnë të presin me katër sytë hapur vdekjen e tij dhe si rezultat i saj, fundin e probleme që shkaktoheshin nga ai. 

Jeta është e hidhur për shkak të kënaqësive të përkohshme për ata njerëz që janë të privuar nga besimi, sepse pikërisht kur fillon të kënaqet, i konsumohet pasioni, normalizohet, madje fillon të japë dhimbje. Si rezultat, njeriu fillon të mos kënaqet edhe pse provon çdo lloj kënaqësie. Ai fillon të provojë gjëra anormale, përpiqet të marrë kënaqësi të paarritshme dhe nuk di ku të ndalojë. Kjo e shkatërron shpirtin dhe trupin e njeriut.

Ose, njeriu e shikon me lakmi rehatinë dhe komforin që e rrethon dhe e shkatërron veten e tij për shkak se nuk arrin t’i posedojë ata në asnjë mënyrë përgjatë jetës së tij. Veten e pyet: “Përse ata kanë, ndërsa unë jo?” Për shkak të kësaj, ose shkëputet plotësisht nga jetë apo me një thënie tjetër, zemërohet me fatin e tij, ose aplikon mënyra ilegale për të marrë ndonjë pjesë nga ajo që posedojnë të pasurit dhe që e lakmon ai. Në çdo lloj situate, të ardhmen e tij e pret një fund i hidhur. 

Jeta ka edhe anën e hidhur dhe të mbushur me dhimbje. Kur njeriu që vrapon pas rehatit dhe komforit përballet me sëmundje, halle dhe vështirësi të ndryshme, nuk arrin të kuptojë se çfarë po ndodh. Ai bie në një zhgënjim të madh, dëshpërim të thellë dhe në pesimizëm. Në çfarëdo lloj gjendjeje nuk dëshiron të vdesë edhe sado që të zhytet në halle të mëdha, sepse vdekja është zhdukje për të. Jeta në çdo lloj gjendjeje është një mirësi më e madhe për të se sa zhdukja. 

Vdekja e çdo të afërmi, i jep dhimbje si gishti në sy ndërkohë që kërkon alternativa për ta harruar vdekjen e tij. Ai shkatërrohet kur t’i dalë përballë vdekja të cilën ishte përpjekur ta harrojë. Faktikisht ai, vdes çdo herë që ndërron jetë ndonjë e afërm i tij. Zjarri djeg çdo vend ku bie dhe zemrën e qafirit që mohon jetën pas vdekjes, sepse edhe sipas tij ka një fund të pashmangshëm, pra, fundi i tij. Për ta harruar këtë, pi alkool, përdor drogë dhe e nxjerr jashtë funksioni mendjen e tij. Jetën mundohet ta kalojë me dëfrime, shokë, argëtime dhe udhëtime të ndryshme. Ai përpiqet të formojë një botë artificiale për veten e tij. 

Ja pra, fatura e kësaj jete të mbushur me vuajtje, faktikisht është një jetë edhe më e dhimbshme, sepse në fund e pret xhehenemi i përhershëm dhe zemërimi hyjnor. Ndëshkimi i Allahut Teala, nënçmimi në audiencën e tij, konsiderimi si “asgjë” dhe pendimi për mos kompensimin e asnjëhershëm të këtij gabimi, e djeg më shumë njeriun se zjarri i xhehenemit.

Ja dy tablo… Rezultati i besimit dhe mosbesimit…

Atëherë ekziston një detyrë për besimtarët, e cila është të ndajnë me të tjerët mirësitë e kësaj bote dhe të botës tjetër…Ashtu siç e thellojnë besimin në zemrat e tyre, duhet ta zhvillojnë dhe përhapin sa të kenë mundësi edhe jashtë… Të bëhesh shkak për udhëzimin e të tjerëve…Të predikosh… T’i njohësh njerëzit me Islamin… Të ndash dhe shumosh të mirësinë… Të mund të pakësosh të keqen, mohimin dhe rebelimin… 

Allahu, për shkak të këtyre detyrave, i ka kualifikuar myslimanët si “Umeti më i mirë i njerëzimit”:

“Ju jeni populli më i mirë i dalë për njerëzimin: (sepse) ju urdhëroniqë të bëhen vepra të mira, i ndaloni të këqijat dhe besoni Allahun…” (Al-i Imran, 110.)

Veçantia më e rëndësishme që e dallon këtë popull nga popujt e tjerë, është përpjekja për urdhërimin e së mirës dhe ndalimin nga e keqja. 

Kjo është një detyrë që u është ngarkuar në total të gjithë myslimanëve, por edhe disa personave të veçantë të cilët pothuajse janë ekspertë në këtë punë…Umeti i Muhamedit, sallallahu alejhi ve sellem, është përgjegjës edhe për edukimin e një shoqërie të zgjedhur thirrëse (në Islam)…,

“Le të dalë prej jush një grup që të thërrasë për mirësi, të urdhërojë për vepra të mira e të ndalojë prej veprave të shëmtuara.! Këta njerëz do të jenë të shpëtuarit.” (Al-Imran, 104.)

