Fëmija dhe shoqëria
Miqtë tanë të vërtetë janë ata njerëz që vijnë të parët kur ne kemi nevojë… Ata janë pranë nesh kur qeshim edhe kur qajmë… Ata janë njerëzit për dashurinë e të cilëve jemi të bindur edhe kur janë larg nesh;…
Publikuar:

Miqtë tanë të vërtetë janë ata njerëz që vijnë të parët kur ne kemi nevojë… Ata janë pranë nesh kur qeshim edhe kur qajmë… Ata janë njerëzit për dashurinë e të cilëve jemi të bindur edhe kur janë larg nesh; edhe malli për ta është i bukur dhe i çmuar… