O besimtarë! Frikësojuni Allahut dhe bëhuni me ata që janë të sinqertë
Abdullah Ibni Ka’b Ibni Malik, që ka marrë përsipër shoqërimin e babait të tij (Ka’b Ibni Malikut r.a.) kur ai humbi shikimin, ka thënë: E kam dëgjuar Ka’b Ibni Malikun (r.a.), kur po tregonte ato që i kishin ndodhur atëherë…
Publikuar:

Abdullah Ibni Ka’b Ibni Malik, që ka marrë përsipër shoqërimin e babait të tij (Ka’b Ibni Malikut r.a.) kur ai humbi shikimin, ka thënë:
E kam dëgjuar Ka’b Ibni Malikun (r.a.), kur po tregonte ato që i kishin ndodhur atëherë kur ai nuk mori pjesë në betejën e Tebukut bashkë me të Dërguarin e Allahut (a.s.):
Prej të gjitha betejave që zhvilloi i Dërguari i Allahut (a.s.), nuk kam marrë pjesë vetëm në atë të Tebukut. Në të vërtetë, nuk jam gjendur as në betejën e Bedrit. Por askush nuk u qortua për mospjesëmarrjen në atë betejë, sepse atëherë, i Dërguari i Allahut (a.s.) dhe myslimanët kishin dalë për udhë me qëllim që të ndiqnin karvanin e Kurejshëve (jo për luftë). Më në fund, Allahu i Madhëruar i solli myslimanët ballë përballë me armiqtë, ndërkohë që midis tyre nuk ishte marrë asnjë vendim (për luftë). Mirëpo, natën kur u bë Besatimi i Akabes, unë isha pranë Profetit (a.s.), ndërkohë që po i jepnim besën për të ndihmuar Islamin. Edhe pse ndër popull beteja e Bedrit ishte më e famshme se nata e Akabes, unë nuk e konsideroj më të madhe pjesëmarrjen në Bedër në krahasim me pjesëmarrjen në Akabe.
Ndërsa mospjesëmarrja ime në betejën e Tebukut së bashku me të Dërguarin e Allahut (a.s.), ndodhi kështu:
Unë nuk kam qenë kurrë më i fortë dhe më i pasur se sa gjatë kohës së kësaj beteje, në të cilën nuk mora pjesë. Për Allahun, para betejës së Tebukut, nuk kam arritur t’i bëj bashkë dy deve. Ndërsa gjatë kësaj beteje, zotëroja dy deve. Përveç kësaj, kur i Dërguari i Allahut (a.s.), përgatitej për një betejë, ai nuk e rrëfente qëllimin dhe, për këtë arsye, pandehej se po shkohej në një vend tjetër. Mirëpo, për shkak se kjo betejë do të zhvillohej në një periudhë të nxehtë, në një vend të largët dhe kundër një armiku me ushtri të madhe, Profeti (a.s.), e bëri të ditur situatën. Pra, me qëllim që myslimanët të përgatiteshin në bazë të kushteve të luftës, ai i tregoi myslimanëve se ku do të shkonin. Numri i myslimanëve që do të shkonin bashkë me të Dërguarin e Allahut (a.s.), ishte mjaft i madh. Aq, sa ishte e pamundur t’i shënoje emrat e tyre në një fletore.
Ka’bi (r.a.), e vazhdon kështu tregimin e tij:
Nëse humbje nga sytë për të mos marrë pjesë në luftë dhe nuk zbriste ndonjë ajet në lidhje me këtë, mund të pandehej se kjo punë mund të mbeste e fshehur. I Dërguari i Allahut (a.s.), këtë betejë po e zhvillonte në një sezon kur ishin pjekur frutat dhe kërkoheshin hijet. E, unë isha shumë i dhënë pas këtyre. Profeti (a.s.), me myslimanët e tjerë, filluan përgatitjet për luftë. Edhe unë dilja bashkë me ta për t’u përgatitur për luftë, por kthehesha pa bërë asgjë. Ndërsa me vete thosha: “Kur të ndodhë do përgatitem”. Kështu kaluan ditët. Të gjithë u treguan seriozë në këtë çështje dhe, një mëngjes, myslimanët dolën herët për udhë bashkë me të Dërguarin e Allahut (a.s.). Mirëpo unë nuk isha përgatitur ende. Në mëngjes dola herët nga shtëpia dhe u ktheva përsëri pa bërë asgjë. Unë vazhdoja të veproja në të njëjtën mënyrë. Beteja nuk kishte filluar ende, por luftëtarët kishin bërë goxha rrugë. Njëherë thashë, po dal e po i arrij. Ah sikur të kisha vepruar ashtu. Por as këtë nuk e bëra. Kur dola mes njerëzve, pasi i Dërguari i Allahut (a.s.), kishte ikur në luftë, ajo që më hidhëroi më shumë, ishte fakti se ata që kishin mbetur pas e nuk kishin shkuar në luftë, ishin ose ata që njiheshin si dyfytyrësh, ose të dobëtit që nuk merrnin dot pjesë në luftë.
Derisa kanë arritur në Tebuk, i Dërguari i Allahut (a.s.), nuk e kishte përmendur fare emrin tim. Por, kur ishte ulur midis sahabëve në Tebuk, pyeti:
“Çfarë bëri Ka’b Ibni Maliku?” Një person nga fisi Beni Selime, tha:
“O i Dërguar i Allahut! Mburrja me rrobat e tij, duke i parë djathtas e majtas, e mbajti në Medinë!” Për këtë arsye, Muadh Ibni Xhebel (r.a.), i tha:
“Sa keq fole!” Më pas, duke u kthyer nga i Dërguari i Allahut (a.s.), tha:
“O i Dërguar i Allahut! Ne për të dimë vetëm gjëra të mira.” Profeti (a.s.), nuk kishte thënë asgjë. Por, atë moment kishte parë nga larg një njeri të veshur me të bardha që po afrohej dhe tha:
“Ah sikur të ishte Ebu Hajtheme.” Por ç’të shihnin, njeriu që po vinte ishte me të vërtetë Ebu Hajtheme el-Ensari (r.a.).
Ebu Hajtheme (r.a.), më parë ishte tallur nga dyfytyrëshit për shkak se (gjatë një përgatitjeje për luftë) kishte dhënë vetëm një sasi hurmash.
Ka’bi (r.a.), vazhdon të tregojë:
Kur mora vesh se i Dërguari i Allahut (a.s.), ishte nisur nga Tebuku për në Medinë, më kaploi një mërzi. Atëherë fillova të mendoja për gënjeshtrën që do të thosha. E thashë me vete, “si do të shpëtoj nesër prej zemërimit të tij?”. U mundova të merrja mendimin e dikujt prej të afërmve, të cilët i vlerësoja. Kur thanë se i Dërguari i Allahut (a.s.), është duke mbërritur, mendimet e kota në mendjen time u zhdukën menjëherë. Aty kuptova se nuk mund të shpëtoja prej tij. Prandaj vendosa të thosha të vërtetën. Në mëngjes, i Dërguari i Allahut (a.s.), erdhi në Medinë. (Zakonisht) Kur kthehej nga beteja, në fillim falte dy rekat namaz në Xhaminë e tij, pastaj ulej midis popullit. Dhe kështu veproi përsëri… Atë moment, para tij dolën ata që nuk kishin marrë pjesë në luftë dhe filluan të tregonin duke u betuar arsyet sipas tyre.. Këta ishin më tepër se tetëdhjetë vetë dhe, Profeti (a.s.), i pranoi arsyetimet e tyre, duke marrë edhe besën prej tyre. Më pas, ai iu lut Allahut të Madhëruar për faljen e tyre dhe brendësinë e zemrave të tyre ia la në dorë Atij. Në fund erdha unë. Kur i dhashë selam, buzëqeshi me mëri. Më pas tha:
“Eja!” Unë eca, iu afrova dhe u ula para tij. Ai më tha:
“Përse nuk more pjesë në luftë? A nuk e kishe blerë kafshën për të udhëtuar?” Thashë:
“O i Dërguar i Allahut! Betohem në Allahun se, nëse do të isha pranë dikujt tjetër përveç teje, do të arrija të shpëtoja prej zemërimit të tij në sajë të arsyetimeve që do të bëja, sepse unë jam i aftë t’ua imponoj mendimin tim të tjerëve. Mirëpo, përsëri betohem në Allahun se, edhe nëse sot e fitoj zemrën tënde duke thënë gënjeshtra, Allahu i Madhëruar do ta bëjë të ditur të vërtetën dhe ti do të hidhërohesh me mua. Por nëse të them të vërtetën, ti do të zemërohesh me mua. Megjithatë, unë do të them të vërtetën dhe pres rezultat të mirë prej Allahut. Për Allahun, unë nuk kisha asnjë pretekst për të mos marrë pjesë në luftë. Dhe asnjëherë nuk kam qenë më i fortë dhe më i pasur se sa në kohën kur nuk mora pjesë në luftë.
Ka’bi (r.a.), vazhdon:
Pas kësaj, i Dërguari i Allahut (a.s.), tha:
“Ja, ky tha të vërtetën. Tani ngrihu dhe prit derisa Allahu të gjykojë në lidhje me ty!” Kur u ngrita, disa persona nga fisi Beni Selime, më erdhën pranë dhe më thanë:
“Për Allahun, ne nuk dimë që ti të kesh bërë ndonjë faj më parë. Nuk mund të thoshe ndonjë arsyetim, siç vepruan ata që nuk morën pjesë në luftë!? Mjaftonte vetëm që i Dërguari i Allahut të kërkonte falje për gjynahet e tua.”
Ka’bi tha:
Ata më qortuan aq shumë, sa për një moment, mendova të shkoja përsëri tek Profeti (a.s.) dhe t’i thosha që fjalët e mëparshme ishin gënjeshtra. Më pas, i pyeta ata:
“A ka kush tjetër, të cilit i është dhënë dënimi që m`u dha mua?”
“Po, përveç teje janë edhe dy persona të tjerë që kanë marrë këtë dënim. Edhe ata folën si ti dhe morën të njëjtën përgjigje.” – thanë ata.
“Kush janë ata të dy?” –pyeta unë.
“Njëri është Murare Ibni Rebi’ el-Amri, ndërsa tjetri është Hilal Ibni Umeje el-Uakifi.” – u përgjigjën ata, duke përmendur emrat e këtyre dy personave shembullorë, të cilët kishin marrë pjesë në betejën e Bedrit. Pas kësaj, unë hoqa dorë nga mendimi për t’u kthyer përsëri tek Profeti (a.s.) dhe vazhdova rrugën.
Prej të gjithë atyre që nuk morën pjesë në luftë, i Dërguari i Allahut (a.s.), vetëm për ne të tre dha urdhër që të mos na fliste kush. Për rrjedhojë, njerëzit ngurronin të flisnin me ne, ose ndërruan mënyrën e sjelljes me ne. Madje, për mua, ndryshoi edhe sipërfaqja e tokës. Dukej sikur këtu nuk ishte më atdheu im. Kështu kaluan pesëdhjetë ditë. Dy shokët e mi, ulën kokat dhe qëndruan në shtëpitë e tyre duke qarë. Ndërsa unë isha më i ri dhe më rezistent se ata. Unë dilja jashtë, falja namaz me xhemat dhe shëtisja në treg. Mirëpo, askush nuk fliste me mua. Pas namazit, shkoja pranë të Dërguarit të Allahut (a.s.), në vendin ku qëndronte ulur dhe i jepja selam. Më pas, pyesja veten: “Vallë i lëvizi buzët kur më ktheu selamin, apo jo?”. Pastaj, falja namaz në një vend pranë tij dhe e shikoja atë pa u vënë re. Kur unë përqendrohesha në namaz, ai kthehej nga unë, e kur e shikoja unë, ai kthente fytyrën.
Qëndrimet e ashpra të myslimanëve ndaj meje vazhduan gjatë. Prandaj unë shkova tek kopshti i djalit të xhaxhait dhe njeriut që e doja më shumë, Ebu Katades (r.a.), kalova murin dhe i dhashë selam. Por, për Allahun, ai nuk ma ktheu selamin. Unë e pyeta:
“Ebu Katade! Po të pyes duke përmendur emrin e Allahut. A e di se sa e dua Allahun dhe të Dërguarin (a.s.)?” Ai nuk ktheu fare përgjigje. E përmenda përsëri Allahun dhe pyeta prapë. Por ai nuk u përgjigj. Kur u betova edhe njëherë, tha:
“Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë!” Pas këtyre fjalëve, nga sytë e mi rrodhën lot. U ktheva pas dhe kalova murin.
Një ditë, isha duke shëtitur në pazarin e Medinës. Një bujk prej Shamit, i cili kishte ardhur në Medinë për të shitur ushqime, pyeti:
“Kush ma tregon Ka’b Ibni Malikun?” Njerëzit më treguan mua. Ai erdhi tek unë dhe më dha një letër prej sundimtarit të Gassanit. Unë dija shkrim e lexim. E hapa letrën dhe e lexova. Pas selamit, thoshte:
“Me sa kemi dëgjuar, zotëria juaj ju ka mërzitur. Allahu nuk të ka krijuar që ti të jetosh në një vend ku nuk të dihet vlera dhe ku të shkelen të drejtat. Eja menjëherë tek ne, të të nderojmë!”
Pasi lexova letrën, thashë me vete, “edhe ky, hall më vete”. Prandaj e hodha menjëherë letrën në zjarr dhe e dogja.
Kishin kaluar dyzetë prej pesëdhjetë ditëve, por ende nuk kishte ardhur Shpallje. Një ditë, erdhi një person, të cilin e kishte dërguar Profeti (a.s.) dhe më tha:
“I Dërguari i Allahut (a.s.), të urdhëron të qëndrosh larg gruas tënde!”
“A mos do ta ndaj atë, apo si?” –pyeta unë.
“Jo, do të qëndrosh larg saj dhe nuk do t’i afrohesh!” –tha ai. I Dërguari i Allahut (a.s.), kishte dhënë të njëjtin urdhër edhe për dy shokët e tjerë. Për këtë arsye, i thashë gruas:
“Shko pranë familjes tënde dhe qëndro atje derisa Allahu i Madhëruar të vendosë në lidhje me këtë çështje!”
Gruaja e Hilal Ibni Umejes (r.a.), kishte shkuar tek i Dërguari i Allahut (a.s.) dhe e kishte pyetur:
“O i Dërguari i Allahut! Hilal Ibni Umeje është i moshuar dhe nuk ka as shërbëtor që të kujdeset për të. A ka ndonjë problem nëse i shërbej atij?” Profeti (a.s.), kishte thënë:
“Jo, nuk ka. Por ai s’duhet të të afrohet!” Më pas, gruaja ka thënë:
“Për Allahun, ai nuk ka fuqi të lëvizë fare. Betohem në Allahun se, qëkur ka filluar kjo gjë, ai qan papushim.”
Ka’bi (r.a.), vazhdon të tregojë:
Një nga të afërmit e mi më tha:
“A nuk bën t’i kërkosh të Dërguarit të Allahut, që edhe gruaja jote të të shërbejë!? Pa shiko, ai i ka dhënë leje gruas së Hilal Ibni Umejes, që të kujdeset për të.”
“Jo, nuk mund t’i kërkojë leje Profetit (a.s.), në lidhje me këtë çështje. Mbi të gjitha, unë jam i ri. Edhe sikur t’i kërkoj leje, nuk e di se çfarë mund të më thotë Profeti (a.s.).” -thashë unë.
Qëndrova edhe dhjetë ditë të tjera në këtë gjendje. Qëkur u ndalua që të flitej me ne e këtej, kishin kaluar fiks pesëdhjetë ditë. Në mëngjesin e natës së pesëdhjetë, unë e fala namazin e sabahut në një prej tarracave të shtëpive tona. Siç shprehej edhe Allahu i Madhëruar (në Kuran), mua më ishte mërzitur shpirti dhe gjithë ajo tokë e gjerë më dukej shumë e ngushtë. Kur po qëndroja ulur në këtë gjendje, dëgjova një person që thërriste me gjithë forcën që kishte, që prej majës së kodrës Sel:
“Ka’b Ibni Malik! Lajm i mirë!” Aty kuptova se kishte ardhur dita e shpëtimit prej vështirësive dhe rashë menjëherë në sexhde.
Kur i Dërguari i Allahut (a.s.), kishte falur namazin e sabahut, kishte bërë të ditur se Allahu i Madhëruar i kishte pranuar teubet tona. Për këtë arsye, populli kishte nxituar të na jepte lajmin e mirë. Edhe dy shokëve të mi u kishin vajtur lajmëtarë, njëri prej të cilëve, e kishte ngarë kalin drejt e tek unë.
Një lajmëtar tjetër prej fisit Eslem, ishte ngjitur në kodrën Sel dhe zëri i tij, mbërriti tek unë para kalorësit. Kur lajmëtari, të cilit i dëgjova zërin, erdhi tek unë dhe më përgëzoi, unë e hoqa rrobën që kisha mbi supe dhe ia vesha atij në shenjë falënderimi. Për Zotin, atë ditë nuk kisha rrobë tjetër për të veshur. Gjeta një rrobe borxh, e vesha menjëherë dhe dola në udhë për t’u takuar me të Dërguarin e Allahut (a.s.). Sahabët që më pritën grupe-grupe, më uruan për pranimin e teubes, duke më thënë: “Urime për faljen e Allahut të Madhëruar!”.
Më në fund hyra në xhami, ku i Dërguari i Allahut (a.s.), ishte ulur midis sahabëve. Talha Ibni Ubejdullah (r.a.), u ngrit menjëherë në këmbë, erdhi me vrap pranë meje, më shtrëngoi dorën dhe më uroi. Për Allahun, përveç tij, askush tjetër prej muhaxhirëve nuk u ngrit në këmbë.
Transmetuesi thotë se, Ka’bi (r.a.), nuk e harronte kurrë këtë veprim të Talhas (r.a.).
