Udhëzuesit e kohërave moderne - Mirësia Islame

Udhëzuesit e kohërave moderne

“Problemet më të mëdha të njerëzve të kohës sonë janë shqetësimet shpirtërore, ndjenja e boshllëkut dhe mungesa e një kuptimi jetësor. Nuk ka rëndësi se çfarë presim ne nga jeta, ajo që ka rëndësi është se çfarë pret jeta nga…


Publikuar:

“Problemet më të mëdha të njerëzve të kohës sonë janë shqetësimet shpirtërore, ndjenja e boshllëkut dhe mungesa e një kuptimi jetësor. Nuk ka rëndësi se çfarë presim ne nga jeta, ajo që ka rëndësi është se çfarë pret jeta nga ne.”

Dr. Viktor Frankl (Njeriu që kërkon të kuptojë)

Njeriu i kohës sonë është larguar nga Krijuesi më shumë se çdo njeri i çdo periudhe tjetër të historisë. Ai ishte i pafuqishëm, por tashmë është krejt i paaftë. Teknologjia dhe shkenca u shikuan si mjete që do të rrisnin fuqinë e njeriut, por ato vetëm sa i shtuan problemet dhe e thelluan vetminë e tij. Me zhvillimin e mjekësisë lindën edhe shumë sëmundje të reja. Njeriu u bë pre e mërzisë dhe tashmë  nuk e gjen dot qetësinë e fort dëshiruar. Gjithmonë e më shumë, ne japim e marrim buzëqeshje false. Njeriu, me largimin nga Krijuesi, filloi të mbytej në egon e vet dhe ra në një batak të thellë. Kush do të vrapojë për ta ndihmuar?

Kush do ta shpëtojë njeriun e shkretë, i cili i lutet Zotit pa e ditur nëse ajo gjë do të jetë e mirë apo e keqe për të dhe e krijon jetën e vet pa menduar gjatë?

Kush do ta rregullojë zemrën e një njeriu të dëshpëruar, që e ka të vështirë ta pranojë se karakteri i  njeriut merr ngjyrat e njerëzve me të cilët shoqërohet? 

Si do të gjejë shpëtim njeriu që ka dëshira të pafundme në lidhje me gjërat e kësaj bote dhe që nuk ruhet aspak nga mëkatet?

Kush do ta këshillojë njeriun që nuk e njeh egon e vet, që nuk e njeh Zotin e vet? Kush do ta ndihmojë njeriun e pashpresë që ka rënë pre e dobësive të veta, e urrejtjes, e zemërimit, e ambicies dhe e dëshirave epshore?

Kush do ta shpëtojë njerëzimin që ka mbetur i pashpresë në kthetrat që ka hapur morali i ulët? Kush do ta shpëtojë njerëzimin që e ka plagosur rëndë: mërzia, nervozizmi, pafuqia dhe mungesa e shpresës?

Ku do të gjejë mik një njeri me pasuri materiale, por me varfri shpirtërore; me status të lartë shoqëror, por me ambicie të dëmshme? Kush do ta pranojë një njeri të tillë?

***

Ajetet kuranore thonë:

“O besimtarë! Frikësojuni Allahut dhe bëhuni me ata që janë të sinqertë (në fjalë dhe në vepra)!” (Teube, 119)

“… mos rri me keqbërësit!” (En’am, 68)

Në Kuranin Kerim është këshilluar qëndrimi me njerëzit besimtarë, në mënyrë që të përfitohet prej tyre. Njerëzimi ka shumë nevojë për një njeri që t’i udhëzojë, për një njeri që në zemër mban vetëm Allahun (xh.sh.) dhe që e ndjek Sunetin e Resulullahut me  përpikëri.

Ekzistojnë shumë armiq që kërkojnë ta mashtrojnë njeriun dhe ky i fundit mund ta gjejë rrugën e shpëtimit vetëm duke ndjekur rrugën e njerëzve me virtyte. Qëndrimi bashkë me njerëzit e mirë, besnikët, me ata që luftojnë për t’i kthyer njerëzit në rrugë të drejtë dhe me njerëzit që i janë përkushtuar shërbimit për hir të fesë së vërtetë; e mbush njeriun me energji pozitive. Nga ana tjetër; qëndrimi me njerëzit e këqij, e largon njeriun nga feja, drejtësia dhe nga vetë ndërgjegjja  e vet.

