Gëzimi i Allahut për pendimin e robit të Vet - Mirësia Islame

Gëzimi i Allahut për pendimin e robit të Vet

Shërbyesi i Profetit tonë (a.s.), Ebu Hamza Enes Ibni Malik (r.a.), transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë: “Gëzimi i Allahut për pendimin e robit të Vet, është më i madh se gëzimi i ndonjërit prej jush kur…


Publikuar:

Shërbyesi i Profetit tonë (a.s.), Ebu Hamza Enes Ibni Malik (r.a.), transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë:

“Gëzimi i Allahut për pendimin e robit të Vet, është më i madh se gëzimi i ndonjërit prej jush kur e gjen devenë e humbur në shkretëtirë.”

-Muttefekun alejhi-

(Buhari, Dauat, 4; Muslim, Teube, 1, 7, 8.)

Muslimi shënon edhe një transmetim tjetër ku thuhet:

“Gëzimi i Allahut për pendimin e robit të Vet, është më i madh se gëzimi i ndonjërit prej jush që e ka humbur devenë e tij bashkë me pijen dhe ushqimin në shkretëtirë, e që pasi e kërkon dhe e humb shpresën për ta gjetur, shkon e shtrihet nën hijen e një peme nga lodhja dhe e sheh devenë e vet duke qëndruar përpara tij. Ai ngrihet, e kap për litari dhe pa qenë i vetëdijshëm se çfarë thotë, bërtet me gëzim të madh: «O Zot! Ti je robi im, e unë jam zoti yt»!”

-Muttefekun alejhi-

(Muslim, Teube, 7. Shih. Tirmidhi, Kiamet 49, Dauat 99; Ibni Maxhe, Zuhd 30.)

Shpjegime

Në këtë Hadith fisnik, theksohet në mënyrë mahnitëse mëshira e pafundme e Allahut të Madhëruar, e cila i freskon me shpresën e faljes zemrat e përlyera me gjynahe.

Fakti që qenia më madhështore, Krijuesi i Universit, kënaqet kaq shumë kur krijesa e Tij e vogël siç është njeriu, i drejtohet dhe i përgjërohet duke i thënë, “më fal!”, në të vërtetë është shumë mahnitës. Kjo do të thotë se njeriu nuk është një krijesë e thjeshtë për Allahun. Por përkundrazi, sa më mirë ta njohë Zotin e tij, aq më i rëndësishëm bëhet. Këtë vlerë të njeriut, Shejh Galibi e shpreh me këto fjalë: “O njeri! Dije vlerën tënde, sepse ti je thelbi i kësaj bote dhe bebja e syrit të gjithësisë!”

Në disa prej transmetimeve të këtij Hadithi, të cilat na janë përcjellë nga sahabë të ndryshëm, dëshpërimi i njeriut që ka humbur devenë, na jepet në një formë më të jashtëzakonshme. Ai përshkruhet si një njeri që për të gjetur devenë e tij, vrapon sa në një kodër në tjetrën dhe, pasi nuk e gjen, tërhiqet në një hije duke thënë me vete, “tashmë nuk mund ta gjejë më devenë, do të vdes nga uria dhe etja këtu në këtë shkretëtirë”. Më pas ai mbulon fytyrën me rrobën e tij dhe rri aty duke pritur vdekjen.

Por, kthimi i shpresave për jetë, ndërkohë që pret vdekjen, është ngjarja që e gëzon më tepër njeriun. Dhe sipas Hadithit tonë, Allahu i Madhëruar gëzohet edhe më tepër se kaq kur njeriu i ngre duart dhe i përgjërohet duke kërkuar falje prej Tij.

Shprehjet e “kënaqësisë, gëzimit dhe pëlqimit” të Allahut, që përdoren në Hadith, janë në formë figurative. Shprehje të tilla, tregojnë se Allahu i Madhëruar është i kënaqur me robin e Vet dhe se do t’ia plotësojë menjëherë dëshirën atij.

Prej shembullit që jepet në këtë Hadith, kuptojmë se, kur njeriu bën një gjynah, bie në dorë të shejtanit. Dhe, ai që bie në dorë të shejtanit, është si njeriu që humbet devenë në shkretëtirë, e shkon drejt vdekjes. Mirëpo, kur ai i drejtohet Allahut me teube dhe istigfar, atëherë shpëton prej dorës së shejtanit dhe arrin faljen dhe mëshirën e Allahut.

Kreu i këtij Hadithi do të përsëritet edhe në atë  me numër 441.

Mësimet që nxjerrim prej Hadithit:

1. Allahu i Madhëruar është jashtëzakonisht i mëshirshëm ndaj robërve të Tij. Ai është i gatshëm t’i falë ata nëse i kërkojnë falje.

2. Pas çdo vështirësie, ka një lehtësi. Për këtë arsye, njeriu nuk duhet ta humbasë asnjëherë shpresën tek Allahu i Madhëruar.

3. Njeriu duhet ta llogarisë veten në mënyrë të vazhdueshme dhe duhet të pendohet për gjynahet e veta.

4. Allahu ia fal njeriut gabimet që i bën pa dashje. Prandaj edhe fjalët e gabuara të personit që u gëzua pasi gjeti devenë e humbur dhe tha, “Ti je robi im!”, nuk konsiderohen gjynah.

5. Herë pas here Profeti (a.s.), i ka shpjeguar me shembuj të tillë disa çështje të vështira për t’u kuptuar.

6. Ky Hadith fisnik i shpëton njerëzit nga dyshimi se do t’i falen apo jo gjynahet dhe shpjegon se Allahu i Madhëruar është shumë i kënaqur nga robi i Tij që bën teube. Për rrjedhojë, nuk ka asnjë motivim më të madh se ky që të çon drejt pendimit.

Copyright © 2025 - Shoqata V.H.K Istanbul | Ndalohet përdorimi dhe riprodhimi i përmbajtjes së kësaj faqeje pa leje dhe autorizim