Ka’bi (r.a.), e vazhdon kështu fjalën e tij:
Kur i dhashë selam të Dërguarit të Allahut (a.s.), në fytyrën e tij që shndriste prej gëzimit, tha:
“Urime për këtë ditë të bekuar që ke përjetuar që kur ke ardhur në këtë botë!” Ndërsa unë pyeta:
“O i Dërguar i Allahut! Ky urim, është nga ti, apo nga Allahu?” I Dërguari i Allahut (a.s.), tha:
“Nuk është nga unë, por nga Allahu i Madhëruar.” Kur Profeti (a.s.) gëzohej, fytyra e tij shndriste dhe ngjante si hënë. Kështu e kuptonim ne kur ai gëzohej. Më pas, kur u ula para të Dërguarit të Allahut (a.s.), thashë:
“O i Dërguar i Allahut! Si falënderim për pranimin e teubes time, dëshiroj ta ndaj pasurinë time për të varfrit për hir të Allahut dhe të Dërguari të Tij.” Profeti (a.s.), tha:
“Është më mirë për ty që një pjesë të pasurisë të mos e shpërndash, por ta mbash për vete.” Ndërsa unë, i thashë:
“Atëherë po mbaj pjesën që më ka takuar prej çlirimit të Hajberit.” Më pas e vazhdova kështu fjalën time:
“O i Dërguar i Allahut! Allahu i Madhëruar më shpëtoi për shkak se thash të drejtën. Prandaj, për shkak të pranimit të teubes sime, tani e tutje sa të jem gjallë do të flas vetëm drejt.”
Dhe, për Allahun, që prej ditës kur ia thashë këtë të Dërguarit të Allahut (a.s.), nuk njoh askënd tjetër që Allahu ta ketë shpërblyer më bukur se sa mua për shkak të të qenit fjaldrejtë. Betohem se, që kur ia kam thënë Profetit (a.s.), ato fjalë, e deri më sot, nuk kam thënë asnjë gënjeshtër me vetëdije. Shpresoj që Allahu të më ruajë nga thënia e gënjeshtrave edhe gjatë pjesës së jetës që më ka mbetur.
Ka’bi (r.a.), vazhdoi të thotë:
Në këtë rast, Allahu i Madhëruar ka zbritur këto ajete fisnike:
“Pa dyshim, Allahu e pranoi pendimin e të Dërguarit, të muhaxhirëve dhe të ensarëve, të cilët shkuan pas atij në çastin e vështirë, pasi zemrat e disave prej tyre për një fije qenë afër shmangies (nga detyra), pastaj Allahu pranoi pendimin e tyre. Vërtet, Ai është i Butë dhe i Mëshirshëm me ta.
Ai ua pranoi pendimin edhe atyre të treve që mbetën prapa, atëherë kur toka, sado e gjerë, iu duk e ngushtë dhe iu shtrënguan shpirtrat, aq sa u bindën se nuk ka strehim tjetër përveç Allahut e pastaj Allahu u dha mëshirë që të pendohen. Me të vërtetë, Allahu pranon pendimin dhe është Mëshirëplotë.
O besimtarë! Frikësojuni Allahut dhe bëhuni me ata që janë të sinqertë (në fjalë dhe në vepra)!” [Teube, 117-119.]
Ka’bi (r.a.), vazhdoi:
Betohem në Allahun se, pasi më ka nderuar me Islam, mirësia më e madhe që më ka dhënë Allahu, është thënia e të drejtës para të Dërguarit të Tij (a.s.) dhe ruajtja nga shkatërrimi duke mos thënë gënjeshtra. Kjo, sepse kur Allahu i Madhëruar zbriti Shpallje në lidhje me gënjeshtarët, ka thënë fjalë të cilat nuk ia ka thënë askujt tjetër dhe ka urdhëruar:
“Kur të ktheheni tek ata, do t’ju betohen për Allahun që t’i lini. Largohuni prej tyre! Ata janë të ndyrë dhe strehimi i tyre është Xhehenemi. Ky është dënimi për veprat e tyre. Ata do t’ju betohen që të jeni të kënaqur me ata. Nëse ju do të jeni të kënaqur me ata, dijeni se Allahu sigurisht që nuk është i kënaqur me popullin e pabindur.” [Teube, 95-96.]
Ka’bi (r.a.), vazhdoi të tregojë:
Falja e ne të treve, ndodhi (pesëdhjetë ditë) pasi i Dërguari i Allahut (a.s.), kishte pranuar përbetimet dhe besën e të tjerëve dhe pasi ata ishin falur me lutjen e tij drejtuar Allahut të Madhëruar për faljen e tyre. Ndërsa qëndrimin që do të mbante ndaj nesh, e kishte shtyrë derisa Allahu i Madhëruar të vendoste në lidhje me ne.
