Nderi është fillimi i çdo gjëje - Mirësia Islame

Nderi është fillimi i çdo gjëje

Le ta fillojmë shkrimin tonë me këtë hadith të bukur: “Allahu im! Më jep mua udhëzim, devocion, nder dhe zemërgjerësi.” (Muslim, Dhiker, 72.) Pejgamberi ynë i dashur i ka kërkuar Allahut, cilësitë më të mira që një njeri mund të…


Publikuar:

Le ta fillojmë shkrimin tonë me këtë hadith të bukur:

“Allahu im! Më jep mua udhëzim, devocion, nder dhe zemërgjerësi.” (Muslim, Dhiker, 72.)

Pejgamberi ynë i dashur i ka kërkuar Allahut, cilësitë më të mira që një njeri mund të ketë…

“Udhëzimi” është çështja më e rëndësishme në jetën e një njeriu. Gjetja e rrugës së drejtë është vetëm një etapë; vështirësia më e madhe është të vazhdosh të qëndrosh në këtë rrugë deri në momentin kur dorëzon shpirtin.

“Devocioni” është një cilësi e cila tregon formimin si besimtar. Nuk mjafton të jesh besimtar, Allahu dëshiron që ne të jemi besimtarë të devotshëm.

“Nderi” është një nga përbërësit kryesorë të besimtarit. Njeriu besimtar e ka për detyrë të jetë i  ndershëm dhe i moralshëm në marrëdhëniet me njerëzit e tjerë.

Si përfundim, le të flasim për “zemërgjerësinë”; ajo është një nga virtytet më të larta të njeriut.

***

Edukata është e bukur. Edukata te një femër është edhe më e bukur. Modestia dhe edukata janë dy nga virtytet që duhet t’i ketë një femër myslimane. Edukata, modestia dhe nderi janë disa terma që e kanë burimin nga Kurani dhe hadithet; ato janë virtyte që e shtojnë bukurinë e njeriut. 

Edukata përfshin  kuptime si: ftesë, delikatesë dhe mirësjellje. Si term fjala edukatë do të thotë: “sjellje dhe veprime të njerëzishme dhe bazohen në rregullat dhe zakonet e popullit”. 

Nderi ka kuptimin: “qëndrimi larg haramit dhe ruajtja prej gjërave të shëmtuara.” Në qoftë se do ta shohim nga ana shpirtërore do të nxjerrim këtë kuptim: “virtyti që e ruan trupin nga dhënia pas kënaqësive materiale.”

Në Kuran fjala “nder” nuk përmendet, por janë përmendur fjalë të tjera me kuptime të ngjashme të cilat vlerësohen si veprime të ndershme. (Shiko: El- Bakara, 273). Në suren Nur Allahu i urdhëron njerëzit beqarë që të martohen, në qoftë se kanë mundësi, në mënyrë që të ruajnë nderin e tyre.

Resulullahu salallahu alejhi ve selem, i ka këshilluar  njerëzit të jenë të ndershëm me fjalët:

“Allahu e do robin i cili e ruan nderin e vet, edhe pse është  i varfër.” (Ibn Maxhe, Zuhd, 5.)

Besimtari duhet ta ruajë nderin e vet gjatë gjithë jetës. Nuk mund të imagjinohet një veprim i gabuar nga një njeri i cili është gjatë gjithë kohës me Zotin e vet në zemër. Nga të gjitha këto kuptojmë se ndershmëria është një nga gurët themelorë të bashkësisë njerëzore.

Në Kuran, veprimet e ndershme janë lavdëruar vazhdimisht. Hazreti Merjem, që është një nga shembujt më të mirë të gjinisë femërore, është bekuar nga Allahu për shkak të dëlirësisë që ka shfaqur:

“Edhe Merjemen, të bijën e Imranit, e cila ruajti virgjërinë e saj; Ne frymë brenda saj nga shpirti Ynë (shpirtin e Isait a.s.). Ajo u besoi fjalëve të Zotit të saj dhe librave të Tij e ishte nga të devotshmit!” (Tahrim, 12)

Në historinë islame ka shumë gra të cilat janë bërë të njohura me ndershmërinë e tyre. Një pjesë e tyre janë përmendur në Kuran dhe janë bërë shembull për të gjithë njerëzit. Disa nga gratë më të bekuara të historisë islame janë: Hazreti Merjem, Hazreti Asije, Hazreti Haxher, Hazreti Hatixhe, Hazreti Aishe dhe Hazreti Fatma. Secila prej tyre është monument morali dhe edukate.

Nëna jonë e nderuar, Hazreti Aishe është një nga gratë që ka pësuar vuajtjet më të mëdha; edhe vetë Pejgamberi ynë i dashur e kishte mbyllur zemrën e vet ndaj Hazreti Aishes në pritje të një vahji në lidhje me këtë çështje. Allahu (xh.sh.), me anë të një ajeti e mbrojti pastërtinë e Hazreti Aishes. Shpifja është një nga sprovat më të mëdha për një grua të ndershme.

Principet e gruas myslimane duhet të bazohen te Kurani dhe jo tek shoqëria që e rrethon. Me keqardhje duhet të pranojmë se virtytet më të mira janë duke humbur me kalimin e kohës dhe po zhvillohet një veprimtari sistematike për t’i zhdukur krejtësisht. Media është një nga faktorët më të dëmshëm të shoqërisë sonë. Ne nuk mund të bëjmë asgjë tjetër veçse të krijojmë një rreth mbrojtës për veten, familjen dhe të gjithë të njohurit tanë; me aq sa kemi mundësi.