Të kesh mundësi për të përfituar nga një mik i Allahut, është një nga begatitë më të mëdha që mund të ketë një njeri. A ka dhuratë më të madhe se një mik i Zotit të pranojë si bir/ bijë të veten?! Siç ka thënë perandori i madh Javuz Sulltan Selim Han:

“Të jesh sulltan nuk është asgjë

   Madhështia fitohet kur je mik i një veliu.”

Në lidhje me këtë çështje Hazreti Mevlana ka thënë:

“Njeriu i vetëm nuk mund ta arrijë lumturinë e vërtetë, nuk mund të gëzohet plotësisht. Në qoftë se një mik i vërtetë nuk ia mban dorën, njeriu nuk ia del në krye asgjëje. Ti shko që t’ia tregosh plagët e tua doktorit të zemrës sepse ai di si të të kurojë ty…”

***

Njeriu është një libër i madh në të cilin ndodhet e shkruar çdo gjë. Fatkeqësisht, errësira dhe pengesat e shumta të jetës nuk na lejojnë që ta lexojmë këtë libër ashtu siç duhet. Këto pengesa janë punët që kanë lidhje me këtë botë dhe dëshirat e pafund të egos sonë.

Njeriu i kohëve moderne nuk e pranon fenë si një ligj të jetës së vet dhe gjithmonë e më shumë largohet nga Kurani dhe Pejgamberi; në këtë mënyrë ai krijon një distancë mes vetes dhe miqve të Allahut. Ky njeri nuk gjen zgjidhje tjetër, veçse të largohet nga gjërat që nuk i di.

Motoja e njerëzve të ditëve tona është: “Kjo është jeta ime dhe mund të jetoj si të dua.” Sigurisht që një njeri që jeton me një logjikë të tillë nuk dëshiron të ketë pengesa në rrugën e vet. Duke qenë se qëndrojnë larg miqve të Allahut dhe nuk gjejnë një pasqyrë në të cilën të shikohen, detyrohen që të kërkojnë rrugë tjera për të njohur veten.

Në perëndim, për të njohur karakterin e njeriut përdoret një mënyrë e quajtur: analiza e kodit pin. Për ta bërë këtë analizë shumë njerëz mundohen të studiojnë horoskopin dhe astrologjinë. Njeriu që studion kodin pin merr në dorë një hartë të karakterit të vet. Kodet pin gjenden me anë të mbledhjes të datave të ndryshme si muaji, dita dhe viti i ditëlindjes. Kjo analizë i mëson njerëzit sesi të sillen me bashkëshortin dhe si t’i edukojnë fëmijët. Njeriu është larguar edhe nga vetja e vet dhe tashmë është i detyruar që shpjegimin e karakterit të vet t’ia lërë në dorë një njeriu krejt të panjohur.

Jemi të palumtur, jemi të pangopur, jemi të sëmurë? Në të gjitha këto raste kemi mungesë energjie. Shkenca ka zbuluar shumë metoda për të marrë energji: kuantika, hipnoza, meditimi… Të gjitha këto përdorin metoda shumë të zgjuara për të na dhënë energji pozitive?!..

Pjesa intelektuale e njerëzve e ka kuptuar që jeta e ka humbur shijen dhe kuptimin; që është bërë shumë e rëndomtë dhe duke e pranuar se interneti është një mënyrë shumë e thjeshtë dhe e shpejtë për të gjetur informacion, janë zhytur në kërkime serioze për të gjetur principet morale. Me anë të udhëtimeve shpirtërore kanë mësuar që të  gjejnë kuptimin e jetës. Ato flasin për disa teknika me të cilat mund të ndriçohet jeta. Disa nga këto metoda janë: misticizmi përdorur nga çifutët, misticizmi indian, terapia me joga, terapia me energji, rezonanca, hipnoza, frymëmarrja e stërvitur dhe shumë të tjera… Numri i njerëzve që gjoja dalin për të bërë udhëtime shpirtërore nuk është aspak i papërfillshëm…