Siç u tregua, më në fund Allahu i Madhëruar e dha gjykimin e Tij. Shprehja, “…që mbetën prapa atëherë…”, e cila përmendet në ajet, nuk ka për qëllim faktin që ne “mbetëm pas, e nuk shkuam në luftë”. Kjo ka të bëjë me shtyrjen e qëndrimit që do të mbahej ndaj nesh, pasi i Dërguari i Allahut (a.s.), i kishte pranuar pretekstet dhe betimet e atyre që shkuan më parë tek ai.
(Buhari, Megazi, 79; Muslim, Teube, 53. Shih. Tirmidhi, Tefsiru Sure 9.)
Në një transmetim tjetër shënohet edhe kjo:
“I Dërguari i Allahut (a.s.), doli në betejën e Tebukut ditën e enjte. Ai preferonte të enjten për të dalë në luftë.”
(Buhari, Xhihad, 103.)
Ndërsa në një transmetim tjetër shënohet:
“Prej luftës kthehej patjetër në kohën e paradites. E kur kthehej, puna e parë që bënte ishte shkuarja në xhami, ku falte dy rekat namaz dhe më pas ulej aty.”
(Muslim, Musafirin, 74; Ebu Daud, Xhihad, 166.)
Ka’b Ibni Malik (r.a.).
Ky sahab i nderuar, ka qenë një prej tre poetëve të famshëm të Profetit (a.s.). Ai ishte prej Medinës dhe i përkiste fisit Hazrexh. Po ashtu, ai ka qenë edhe njëri prej fatlumëve që janë gjendur në Besatimin e Dytë të Akabes, të cilët e kanë ftuar të Dërguarin e Allahut (a.s.), në Medinë. Fakti që ai ishte një prej tre shokëve, të cilët nuk morën pjesë në betejën e Tebukut dhe që ju pranua pendimi pas pesëdhjetë ditësh bojkoti, duke u zbritur ajet i posaçëm për ta, ia shtoi edhe më tepër famën.
Pas Hixhretit (emigrimit), kur i Dërguari i Allahut (a.s.), i shpalli vëllezër muhaxhirët e Mekës me ensarët e Medinës, Ka’bin (r.a.), e shpalli vëlla të Talha Ibni Ubejdullahut (r.a.), i cili ka qenë edhe njëri prej dhjetë sahabëve të përgëzuar me Xhenet. Siç e pamë edhe në këtë Hadith, kur erdhi falja Hyjnore dhe Ka’bi doli para të Dërguarit të Allahut (a.s.), vetëm Talha (r.a.), u ngrit në këmbë dhe i shkoi pranë me vrap. Pra, kjo vëllazëri ishte shkaku që ai shkoi me entuziazëm pranë tij dhe e uroi. Për rrjedhojë, edhe Ka’b Ibni Maliku (r.a.), nuk e harroi kurrë këtë veprim të tij dhe në çdo rast e ka përmendur me falënderim të madh.
Ka’bi (r.a.), nuk ka marrë pjesë vetëm në betejën e Bedrit dhe të Tebukut. Por në betejën e Uhudit luftoi me trimëri, ku mori edhe shtatëmbëdhjetë plagë. Nga kjo, kuptohet se mospjesëmarrja e tij në betejën e Tebukut, nuk ishte për shkak të frikës.
Prej tij janë transmetuar rreth tetëdhjetë hadithe. Ai ndërroi jetë në vitin 54 (674).
Allahu qoftë i kënaqur me të!
Shpjegime
Ky Hadith fisnik, është konsideruar shumë i rëndësishëm nga ana e dijetarëve Islamë. Aq, sa prej këtij Hadithi janë nxjerrë rreth pesëdhjetë gjykime të ndryshme.
