Dashuria
Bota është formuar mbi bazën e dashurisë. Ajo i ngjan pasqyrës. Nëse ju e shihni pasqyrën duke buzëqeshur edhe ajo do t’ju pasqyrojë një dashuri të ngrohtë duke ju buzëqeshur juve. Edhe lulet madje kur kujdesesh për to me dashuri,…
Publikuar:

Bota është formuar mbi bazën e dashurisë. Ajo i ngjan pasqyrës. Nëse ju e shihni pasqyrën duke buzëqeshur edhe ajo do t’ju pasqyrojë një dashuri të ngrohtë duke ju buzëqeshur juve. Edhe lulet madje kur kujdesesh për to me dashuri, edhe ato bëhen më efikase dhe ju shfaqin si shpërblim të dashurisë suaj të gjithë bukurinë e tyre. Madje edhe kafsha më e egër, e harron agresivitetin që ka në natyrë kundrejt dashurisë. Po krijesa më e nderuar, njeriu që është bebja e syrit të universit; e meriton dashurinë më shumë se çdo gjë dhe më shumë se çdokush dhe ka nevojë për dashurinë ashtu siç ka nevojë për bukë e ujë!..
Njerëzit, të cilët janë rritur të privuar nga dashuria prindërore, shquhen në shoqëri si individë të turpshëm, pa vetëbesim, ndonjëherë agresivë, shumë të ndjeshëm, përfundimisht si njerëz të trishtuar. Në bazë të statistikave që janë bërë, një pjesë e madhe e njerëzve të pamoralshëm dhe të atyre që bëjnë veprime të paligjshme, janë njerëz që janë rritur të privuar nga dashuria…
Brumi i njeriut është gatuar me dashuri. Mendoni një nënë e cila dëmton shëndetin dhe merr parasysh vdekjen e mundohet për të sjellë në jetë fëmijën; pothuajse nuk ka asgjë që nuk e bën për të!.. Nëse fëmijët janë të lumtur, edhe nëna është e lumtur. Në hadithin fisnik thuhet:
“Xheneti është nën këmbët e nënës.” (Nesai, Xhihad, 6.)
Çdo sakrificë e ka një shpagim. Nëse nënat i rrisin fëmijët e tyre si njerëz të denjë dhe të dobishëm për shoqërinë, nëse lënë pas vetes sadaka-i xharije (vepra që e vazhdojnë sevapin edhe pas vdekjes), ata e meritojnë Xhenetin. Mos kujtoni vallë se është e lehtë të fitosh Xhenetin?
Sa jetëgjata mund të jenë punët që bëhen nën presion dhe dhunë? Veprat dhe sjelljet më të vogla që bëhen me dashuri, bëhen gjithmonë me zemër dhe janë të përhershme. Çdo fjalë që thuhet me dashuri, çfarëdo moshe apo çfarëdo gjuhe të ketë, çdokush e kupton. Ashtu siç shprehen më të vjetrit: “Nëse fjala del nga zemra, shkon në zemër; nëse del vetwm nga goja, nuk shkon përtej veshit.”
Para disa vitesh mësuesi im i fillores erdhi në Antalja. Me vajzën e tij njiheshim dhe kur dëgjova se kishte ardhur, e ftova në shtëpi. Pasi kujtuam ditët e shkuara, i thashë:
“Profesor, ju keni patjetër çaste të paharruara në jetë. A mund të na tregoni ndonjë?”
Ai e filloi fjalën duke thënë:
“Po, kujtime kam plot, por…”
Pastaj shtoi:
“Ishin vitet e para kur u pensionova dhe u vendosa në Kërëkkale. Nipi im do të fillonte shkollën. Djali m’u lut: ‘Baba, ti je mësues, a mund ta regjistrosh, sepse ne kemi punë?’ Mora nipin, shkova në shkollë dhe u takova me drejtorin e shkollës. Regjistrimi u bë në klasën e një mësueseje. Pas disa ditësh më thirri drejtori dhe më tha:
“Profesor, të më falësh, por mësuesja nuk e pranon nipin tuaj, prandaj do ta regjistrojmë në një klasë tjetër.”
Në aq shumë vite mësuesi nuk isha përballur me një fenomen të tillë. U habita shumë. Shkova te mësuesja për të mësuar shkakun e mospranimit. Mësuesja më pyeti?
“Profesor, a më njihni? ”
“Nuk më kujtohesh”, i thashë.