Metodat e kohës së mesjetës e larguan njeriun nga feja. Tashmë njerëzit i drejtohen lindjes për të gjetur kuptimin e jetës dhe për të mësuar prej njerëzve të lindjes vlerat e vërteta të karakterit. Nga ana tjetër, vendi ynë që ndodhet në mes të fesë nuk e pëlqen atë dhe mundohet të largohet nga Islami dhe të afrohet sa më shumë me kulturën e perëndimit. Ja kështu mund të ndriçohet jeta jonë! Për të justifikuar veprimet tona përdorim shprehje si: “unë jam njeri i mbushur me dashuri” ose “ unë e kam shpirtin e pastër”.

Sigurisht që edhe në ditët e sotme ka njerëz që mundohen të ndjekin mësimet e mjeshtrave, si për shembull mësimet e Mevlanës. Ata njerëz mundohen ta shikojnë botën nga këndvështrimi i dijetarëve me shpirt të pastër dhe me dije të shumta. Ja se çfarë u ka thënë një dijetar njerëzve  që nuk e pranojnë  Islamin dhe  nuk e  pranojnë  Resulullahun si shembull të jetës së vet:

“ Gjatë gjithë jetës sime rob i Kuranit do të jem,

  Pluhuri i këmbës së Hazreti Muhamedit do të bëhem.

 Kush të kundërtën kërkon të dëshmojë

 Edhe atë vetë edhe fjalën e tij do ta kundërshtoj…”

Ja se si i ka shpjeguar Mevlana udhëzuesit e kohërave moderne: “njerëz që nuk kanë luftuar me egon, që janë rritur në hije, që nuk kanë vuajtur nga dashuria, që nuk janë tronditur nga dashuria; dhe që çdo gjë e bëjnë për t’u adhuruar nga populli dhe për të fituar respektin e tyre. Ata njerëz të pa shpirt nuk duan asgjë tjetër veçse që të tregohen me gisht: ‘Ja ku janë dijetarët tanë’.

Sa mirë do të ishte sikur njerëzit e mençur të kohëve tona të ishin njerëz të rritur me fenë islame dhe zemra e tyre të ishte djegur nga dashuria për Allahun!.. Fatkeqësisht nuk e di në qoftë se filozofia e ditëve tona do ta çojë njeriun drejt lumturisë dhe qetësisë aq shumë të dëshiruar apo do ta çojë drejt dështimit… Si do të mund ta arrijë një qëllim kaq të pastër një filozofi e menduar larg fesë dhe larg miqve të Zotit?! Nuk dihet!..

I falënderuar qoftë Allahu, që rruga jonë është rruga e Islamit…  Drita dhe lumturia arrihen vetëm nën dritën e  Kuranit dhe duke ndjekur udhëzimin e Sunetit dhe të miqve të Allahut. Puna e vetme që na takon të bëjmë është që të gjejmë miqtë e Allahut dhe të lidhemi fort pas tyre…

Metodat e ndryshme që nuk kanë asnjë lidhje me ato që na ka mësuar Allahu, nuk bëjnë asgjë tjetër veçse e çojnë njeriun drejt dëshpërimit. Njeriu mund të kalojë një jetë të kuptimtë vetëm kur e kupton pafuqinë e vet, i mbështetet Allahut dhe ecën në rrugën e drejtë. Mos të harrojmë se kaderi (fati) ynë është në dorën e më të Drejtit. Nuk mund të gjendet kuptimi i jetës pa besuar Allahun dhe pa e jetuar Islamin.

Allahu (xh.sh.), na bëftë prej atyre që ecën në rrugën e drejtë. Na ruajt ne nga kërkimet e pavlera dhe humbjet e kota.

Sa e bukur është duaja e Pejgamberit tonë të dashur:“O Allahu im! Më fal mua dashurinë Tënde dhe dashurinë e njerëzve që më ndihmojnë të jem i dobishëm në rrugën Tënde.” (Tirmidhiu, Deavat, 74.)

Copyright © 2025 - Shoqata V.H.K Istanbul | Ndalohet përdorimi dhe riprodhimi i përmbajtjes së kësaj faqeje pa leje dhe autorizim