Shembuj të moralit të lartë në Kuranin Kerim
Kurani Kerim është libri i jetës. Ai trajton të gjithë temat që kanë të bëjnë me jetën e njeriut. Ai është dritë për njerëzimin. Na mëson për adhurimet që duhet të bëjmë dhe na flet për marrëdhëniet që duhet të…
Publikuar:

Kurani Kerim është libri i jetës. Ai trajton të gjithë temat që kanë të bëjnë me jetën e njeriut. Ai është dritë për njerëzimin. Na mëson për adhurimet që duhet të bëjmë dhe na flet për marrëdhëniet që duhet të krijojmë me njerëzit. Kurani është një dhuratë hyjnore dhe një burim i pashtershëm mëshire dhe drite.
Në këtë mrekulli të dërguar nga Allahu (xh.sh.), gjejmë edhe shembujt e bukur të edukatës dhe të moralit të shumë njerëzve të lartë. Duke qenë se nuk është e mundur të flas me hollësi për secilin nga ato, jam munduar të tregoj pjesë të vogla nga jeta e tyre.
Zonja e të gjithë grave të kësaj bote, Hazreti Merjem
Zonja e Imranit (Hanne) fëmijën që mbante në bark ia kishte kushtuar Allahut që para se të lindte. Ajo u çudit shumë kur shikoi se fëmija që erdhi në jetë ishte vajzë dhe jo djalë, sepse në atë kohë nuk ishte e zakontë që një vajzë ta kalonte jetën e vet duke qëndruar në xhami dhe duke bërë adhurime. Ajo donte ta mbante premtimin e bërë dhe i vendosi foshnjës emrin Merjem, që ka kuptimin: “Shërbëtore e Allahut, dikush që adhuron Allahun”, dhe e la në xhami nën përkujdesjen e kushëririt të saj të afërt, Zekerjasë alejhi selam. Hazreti Merjem, fëmijërinë dhe rininë e kaloi në këtë xhami, ajo iu përkushtua krejtësisht adhurimeve. Në vendin ku ajo qëndronte mund të futej dhe të dilte vetëm Zekerija alejhi selam. Ai habitej shumë kur shkonte tek Merjemi dhe shikonte pranë saj fruta nga më të ndryshmet, të cilat ia kishte sjellë Allahu. Për më tepër, ato nuk ishin nga frutat e stinës; në dimër pranë Hazreti Merjemit kishte fruta të verës, kurse në verë të dimrit… Kur e pyeste Merjemin se nga erdhën këto fruta, ajo i përgjigjej që ishin dërguar nga Allahu (xh.sh.).
Një ditë Merjemi shikoi një djalë në mesxhid dhe u tremb nga kjo gjë, ngjarja vijoi në këtë mënyrë:
“ Ajo i tha: “Unë kërkoj që të më mbrojë i Gjithëmëshirshmi prej teje, nëse i frikësohesh Allahut.
Ai tha: “Në të vërtetë, unë jam vetëm një i dërguar i Zotit tënd, që të të dhuroj ty një djalë të pastër.”
Ajo tha: “Si mund të kem unë djalë, kur asnjë mashkull nuk më ka prekur e nuk jam as e pacipë?!”
Iu përgjigj: “Kështu është! Zoti yt ka thënë: ‘Kjo për Mua është e lehtë. Ne do ta bëjmë atë shenjë për njerëzit dhe mëshirë nga ana Jonë’. Dhe kjo është punë e kryer.” (Merjem, 17-21)
Pas kësaj ngjarjeje, Hazreti Merjem mbeti shtatzënë. Kur u afrua momenti i lindjes, ajo shkoi në një vend larg njerëzve. Një dite ishte nën hijen e një hurme dhe po ndjehej shumë e turpëruar, mendoi:
“ Ah, sikur të kisha vdekur para kësaj (ngjarjeje) dhe të isha harruar krejt!” (Merjem, 23)
Allahu e ngushëlloi atë duke e bërë të gjelbëronte hurmën e thatë nën të cilën ndodhej.
Një zë e thirri nga poshtë: “Mos u pikëllo, se Zoti yt të ka bërë një burim uji poshtë teje!
Shkunde trungun e palmës, që të bien mbi ty hurma të freskëta!