Madje, kjo pjesë e veçantë e umetit konsiderohet e lirë edhe nga xhihadi, lufta e myslimanëve për jetë a vdekje. Në ajetin e mëposhtëm thuhet:

“Nuk është mirë që besimtarët të shkojnë në luftë të gjithë njëherësh, por prej çdo bashkësie, një grup të mbetet mbrapa që të thellohet në mësimin e fesë dhe kështu të këshillojë popullin e tij, pasi të kthehet nga lufta, t’i frikësohet Allahut.” (et-Teube, 122.)

Domethënë predikimi, thirrja (në Islam), këshillimi për drejtësi dhe mirësi, urdhërimi i së mirës dhe ndalimi nga e keqja janë çështje aq sublime, saqë këta thirrës konsiderohen të lirë nga Allahu Teala në luftërat ku njerëzit përballen me vdekjen dhe ku personi mund të kryejë një detyrë shumë të rëndësishme. Në këtë mënyrë detyra e tyre konsiderohet më e vlefshme se lufta. Në të njëjtin kuptim na tërheq shumë vëmendjen edhe këshilla e Pejgamberit, sallallahu alejhi ve sellem:

“Betohem në Allahun që më ka falur jetën se ju, ose urdhëroni për të mirë dhe ndaloni nga e keqja, ose Allahu do të lëshojë mbi ju ndëshkim dhe atëherë do të luteni, por lutja juaj nuk pranohet.” (Tirmidhi, Fiten, 9.)

Allahu Teala shpreh se këta thirrës, përveç virtyteve të tyre, kanë edhe “fjalët më të bukura”:

“E kush flet më bukur se ai që i fton njerëzit drejt Allahut, bën vepra të mira dhe thotë ‘Unë me të vërtetë jam mysliman.’” (Fussilet, 33.)

Një detyra kaq e lartë dhe njerëz të zgjedhur për këtë detyrë të rëndësishme…

Kjo së pari është detyra e më e rëndësishme e të gjithë pejgamberëve… Synimet e dërgimit të pejgambereve janë predikimi dhe rruga e udhëzimit të njerëzve… Njoftimi i tyre për fundin që i pret dhe të cilit nuk mund t’i ikësh…T’i nxjerrësh ata nga errësira në dritë… 

Vargu i pejgambereve të cilët erdhën njëri pas tjetrit me të njëjtin mision… Besimtarët e parë, apostujt, sahabët, “ndihmëtarët e fesë së Allahut”…

Pas shpërnguljes së tyre në botën e përjetshme, heronjtë të cilët vazhduan hap pas hapi shërbimin fetar… Të gjitha sa të kenë mundësi kanë përgjegjësinë të kryejnë detyrën e urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja… Përsëri Pejgamberi, sallallahu alejhi ve sellem, thotë:

“Kushdo prej jush që shikon një vepër të keqe, ta rregullojë atë me dorën e tij. Nëse nuk mundet në këtë mënyrë, ta rregullojë me gjuhën e tij. Nëse edhe në këtë mënyrë nuk mundet, ta rregullojë me zemrën e tij. Por kjo është shkalla më e dobët e besimit.” (Muslim, Iman, 78.)

Domethënë, kjo është një detyrë e vështirë… Të gjithë duhet të kapin cepat e kësaj mbulese në mënyrë që guri i çështjes në mes të saj të mund të ngrihet… Ndërsa detyra dhe nderi i vendosjes së atij guri në Qabe, i takon Pejgamberit, sallallahu alejhi ve sellem…

Të gjithë jemi dëshmitarë të njëri-tjetrit. Besimtari është dëshmitar i qafirit, qafiri dëshmitar i besimtarit… Dhe besimtarët në të njëjtën kohë dëshmitarë të njëri-tjetrit… Umeti është dëshmitar i Pejgamberit, sallallahu alejhi ve sellem dhe Pejgamberi (s.a.s.), dëshmitar i të gjithë umetit… Engjëjt janë dëshmitarë të njerëzve…Ndërsa Allahu Teala është Ai që me të vërtetë sheh dhe di çdo gjë…

Prandaj të gjithë duhet të falënderojmë për mirësinë e besimit. Duhet të udhëtojmë brenda nesh në epërsinë e zemrës, po ashtu jashtë në lindje e perëndim, në veri e jug. Pikërisht si Dhulkarnejni, alejhisselam, të cilit me dashurinë e predikimit bota i dukej krejt e vockël…

Nuk kemi të drejtë të lëndohemi, hidhërohemi e të tërhiqemi në një qoshe. Ndërkohë që njerëzit digjen në zjarrin e pamundësisë dhe përpëliten në injorancë, pa qenë në dijeni çojnë dëm jetën e kësaj bote dhe të ahiretit, ne nuk kemi të drejtë të pushojmë, neglizhojmë dhe të bëjmë sikur nuk shohim!.. 

Nëse ne nuk shkojmë pranë tyre në këtë botë, të jemi të sigurt se ata do të vijnë ditën e gjykimit dhe do të na kapin për gryke. Ja, atë ditë nuk do të kemi ku të shkojmë!.. Allahu na ruajtë nga një fund i keq si ky dhe na bëftë prej karvanit të njerëzve të Tij të dashur e të zgjedhur.

Fatma N. Xhihan

Copyright © 2025 - Shoqata V.H.K Istanbul | Ndalohet përdorimi dhe riprodhimi i përmbajtjes së kësaj faqeje pa leje dhe autorizim