Si fillim, në këtë Hadith të gjatë, theksohet rëndësia e teubes. Më pas, tregohet gjynahu i mospjesëmarrjes në luftë, kur shpallet luftë e përgjithshme. Këtë temë, do ta fillojmë duke treguar se pse ishte kaq e rëndësishme kjo betejë:
Beteja e Tebukut u zhvillua në vitin e nëntë të Hixhretit, në muajin Rexheb (Tetor 630). Atë vit, në Medinë dhe në tokat e tjera Islame, kishte kapluar një thatësirë e madhe. Kur mbreti i Bizantit, Herakliu, e kuptoi situatën, përgatiti një ushtri prej dyzetmijë ushtarësh, me qëllim që t’i jepte goditjen vdekjeprurëse myslimanëve. I Dërguari i Allahut (a.s.), e mori në kohën e duhur këtë lajm dhe, për shkak të kohës së nxehtë dhe largësisë së vendit ku do të zhvillohej beteja, Profeti (a.s.), ndryshe nga herët e tjera, e shpalli hapur se ku do të bëhej lufta. Dyfytyrëshit mes myslimanëve, me qëllim që të thyenin vullnetin e ushtrisë, thoshin vazhdimisht se për shkak të nxehtësisë përvëluese dhe të distancës së largët që do të përshkohej, do të ishte vetëvrasje t’i dilje përballë ushtrisë së madhe të Herakliut. Kjo propagandë, ndikoi me të vërtetë tek disa persona. Por, pikërisht në këtë kohë, me qëllim që t’i paralajmërojë besimtarët, zbresin ajetet 38-41 të sures Teube:
“O besimtarë! Çfarë keni që ngurroni e mbërtheheni fort për toke kur ju thuhet: “Dilni në luftë, në rrugën e Allahut?! A jeni të kënaqur me jetën e kësaj bote, në vend të së amshueshmes?! Kënaqësia e kësaj bote, në krahasim me atë të botës tjetër, është shumë e vogël.”
Në ajetet në vazhdim urdhërohet se, nëse ata nuk e ndihmojnë të Dërguarin e Allahut (a.s.), Allahu do ta ndihmojë atë, duke dhënë shembull se si e ndihmoi Profetin (a.s.), gjatë emigrimit. Menjëherë pas këtyre ajeteve, myslimanët u mblodhën dhe filluan përgatitjet për luftë.
Gjatë përgatitjeve për këtë luftë, Omeri (r.a.), me mendimin që t’ia kalonte Ebu Bekrit (r.a.), në garën për mirësi, solli gjysmën e pasurisë. Mirëpo, Ebu Bekri (r.a.), solli të gjithë pasurinë e tij, duke treguar edhe njëherë virtytet e tij të larta. Po ashtu, Osmani (r.a.), kontribuoi me 950 deve dhe 100 kuaj. Më në fund, ushtria Islame ishte bërë gati dhe, tridhjetë mijë luftëtarë ishin nisur rrugës për në Tebuk.
Gjithashtu, në këtë betejë, kishte edhe nga ata që nuk morën dot pjesë për shkak të pamundësive materiale. Të tillë ishin shtatë myslimanë të varfër, të cilët qanë me ngashërim për këtë dhe që në historinë Islame njihen si “bekkain / ata që qanë”. Ndërsa shumica e dyfytyrëshve, nuk morën pjesë në luftë, duke nxjerrë shumë pretekste. Por më e keqja, ishte se për shkak të neglizhencës, në betejën e Tebukut nuk do të merrnin pjesë as Ka’b Ibni Maliku (r.a.), i cili përveç betejës së Bedrit kishte marrë pjesë në të gjitha betejat e Profetit (a.s.) dhe dy myslimanë të tjerë që kishin qenë edhe në betejën e Bedrit. Ata i kishte mundur egoja e tyre.
Megjithatë, myslimanët u kthyen në Medinë pa bërë luftë, për shkak se kur ushtria e krishterë mësoi se myslimanët kishin ardhur me një ushtri të madhe, nuk guxoi të përballej me ta. Pavarësisht kësaj, myslimanët hoqën vuajtje të mëdha në këtë betejë. Por, siç e pamë, beteja e Tebukut, ishte shumë e rëndësishme për fatin e Islamit. Prandaj, ishte e domosdoshme që të gjithë të merrnin pjesë në të. Në fakt, ky ishte edhe një prej shkaqeve të rëndësishme që Ka’b Ibni Malikut (r.a.) dhe dy shokëve të tij iu dha një mësim i mirë.
Tani le t’i kthehemi edhe njëherë çështjes së teubes:
Siç e shohim, në këtë Hadith theksohet edhe njëherë se, Allahu i Madhëruar kënaqet shumë prej teubes që bëhet me sinqeritet të plotë dhe i do robërit e Tij që mërziten prej gjynaheve që bëjnë, e i drejtohen Atij.
Fakti që Ka’b Ibni Maliku (r.a.), nuk u nda prej vëllezërve të fesë, edhe pse ata e bojkotuan atë për pesëdhjetë ditë rresht, madje, edhe qëndrimi i tij përreth Profetit (a.s.), duke u përpjekur t’i japë selam, e duke parë me vëmendje lëvizjen e buzëve të tij me shqetësimin se ia ktheu apo jo selamin, tregojnë qartë se sa mysliman i sinqertë ishte ai. Gjithashtu, kjo ngjarje nxjerr në pah edhe faktin se sa e tmerrshme është për një mysliman të mirë, të shkëputet prej Profetit (a.s.) dhe shoqërisë Islame, të qëndrojë larg tyre, ose të përjashtohet jashtë shoqërisë. Për rrjedhojë, nuk duhet të harrojmë kurrë se, veprimi i diçkaje që do të ndillte urrejtjen e të gjithë vëllezërve të fesë, është një gabim shumë i madh.