“Sigurisht që nuk ju kujtohem, por unë kurrë nuk ju kam harruar!..Kur unë shkoja në shkollë, në klasën tonë kishte një numër të tepërt nxënësish. Mësuesi ynë na mori dhe na solli te ju. Ishim dy shoqe. Të thanë të zgjidhje njërën nga ne të dyja. Ja, thatë një fjalë të cilën nuk do t’jua fal për gjithë jetën. Shikuat nga shoqja ime dhe thatë:
Tw qwndrojw kjo vajza e bukur!.. ”
Ndoshta ju nuk ishit të dijeni të gafës që bëtë, por unë gjatë gjithë jetës sime nuk e kam harruar. Kur pashë emrin tuaj në regjistrim, e refuzova duke menduar se nuk isha e sigurt nëse do të sillesha e drejtë me nipin tuaj. ”
“Kur mësova se çfarë plage të thellë i kishte hapur një njeriu ky veprim i paqëllimshëm për të cilin nuk isha në dijeni, nuk munda të mos mendoja “Kushedi sa gabime të tjera kam bwrw?”
E kujtoj me dashuri profesorin.
Para 15-20 vjetësh, bashkë me shokët shkuam në godinën ku strehoheshin fëmijët jetimë. Disa foshnja të sapolindura dhe bebe që akoma nuk kishin filluar të ecnin flinin të gjitha së bashku në një dhomë. Në fillim deshëm t’i shikonim. Disa nga ato edhe pse ishin të zgjuara, ngaqë nuk lejohej që të merreshin në krahë, qëndronin shtrirë të qeta. Dy nga bebet qanin pa pushim. Kushedi se ç’problem kishin!
Dera ishte e mbuluar dhe askush nuk donte t’ia dinte. Sikur të kishte nënën pranë, a thua do ta duronte qoftë rrjedhjen e një loti nga sytë e saj? Personeli ishte mjaft i pakët. Nuk mund t’i përballonin të gjitha. Kishte fëmijë të çdo moshe nga 2 deri në nëntë vjeç. Mes tyre kishte edhe fëmijë me probleme fizike e mendore. Dy personele që kujdeseshin me radhë për dyzetë fëmijë; edhe ato sipas mendimit të tyre ndoshta kishin të drejtë…
Në një tjetër dhomë kishte fëmijë nga dy deri në gjashtë vjeç, që nuk ishin zhvilluar së tepërmi, në të njëjtën madhësi flokësh dhe që nuk kishin kanotiere të veshur. Mund t’ua dalloje edhe gjininë nga rrobat dhe uniformat që mbanin veshur… Ashtu si zogjtë e një klloçke të dala nga makineria. Foshnja që nuk njihnin prindërit, e që ishin lënë në mëshirën e punonjëseve… Bashkë me shokët i ledhatuam foshnjat, e mora njërën në krahë dhe më shtrëngoi aq fort, faqen e mbështeti te faqja ime, duart e vockla mi hodhi në qafë. Ndërkohë një tjetër më erdhi pranë dhe më tha:
“Më merr edhe mua në krahë!”
U përkula, e mora edhe atë dhe e putha. Pas pak kohe, desha ta lë njërin për pak, por ai i mblodhi këmbët për të mos rënë në tokë dhe më shtrëngoi edhe më fort, sepse nuk donte të zbriste. Nuk mund t’i shpreh ndjenjat e atij momenti. Ato vite institucioni nuk ishte shumë i hapur dhe duheshin bërë procedura për të hyrë. Por nuk ishte gjithmonë mundësia për të shkuar. Ndoshta kishte edhe nga ata që nuk donin t’u dukeshin disa neglizhime. Një mbrëmje bashkë me disa shoqe morëm disa pasta e çokollata dhe shkuam. Sigurisht fëmijët, ngaqë nuk shikonin njerëz të ndryshëm, apo nga emocioni dhe naiviteti i fëmijërisë, u sulën te gjërat që mbanim në duar. Dolën nga kontrolli. Disa nga ata kishin ngrënë disa nga çokollatat; struktura e tyre ishte e dobët dhe u ishte dëmtuar stomaku. U takuam me kujdestaret dhe biseduam:
“Si mund t’ju ndihmojmë? Nëse keni ndonjë nevojë për punë dore apo ndonjë gjë tjetër, mund t’jua sigurojmë.”
Ata nuk ngelën shumë të kënaqura sepse menduan sikur po ndërhynim në punët e tyre. Po, shteti u kishte mundësuar atyre kushte jetese më tepër se ç’mund të kishin shumë familje në kushtet e Turqisë.
Një shoqja jonë mësuese na thoshte: “Mbrëmjeve u jepet një ditë qumësht, një ditë banane.” Ndërsa fëmijët thoshin:
“A përsëri qumësht?!”
