Ebu Hamid El-Gazzali
Gazzali lindi në vitin 1058 (Hixhri 450) në Tus të krahinës së Horasanit, në vendin që sot në Iran quhet Meshhed. Në skolastikën mesjetare njihej si Abuhamet dhe Algazel. Sa do që të mendohet se me origjinë është pers, ka…
Publikuar:

Gazzali lindi në vitin 1058 (Hixhri 450) në Tus të krahinës së Horasanit, në vendin që sot në Iran quhet Meshhed. Në skolastikën mesjetare njihej si Abuhamet dhe Algazel.
Sa do që të mendohet se me origjinë është pers, ka informacione të pakta lidhur prejardhjen e familjes së tij. Ai kishte disa motra dhe një vëlla më të vogël që quhej Ahmed
Gazzali, i cili më vonë do të ishte një sufi mjaft i njohur.
Gazzali edukohet mirë, falë vullnetit të babait të vet për t’i formuar sa më mirë fëmijët. Krahas diturive teologjike ai mori mësime edhe mbi gramatikën, aritmetikën, logjikën, si dhe shkenca tjera të ndryshme. Mësimet e para i mori në qytetin Tus, nga Ahmed Ibn Muhammed er-Radegani, më pas në qytetin Xhurxhan, ku merr mësime nga Ebu Nasr el-Ismailije, ndërsa deri në moshën 28 vjeç ai studioi në Nishabur, te kelamisti i njohur i asaj kohe, Imam-ul Haremejn el- Xhuvejni.
Në vitin 1091, Nidhamul Mulku, një kryeqeveritar i Selçukëve, e emëron Gazzalin drejtor të Medresesë Nidhamije, në Bagdat. Më pas, me vrarjen e Nidhamu’l-Mulkut, Gazzali tërhiqet nga Medreseja për të bërë haxh, dhe në vitin 1106 kthehet sërish në Medresenë Nidhamije, këtë radhë në filialin e Nishaburit, ku jep mësime. Në vitin 1111 (Hixhri 505) ai rikthehet në vendin e tij të lindjes, në Tus, ku edhe ndërroi jetë brenda një kohe shumë të shkurtër.
Gazzali është një nga mendimtarët myslimanë, i cili i ka dhënë shumë vepra botës Islame. Tiflisi, mësuesi i Neveviut, tregon se sipas një përllogaritjeje të tij, i bie që Gazzali të ketë shkruar afro dyzet faqe në ditë. Muorice Bouyges mendon se Gazzali ka shkruar 404 vepra, ndërsa Bedeviu numëron 450 vepra të Gazzalit.
Veprat më të njohura të Gazzali janë:
Ihja’ ‘ulumuddin(Gjallërimi i shkencave Islame), Kimja-ji Sa’ade (Eliksiri i lumturisë), El-Munkidhu mine’d-Dalale (Qortues për rrugën e shtrembët), Mishkatu’l-envar (Feneri i ndriçuesve), Makasidu’l-felasife (Qëllimet e filozofëve), Tehafutu’l-felasife (Paradokset e filozofëve), etj.
Gazzali dhe Shkenca e Kelamit
Në librin e tij El-Munkidhu mine’d-Dalale, Gazzali shpreh rezerva ndaj metodës së Kelamit dhe kelamistëve. Ai i shikon kelamistët si të pamjaftueshëm për të mbrojtur parimet Islame. Ndërsa metodën e diskutimit (xhedel) e vlerëson si qorrsokak për të arritur tek e vërteta. Gazzali ka përshtypjen se kelamistët, në momentin kur kanë dashur të kritikojnë mendimet e grupve të devijuara, nuk kanë mundur të shpëtojnë nga ndikimi i mendimeve të kundërshtarëve. Një tjetër gabim i tyre, sipas Gazzalit, është se kelamistët dolën jashtë qëllimit të shkencës së Kelamit.
