Fëmijë të sëmurë pas blerjeve
Babai i fëmijës së vogël kishte dy muaj që kishte hyrë në burg. Nëna, vëllai dhe motra e vogël kishin mbetur pa askënd. Në fillim fqinjët i kishin ndihmuar shumë; dikush u sillte ushqim, një tjetër kujdesej për vajzën e…
Publikuar:

Babai i fëmijës së vogël kishte dy muaj që kishte hyrë në burg. Nëna, vëllai dhe motra e vogël kishin mbetur pa askënd. Në fillim fqinjët i kishin ndihmuar shumë; dikush u sillte ushqim, një tjetër kujdesej për vajzën e vogël teksa nëna shkonte në punë, por sigurisht që nuk mbahet shtëpia me miell hua. Nuk mundën t’i ndihmonin më. Qiraja dhe fatura nuk u shlye dhe pronari i shtëpisë nuk duroi më.
Nëna e re me tre fëmijë kishte mbetur në mes të rrugëve. As familja e burrit dhe as familja e vet nuk i mori në shtëpi.
Më në fund, shteti i mori në një shtëpi strehimi. Ata ndjeheshin të sigurt në këtë vend ku nuk kishin frikë nga uria dhe i ftohti. Unë po shkoja për të takuar një grua në shtëpitë e strehimit, kur u takova me të… Fëmijët e mëdhenj nuk i shqiteshin fustanit të nënës, ishin lidhur ngushtë me njëri- tjetrin. Teksa fëmijët po shikonin televizion, nëna më shpjegoi për vështirësitë që kishin hasur në jetë. Nga njëra anë shiu godiste xhamat e dritares e nga ana tjetër ishin lotët e gruas.
Fëmija i dytë vrapoi me nxitim tek nëna dhe i tha:
“Mamiiii, unë e kam ngrënë këtë njëherë!.. E kam ngrënë…”
Nëna më shpjegoi që nganjëherë e blinte një nga ky produkt dhe ua ndante fëmijëve të vet. Teksa kjo fjali e dhimbshme po përsëritej në kokën time vështrimi im u kryqëzua me atë të gruas. Fëmija shkoi me vrap pranë vëllezërve dhe të tre u zhytën në botën e reklamave. Unë po lutesha që të mos dilte më asnjë reklamë ushqimi, por fatkeqësisht një reklamë tjetër me e bukur filloi të shfaqej. Reklamë pas reklame shpirti im plagosej edhe më shumë… Nuk e kisha menduar se vuajtja në sytë e një fëmije mund të më vriste kaq shumë.
Ne ishim njerëz që i konsumonim të gjitha ato produkte që dilnin në reklama. Sa më shumë që e mendoja, aq më keq bëhej zemra ime. Ishte një dhimbje aq e madhe, saqë vendosa të mos e mendoj më, por fjalët dhe shikimin e atij djali nuk do t’i harroja kurrë:
“Unë e kam ngrënë këtë njëherë.”
Nga dashuria e madhe që kemi për fëmijët tanë kërkojmë që t’u blejmë atyre çdo gjë që dëshirojnë. Është shumë e qartë që sistemi kapitalist e ka kuptuar këtë sekret shumë kohë më parë. Bota e reklamave luan me temën e fëmijëve dhe i bën prindërit që t’u blenë atyre çdo gjë që fëmijët dëshirojnë me mendimin për t’u kujdesur sa më mirë për ta. Sigurisht që sistemi nuk ka harruar të gjejë një parullë shumë efikase: “Përdore, hidhe dhe blej një të re.”
Ne duam më të mirën dhe më të bukurën për fëmijën tonë dhe këtë gjë e justifikojmë me mëshirën që ka prindi për fëmijën. Nuk e kuptojmë se rritja e fëmijës në një pus shpenzimesh të tepërta nuk vjen nga mëshira, por nga paaftësia jonë për të kontrolluar egon tonë.
Nëna dhe babai e kanë të vështirë të kontrollojnë egon e tyre, prandaj i mësojnë edhe fëmijët me të njëjtën mënyrë jetese. Fatkeqësisht, shpenzimet e panevojshme që bëhen për lojërat, ushqimet dhe nevojat e tjera të fëmijës e ndotin botën e pastër të tij.
Sigurisht që fëmija duhet të ketë lojëra, sepse ato janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e tij, por blerja e modelit të fundit të çdo loje nuk e gëzon fëmijën, përkundrazi e mërzit më shumë. Ky veprim ndikon negativisht tek zhvillimi psikologjik i fëmijës. Ai nuk ia di vlerën asnjë gjëje dhe në momentin kur i prishet një lojë kërkon që t’i dhurohet një tjetër. Fëmija fillon të mërzitet shumë shpejt nga lojërat, nuk pranon t’i ndajë ato me të tjerët dhe bëhet egoist. Gjërat e mira që mund të fitojë një fëmijë nga dy lojëra i fiton edhe nga një lojë e vetme, kurse numri i madh i lodrave vetëm e mërzit atë.
Ushqimi është një pikë tjetër për të cilën prindërit duhet të bëjnë kujdes. Ushqimet e shëndetshme ndihmojnë zhvillimin e trurit, por nuk është aspak e nevojshme që për çdo vakt të përgatiten ushqime me shumicë. Një ose dy lloje ushqimesh janë të mjaftueshme për një vakt. Më shumë ushqime se kaq dëmtojnë trupin dhe anën shpirtërore të fëmijës. Në momentin që fëmija bëhet dëshmitar i hedhjes në kosh të ushqimeve, psikologjia e tij mësohet me shpërdorimin e produkteve.
Moda është një dukuri e cila me reklamimin e gjërave të reja nuk bën gjë tjetër veçse i hap rrugë blerjeve të pakontrolluara. Njerëzit profesionistë të modës na mësojnë se çfarë të veshim dhe falë tyre ne nuk turpërohemi para botës (!).. Rrobat e dala mode ua japim njerëzve në nevojë dhe në këtë mënyrë ndërgjegjja jonë është e pastër. Hapim vend për rroba të reja dhe vazhdojmë me blerje të pakontrolluara.
Mendohet që kinemaja dhe teatri e ndihmojnë zhvillimin e njeriut. Në fakt këto aktivitete u mësojnë fëmijëve vetëm mënyrën se si të sillen në shoqëri, por nuk arrijnë që t’i bëjnë fëmijët më të shoqërueshëm, sepse për të arritur një gjë të tillë janë të nevojshme shumë gjëra. Që fëmija të jetë i shoqërueshëm, duhet të mësohet të ndajë lodrat me shokët e vet, të përshëndesë fqinjët, të mundohet t’i kuptojë njerëzit dhe shumë gjëra të tjera. Njeriu i cili nuk mund të ndajë shtëpinë, ushqimin, ndjenjat me të tjerët nuk bëhet i shoqërueshëm. Cili njeri shkon në kinema për të krijuar shoqëri? Në këto vende fëmija mëson vetëm rregulla të tilla si: qëndrimin në qetësi, pritjen në radhë etj.
Shumë herë ne i kufizojmë dëshirat tona, në mënyrë që të plotësojmë dëshirat e fëmijëve tanë. Në qoftë se kjo sakrificë vjen nga mëshira, do t’u bëjë mirë fëmijëve, por në qoftë se vjen nga egoja jonë, atëherë u bën keq fëmijëve.
Ne si prindër duhet të llogarisim mirë gjërat që ka nevojë fëmija dhe të mos i japim më shumë se aq, sepse nesër të gjitha këto mund të kenë efekte shumë negative.