Për sa i përket ushqimit dhe rrobave, kanë me tepricë. Por ata e kanë shpirtin të uritur!.. Kanë nevojë për dashuri; dhe kjo është pa para, por do përpjekje.
Njeriu jeton me dashuri, sakrificë dhe përpjekje. Ky është ushqimi më i domosdoshëm për njeriun dhe të gjitha gjallesat. Për fat të mirë nga ky aplikim ato që quheshin “shtëpi strehimi”, kaluan në “shtëpitë e dashurisë”. Nëse u bien si kujdestare gra të edukuara dhe nëse ato janë shumë dashamirëse, inshallah ata bëhen individë të dobishëm për shoqërinë, nuk e shohin jetën me pesimizëm, nuk ushqejnë urrejtje dhe hakmarrje ndaj njerëzve të tjerë dhe të aftë për t’u përshtatur me jetën. Tani janë të vegjël… Por vitet kalojnë aq shpejt!..
Kur mbushin tetëmbëdhjetë vjeç, janë të detyruar të largohen nga jetimorja. Ata që dëshirojnë të vazhdojnë shkollën, shteti i mbështet deri në fund, por mbështeti që në vegjëli që të jenë të suksesshëm… Në atë moshë nuk e mendojnë të ardhmen dhe në shkollë mësojnë nëse ndjejnë interesimin e duhur. Në pengesën më të vogël, ftohen nga shkolla. Disa bëhen profesionistë.
Ata që kanë kohë të lirë, qoftë në pushimet e verës, apo në dimër duhet t’i mbështesin ato ose ata jetimë e sidomos të rinjtë që mësojnë në universitete… Mes tyre ka nga ata që janë shumë të zgjuar. Të mos shkatërrohen e humbin gjitha ato kapacitete! Ashtu si një rrobaqepës i mirë qep pëlhurat e bukura…
Qe shumë e vështirë ndarja nga këta vocërrakë, të cilët ishin të uritur për dashuri e interesim. Kalova ditë të tëra nën ndikimin e asaj ndarjeje. Në çfarëdo kushtesh që të jetojmë, patjetër që gjithsecili që është i ndjeshëm ndaj kësaj, ka diçka për të bërë. Dashuria e bën njeriun të bëjë çdo gjë. Edhe nëse nuk mund të bëjmë asgjë, fjalët “Të dua!” janë fjalë më të çmuara për veshin e tyre!.. Të menduarit: “Pas meje është dikush që më do dhe mendon për mua!” do t’u japë atyre një lumturi të papërshkrueshme.
Të jetuarit e një fëmije larg vatrës së ngrohtë familjare, kushedi sa e dëmton shëndetin e tij mendor. Çiftet të cilët nuk kanë fëmijë dhe u hapin shtëpitë këtyre jetimëve, kur mësojnë se këta nuk janë prindërit e tyre të vërtetë, kemi parë shpesh se çfarë zhgënjimi pësojnë fëmijët. Po gjendja e atyre fëmijëve të cilët nuk i kanë njohur kurrë prindërit e tyre, nuk dinë se nga vijnë, kush janë dhe që kurrë në jetën e tyre nuk i kanë thënë dikujt “nënë-baba!”… Kushedi se ç’rrënim shkakton kjo gjendje në botën e tyre shpirtërore?!
Dashuria është një tërësi, por ajo ka shumë detaje. Dashuria ndaj lules, kafshës, natyrës, dashuria ndaj njeriut, të dish ta ndash atë, ndihma reciproke; të mund t’i lumturojmë personat me të cilët jemi të detyruar të ndajmë jetën, të mund të jemi sakrifikues, të mund të sillemi pa paragjykuar askënd…
Meqenëse nuk ekziston mundësia për të ardhur edhe një herë në jetë, duhet t’ua dimë vlerën çasteve që jetojmë dhe të lëmë kujtime plot dashuri në zemrat e njerëzve që do të lëmë pas… Sa bukur ka thënë poeti Muhamed Ali Eshmeli (Sejri):
“Nëse goja jote për fjalët e bukura është bërë varr,
Në ditsh gjithë gjuhët e botës, për botën je zarar,
Nëse me njerëzit të flasësh mik ti dëshiron,
Mëso një gjuhë të ëmbël, gjithkush atë e kupton.”
I falënderoj dhe u jam mirënjohës të gjithë atyre që e vlerësojnë njeriun, përpiqen, janë arkitektë të jetës sonë dhe që janë njerëz plot dashuri…
Elif Menxhet