Në vendin tonë është rritur shumë numri i televizioneve dhe paralelisht me to po vërehet edhe rritja e interesit ndaj internetit. Brezat e rinj janë duke pësuar shumë dëme nga i gjithë ky zhvillim i pakontrolluar.

Për qëndrimin në këmbë të familjes është e nevojshme që virtyte si morali dhe turpi të ringjallen. Kjo është diçka që kërkohet si nga tradita jonë, ashtu edhe nga feja.

Cila është zgjidhja?

A nuk do të bëjmë gjë tjetër veçse do të ankohemi?! Sigurisht që jo. Zgjidhja është shumë e qartë. Do të mundohemi të marrim të gjitha masat për të mbrojtur veten dhe shoqërinë tonë.

Në qoftë se morali i grave të një vendi prishet, atij vendi i vjen fundi. Nëna është Xhenet. Nënat janë arkitekte të shoqërisë, kujdestare të popullit. Prishja e moralit të grave është gjendja më e mjerë e një populli, prandaj edukimi i vajzave në mënyrën më të mirë të mundshme është gjëja më primare.

Një grua e cila dëshiron ta mbrojë nderin, edukatën dhe moralin e saj duhet të bëjë kujdes dhe të sillet sipas principeve të fesë islame.

Kur prishen ndjenjat prishen mendimet, kur prishen mendimet prishen veprimet dhe kur prishen veprimet ndryshojnë edhe zakonet. Le t’i shikojmë programet televizive dhe filmat e telenovelat me këtë sy. Në qoftë se shikojmë diçka e cila na mëson gjëra të bukura dhe të dobishme, mund të themi që jemi në rrugë të drejtë. Po në qoftë se këto programe na zgjojnë ndjenja negative dhe dëshira të paarsyeshme; çfarë duhet të bëjmë?! Në të tilla raste duhet të largohemi prej atyre ashtu siç largohemi nga gjarpri. 

Kur ndodhemi jashtë shtëpisë duhet të mundohemi sa më shumë që të qëndrojmë larg ambienteve ku vajzat dhe djemtë qëndrojnë me njëri- tjetrin.

Mos të nxjerrim justifikime si: “Unë kam nevojë që të jem e lirë” apo “Çfarë ndryshimi kam unë nga filania?” Gruaja duhet të jetë e matur në harxhimet që bën dhe të mos i shpenzojë paratë e familjes pa arsye. Në qoftë se ka diçka në dorë, duhet të bëjë përpjekje për ta harxhuar në rrugën e Allahut.

Njerëzit që thonë: “Në fillim le t’i japim lirinë gruas!”, le të shikojnë se në çfarë gjendjeje ndodhet femra e sotme; sa poshtë ka rënë dinjiteti dhe nderi i saj…

Nuk mund ta lartësoni njeriun vetëm duke i dhënë liri të tepërt. Njeriu është një krijesë, natyra e të cilit është krijuar për të jetuar brenda disa kornizave të caktuara; sikur të mos ishte kështu, të gjitha shtetet do të ekzistonin në mënyrë kaotike, pa ligje për t’u drejtuar. Liria e njeriut dhe fisnikëria e tij duhet të jetë brenda kufijve që ka vendosur Krijuesi ynë.

Shkurtimisht, mund të themi se gruaja e ndershme e lartëson shoqërinë. Ajo luan një rol kryesor në rritjen e brezave me karakter të bukur. Në qoftë se shqetësohemi për atë se çfarë do të na presë në botën e përtejme, në qoftë se mundohemi të ecim në rrugën e drejtë, në qoftë se dëshirojmë të shkojmë në Xhenet; le ta jetojmë jetën tonë brenda kufijve që ka vendosur feja islame.

Duaja jonë

O Allah! Na i fal të gjitha gabimet dhe gjynahet tona! “Allah, më ruaj mua nga syri që nuk loton, nga zemra që nuk tronditet, nga shpirti që nuk ndjen përkushtim, nga lutja që nuk pranohet, nga dija që nuk sjell dobi, nga fjala që nuk dëgjohet dhe nga egoja që nuk ngopet.”

Ti që ke çelësin e çdo gjëje!.. Ti që krijove botën nga asgjëja! Ti që je më i lartë se çdo gjë! Ti që urdhëron çdokënd! O Allahu im, që i mbron njerëzit që kërkojnë ndihmën Tënde.

Më ruaj mua nga dëshirat e shejtanit dhe më pastro nga gjërat e ndotura!..

 Na dhuro neve pak nga dashuria e Hazreti Muhamedit salallahu alejhi ve selem! Na largo nga mëkatet dhe gabimet që vijnë nga mungesa e dijes! Allahu im, unë të lutem vetëm Ty dhe  mbështetem vetëm tek Ti për çdo gjë!

 Allahu im! Unë kam nevojë vetëm për Ty; askush nuk mund ta shërojë zemrën time përveç Teje…

Allahu im! Një pikë nga deti Yt i bujarisë, mjafton për të gjitha shqetësimet e mia. Vetëm një grimcë nga dallgët e Tua të faljes është e mjaftueshme për mua. M’i fal të gjitha gabimet dhe mëkatet e mia. Amin! 

Copyright © 2025 - Shoqata V.H.K Istanbul | Ndalohet përdorimi dhe riprodhimi i përmbajtjes së kësaj faqeje pa leje dhe autorizim