Pavarësisht disa detajeve, Gazzali mbetet në rrugën e Esh’arive. Me reformimin që ai i bëri shkencës së Kelamit, ai mundësoi fillimin e një tjetër periudhe të Kelamit: periudha e Kelamit të ri.
Gazzali dhe Filozofia
Kaotizmi mendimor dhe metoda skeptike e Gazzalit përbëjnë rëndësi të veçantë për Historinë e Filozofisë Islame. Kjo veçori përbën dallimin kryesor mes tij dhe mes kelamistëve e filozofëve të tjerë. Mënyra e tij skeptike ndahet në dy etapa: Etapa e lehtë e dyshimit dhe etapa e avancuar. Në etapën e parë bën pjesë kritika ndaj besimit imitues, ndaj atij besimi që krijohet nga imponimi familjar e më gjerë. Më pas, Gazzali zgjedh një dozë të rëndë dyshimi, gjë e cila përbën edhe etapën e dytë, atë të skepticizmit të tij. Kundërshtimi i të gjitha formave mendimore tradicionale, me qëllim arritjen tek e vërteta. Sipas tij, vetëm kjo teknikë mund ta çonte atë tek dituria e sigurtë (ilmu’l- jakin). Me një përqasje plotësisht filozofike, Gazzali kundërshton çdo dituri që fitohet nëpërmjet arsyes dhe shqisave, pasi nuk i vlerëson si të sigurta dhe bindëse dituritë që përftohen nëpërmjet tyre. Fjala vjen, syri jep informacion të gabuar kur e paraqet aq të vogël yllin në qiell, hijen si të palëvizshme, etj. Gjithashtu, dukja si e vërtetë e gjithçkaje që njeriu sheh në ëndërr, ia shton Gazzalit edhe më tepër pasigurinë ndaj arsyes, e bën edhe më konfuz.
Pas një sipërmarrje vetjake, duke lexuar për afro dy vite me radhë vepra filozofike, kryesisht të Farabi-ut, Ibn Sina-së dhe Ihvani Safa-së, Gazzali shkruan fillimisht librin Mekasidu’l-Felasife dhe më pas Tehatu’l- Felasife. Me mendimet se gjithësia është e pafundme, Allahu di tërësitë dhe jo hollësitë dhe se ringjallja pas vdekjes do të jetë vetëm shpirtërore e jo trupore, sipas Gazzalit, filozofët kanë ranë në mohim (kufr). Sidoqoftë, Gazzali ka dhënë një kontribut të vyer në filozofi me karakterin e tij kritizer.
Gazzali dhe Mistika Islame (Tasavvufi)
Gjithë ajo errësirë që krijohet brenda Gazzalit gjatë kërkimit të dijes së vërtetë, sipas tij u ndriçua në momentin kur Allahu i dha dritë (nur) zemrës së tij. Sipas Gazzalit, e vërteta e padyshimtë, e cila nuk ka nevojë për argumente, madje as për fjalë, arrihet përmes keshf-it, që do të thotë, përmes asaj drite që ta dhuron Allahu.
Gazzali njihet si mendimtari-sufi i cili bashkoi ezoterizmin me ekzoterizmin, sheriatin me hakikatin. Me përpjekjet e tij restauruese, ai ka fituar simpatinë si të ezoteristëve, ashtu edhe të ekzoteristëve.
Referencat:
Imam Gazzali, Arayıslar Kitabı (El-Munkidhu mine’d-Dalale), përkth. turqisht Osman Güman, Shtëpia botuese İlke, Stmaboll 2008
Imam Gazali, Filozofların Tutarsızlığı (Tahatut el-felasife), përkth. turqisht Bekir Sadak, Shtëpia botuese Ahsen, Stmaboll 2002
İslam Ansiklopedisi, “Gazzali”, Vol. 13, Türkiye Diyanet Vakfi, Stamboll 1996
H. Ziya Ülken, İslam Felsefesi, Shtëpia botuese Ülken, Bot. 6, Stmaboll 2004
Necip Taylan, İslam Felsefesi, Shtëpia botuese Ensar, Bot. 4, Stmaboll 2000.