Po ashtu, nuk duhet harruar edhe se, shkaku kryesor që i Dërguari i Allahut (a.s.), mbajti një qëndrim kaq të ashpër në këtë ndodhi, është për të treguar se largimi prej luftës nuk është një veprim që ka të bëjë vetëm me individin, por lidhet ngushtë edhe me fatin e gjithë shoqërisë Islame. Kjo, sepse i Dërguari i Allahut (a.s.), asnjëherë nuk ka reaguar në këtë mënyrë për asnjë ngjarje që ka pasur lidhje me personin e tij. Përkundrazi, Profeti (a.s.), i ka toleruar të gjitha gabimet që janë bërë në drejtim të tij dhe i ka falur ata që kanë vepruar gabim.
Nisur nga kjo, kuptojmë se:
Njeriu mund të gabojë dhe mund të bëjë gjynahe. Sado i rëndë të jetë faji, njeriu duhet ta pranojë gabimin e vet dhe duhet të sillet drejtë ndaj Allahut të Madhëruar. Për rrjedhojë, duke e ditur se gjynahet i fal vetëm Allahu i Madhëruar, ai duhet t’i lutet e përgjërohet Atij për faljen e gabimit. Por, më e rëndësishmja, është që njeriu të mos e humbë kurrë shpresën tek Allahu dhe të mos mendojë asnjëherë se gjynahet e tij nuk mund të falen. Përkundrazi, ai duhet të shpresojë përherë, sepse Allahu i Madhëruar është Falës i madh.
Mësimet që nxjerrim prej Hadithit:
1. Myslimani duhet të jetë fjaldrejtë dhe duhet ta pranojë gabimin e tij saherë që të gabojë.
2. Një besimtar i sinqertë, duhet të mërzitet dhe të ndjejë pendesë saherë që bën një gjynah.
3. Nëse bëhet një gabim, besimtari duhet t’i kërkojë falje atij ndaj të cilit ka gabuar dhe të përpiqet t’i fitojë zemrën.
4. Kur nuk e kryen një detyrë për të cilën është përgjegjës, besimtari duhet të ndjejë keqardhje dhe duhet t’i kërkojë llogari vetes për këtë.
5. Bindja dhe respekti ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij (a.s.), duhet të jenë parësore.
6. Kur bëhet thirrja për luftë në rrugë të Allahut, sido që të jetë situata, myslimanët duhet t’i përgjigjen menjëherë kësaj thirrjeje, duke marrë pjesë në luftë dhe duke mos dezertuar në asnjë mënyrë.
7. Në këtë Hadith vihet re se sa të hapur kanë qenë sahabët karshi Profetit (a.s.) dhe se ata nuk tërhiqeshin nga thënia e së vërtetës, edhe nëse kjo do t’u shkaktonte probleme.
8. Qëllimet e fshehta të njerëzve i duhen lënë Allahut dhe nuk duhet hetuar në lidhje me diçka që ata kanë vepruar, sepse ata që nuk kanë qenë të sinqertë, me kohën do të dalin vetë në shesh.
9. Një udhëheqës, mund t’i kufizojë marrëdhëniet e myslimanëve kundrejt një myslimani tjetër, i cili nuk heq dorë nga një gjynah, ose e vepron hapur atë.
10. Fakti që Profeti (a.s.), është treguar i butë ndaj sahabëve të tij dhe është gëzuar bashkë me ta për një lajm të gëzueshëm, tregon nivelin e tij të lartë në moral.
11. Dhënia e një lajmi të mirë dikujt që do ta lumturojë ai lajm, ose urimi i dikujt që gëzohet me një lajm të mirë, është një traditë e bukur Islame. Po ashtu, traditë e mirë është edhe dhurata që dikush i bën atij që i sjell një lajm të mirë.
12. Ngritja në këmbë për një person të nderuar, është një sjellje e pranueshme nga feja jonë.
13. Kur dikush arrin një mirësi, ose shpëton prej një vështirësie, ai duhet të japë sadaka. Por, ai nuk duhet ta ndajë të gjithë pasurinë për hir të Allahut, e të mbetet nevojtar për vete.
14. Ndershmëria dhe fjala e drejtë, e shpëtojnë njeriun në të dyja botët.
15. Kush arrin një mirësi të Allahut, duhet ta tregojë gëzimin e tij dhe duhet të falënderojë Allahun për këtë mirësi.