Ha, pi dhe qetësohu. Nëse vëren ndonjë njeri, i thuaj: “Unë jam betuar në të Gjithëmëshirshmin se do të agjëroj, prandaj sot nuk do të flas me askënd.” (Merjem, 24-27)
Njerëzit që e shikuan Hazreti Merjemin me foshnjën e vogël në krahë filluan që ta fyenin:
“O Merjem! Ti ke bërë një gjë shumë të shëmtuar! O motra e Harunit! Babai yt nuk kishte grua të pandershme.”
Hazreti Merjem bëri me shenjë nga fëmija që kishte në krahë. Të gjithë u habitën:
“Do të flasim me foshnjën e vogël?!”
Pas këtyre fjalëve, foshnja në kondak tha:
“Unë jam rob i Allahut. Ai më ka dhënë Librin (Ungjillin), më ka bërë profet dhe më ka bërë të bekuar kudo që të jem. Ai më ka porositur që të falem e të jap zekat sa të jem gjallë dhe që të jem i mirë ndaj nënës sime dhe nuk më ka bërë të ashpër dhe të padëgjueshëm. Le të jetë paqja e shpëtimi mbi mua, në ditën që kam lindur, në ditën që do të vdes dhe në ditën që do të ringjallem!” (Merjem, 27-33)
Kështu ka ardhur në jetë Hazreti Isa. Populli çifut është përpjekur që të shpifë mbi ndershmërinë e Hazreti Mejremit, kurse të krishterët, duke thënë se Hazreti Isa ka lindur si një mrekulli pretendojnë se Ai është Perëndi.
Allahu (xh.sh.), i ka përgënjeshtruar të dyja këto teza.
Hazreti Merjem ishte një grua e virgjër, e ndershme dhe e përkushtuar vetëm ndaj Allahut (xh.sh.). Ajo është një nga gratë më të larta të të gjitha kohërave. Ajo i ka kërkuar ndihmë vetëm Allahut kur ka shikuar në mesxhidin e vet një djalë të panjohur.
Me këtë ngjarje Allahu (xh.sh.), ka dashur të tregojë madhështinë e Tij të pafund dhe të provojë besimin e njerëzve.
Lindja e Hazreti Isait pa baba i ngjan krijimit të Hazreti Ademit, i cili ishte pa nënë dhe pa baba. Kjo është diçka e lehtë për Allahun (xh.sh.). “Allahu nuk ka mbetur të marrë dikë për bir. Qoftë i lavdëruar Ai! Kur vendos diçka, Ai vetëm thotë për të ‘Bëhu!’ dhe ajo bëhet.” (Merjem, 35)
Në shumë ajete të Kuranit bëhet e qartë se Hazreti Isai është rob dhe jo perëndi. (shiko: Merjem,34-36; El-Maide, 116-119; Al- Imran, 47-51; 60-61.) Fatkeqësisht, njerëzit kanë hapur debate në lidhje me këtë çështje dhe të gjitha këto probleme do të zbardhen në Ditën e Gjykimit.
“E megjithatë, sektet u përçanë në lidhje me atë. Mjerë ata që nuk besojnë për takimin e një Dite të madhe (Ditës së Kiametit)! (Merjem, 37)
Historia më e bukur e të gjithë historive dhe Hazreti Jusuf
Historia e treguar në Kuran për Hazreti Jusufin është një nga më të bukurat e historive.
