O njerëz! Pendohuni tek Allahu dhe kërkoni falje prej Tij
Egar Ibni Jesar el-Muzeni (r.a.), transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë: “O njerëz! Pendohuni tek Allahu dhe kërkoni falje prej Tij, sepse unë pendohem njëqind herë në ditë.” (Muslim, Dhikr, 42. Shih. Ibni Maxhe, Edeb, 57.) Egar…
Publikuar:

Egar Ibni Jesar el-Muzeni (r.a.), transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë:
“O njerëz! Pendohuni tek Allahu dhe kërkoni falje prej Tij, sepse unë pendohem njëqind herë në ditë.”
(Muslim, Dhikr, 42. Shih. Ibni Maxhe, Edeb, 57.)
Egar Ibni Jesar el-Muzeni (r.a.).
Dihet se ai ka qenë prej të parëve që ka emigruar në Medinë dhe përmendej me emrin e prejardhjes së tij, el-Xhuheni. Prej tij kanë marrë hadithe Ibni Omeri, Muavije Ibni Kurre dhe Ebu Burde (r.anhum). Në lidhje me Egarin (r.a.), nuk ka shumë të dhëna. Ai ka transmetuar tre hadithe, dy prej të cilëve janë në lidhje me teuben dhe istigfarin.
Allahu qoftë i kënaqur me të!
Shpjegime
Fakti që ky Hadith fillon me shprehjen, “O njerëz!”, tregon se ai i fton të gjithë njerëzit drejt teubes dhe istigfarit. Disa dijetarë, duke u nisur nga ajeti që përmendëm në fillim të temës, “…Dhe të gjithë pendohuni tek Allahu, o besimtarë!..”, janë të mendimit se edhe shprehja “o njerëz!”, i drejtohet besimtarëve.
Thirrja për të bërë teube dhe istigfar, që i Dërguari i Allahut (a.s.), ia drejton të gjithëve me shprehjen, “o njerëz!”, normalisht përfshin edhe çdo besimtar. Në çfarëdo niveli shpirtëror qofshin, të gjithë njerëzit e kanë për detyrë të kërkojnë falje nga Allahu i Madhëruar, sepse asnjë qenie nuk mund ta kryejë dot në mënyrë të përsosur detyrën e devotshmërisë që ka ndaj Tij. Dhe, për shkak të këtyre të metave, kërkimi i faljes dhe mëshirës, është një detyrë e devotshmërisë. Teubeja dhe istigfari nënkupton se njeriu i pranon gabimet e veta, e njeh Zotin e vet dhe madhështinë e Tij, e ndjen se është i nevojshëm për Zotin e tij dhe në këtë mënyrë dëshiron të ngrihet shpirtërisht.
Në Hadithin e mëparshëm, transmetohet se i Dërguari i Allahut (a.s.), bënte më tepër se shtatëdhjetë herë teube dhe istigfar. Ndërsa në këtë Hadith, numri ditor i teubeve dhe istigfareve, është njëqind fiks. Pra, ai jepet në mënyrë të prerë, pa asnjë mëdyshje. Siç do të shihet edhe në Hadithin me numër 1876, Abdullah Ibni Omeri (r.a.), transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s.), gjatë një mbledhjeje ka thënë njëqind herë:
“Rabbigfir-li ue tub alejje, inneke ente’t-teuuabu’r-Rahim / O Zot! Më fal mua dhe ma prano teuben! Padyshim se Ti i pranon teubet dhe je i mëshirshëm!” Ndërsa sahabët i numëruan të gjitha. Për rrjedhojë, ky dhe Hadithi para këtij, tregon me anë të praktikës së Profetit tonë (a.s.), i cili është shembulli ynë i pakundërshtueshëm, se UmmetUmmeti i Muhamedit (a.s.), është i ngarkuar me detyrën për të bërë teube. Përderisa askush nuk është më lart se pozita e Profetit (a.s.), atëherë të gjithë kanë nevojë të bëjnë teube.
Mësimet që nxjerrim prej Hadithit:
1. Përfundimet e nxjerra nga Hadithi i mëparshëm, vlejnë edhe për këtë Hadith.
2. Istigfari nuk ka ndonjë numër të caktuar. Numrat shtatëdhjetë dhe njëqind, janë përmendur me qëllim që të bëhet sa më shumë istigfar. Por për ne, sasia më e vogël e teubes dhe istigfarit, duhet të jetë njëqind në ditë.