Ajo është një histori mjaft e gjatë, por ne do të mjaftohemi duke përmendur pjesët që kanë lidhje me temën tonë:
Hazreti Jakupi kishte dymbëdhjetë fëmijë. Jusufi dhe Benjamini kishin një nënë, kurse të tjerët kishin një nënë tjetër. Hazreti Jakup ndjente një dashuri të veçantë për djalin e vet, Jusufin, për shkak të bukurisë që kishte dhe faktit që e kishte kuptuar që në të ardhmen do të bëhej një profet si vetë ai. Dashuria e babait për Jusufin nuk u kishte shpëtuar kujdesit të vëllezërve të tjerë. Një ditë vëllezërit ranë pre e mashtrimit të shejtanit dhe u përpoqën ta vrisnin vëllanë e tyre. I morën leje babait për ta marrë Hazreti Jusufin me vete në një vend të largët dhe pastaj e hollën në një pus. Allahu (xh.sh.), nuk e braktisi Hazreti Jusufin. Ai bëri që një karvan që kalonte andej ta nxirrte nga pusi dhe pastaj ta dërgonte në Egjipt. Atje sundimtari i Egjiptit e bleu me një çmim shumë të ulët në një nga pazaret e vendit. Pas kësaj, Hazreti Jusufi filloi që të punonte si shërbëtor në pallatin e mbretit. Me kalimin e ditëve, bukuria e tij dilte gjithmonë e më shumë në pah dhe tendenca e grave për t’u tërhequr nga ai rritej. Një ditë gruaja e sundimtarit (Zulejhaja) nuk i bëri dot më ballë kësaj dëshire dhe e ftoi në zina duke qenë se ai ishte një rob. Vijimin e kësaj historie le ta kujtojmë me anë të ajeteve kuranore:
“Por ajo, në shtëpinë e së cilës gjendej ai, nisi ta joshë në kundërshtim me dëshirën e tij. Ajo ia mbylli të gjitha dyert dhe tha: “Jam e gatshme për ty!” Kurse ai tha: “Allahu më ruajtë! Me të vërtetë, Zoti im ka treguar kujdes për mua dhe, pa dyshim, keqbërësit nuk do të shpëtojnë kurrë”.
Ajo e dëshiroi atë; por edhe Jusufi do ta kishte dëshiruar atë, sikur të mos kishte parë provën e Zotit të vet. Kështu e larguam nga e keqja dhe vepra e shëmtuar, sepse ai, në të vërtetë, ishte nga robërit Tanë të sinqertë.” (Jusuf, 24-25)
Jusufi (a.s.), u ka bërë ballë të gjitha shqetësimeve të kësaj bote dhe ka zgjedhur rrugën e nënshtrimit ndaj urdhrave të Allahut. Ai me bindje të plotë ka thënë:
“Unë kam frikë nga Allahu!..”
Hazreti Jusufi zgjodhi të kalbej në burg dhe nuk ra pre e bukurisë së gruas dhe Allahu e shpërbleu duke e shpëtuar nga burgu për ta bërë sundimtar të Egjiptit.
Rolet e kësaj historie mund të ndryshojnë në varësi të kohës dhe të kushteve. Nganjëherë është gruaja ajo që përpiqet të tërheqë mashkullin e nganjëherë ndodh e kundërta. Detyra e besimtares dhe besimtarit është që të mos bëhet pre e këtyre mashtrimeve dhe të mos frikësohet, sepse Allahu nuk e lë pa ndihmë njeriun që zbaton rregullat e fesë së drejtë. Pejgamberi ynë i nderuar ka thënë:
“Njeriut që dëshiron të jetë i dëlirë Allahu i dhuron dëlirësi.” (Buhari, Rikak, 20.)
Një çështje kuptohet kur e krahason me të kundërtën e saj
Rregulli i përdorur në Kuran, me qëllimin e shpjegimit sa më të kuptueshëm të një çështjeje është vendosja e të bardhës pranë të zezës, e Xhenetit pranë Xhehenemit dhe e ndershmërisë pranë veseve të këqija. Një popull që është dhënë si shembull i veseve të këqija të njerëzve është populli i Lutit. Ata kanë filluar një veprim që nuk e kishte bërë askush para tyre. (El-Araf, 80; El-Ankebut, 27.) Pjesëtarët e popullit të Lutit i kishin lënë bashkëshortët e tyre dhe kishin filluar të mbanin marrëdhënie me njerëzit e të njëjtës gjini. Ata kishin ecur aq përpara në paturpësinë e tyre, sa u kishin kërkuar që të largoheshin njerëzve të cilët nuk e kishin marrë këtë ves. (shiko: En-Neml, 56.)
Në Kuran përmenden edhe dy gra të tjera si shembull i besimit të dobët dhe moralit të ulët: gruaja e Hazreti Nuhut dhe gruaja e Hazreti Lutit. (Shiko: Et- Tahrim, 10; En-Neml, 57.)
O Zoti ynë!..
Dua ta mbyll këtë shkrim me një dua të Pejgamberit tonë të nderuar:
“O Allah! Kërkoj nga Ti: shpëtim, moral të lartë dhe dëlirësi.” (Myslim, Zikir, 72.)
Fatma Nur Xhihan

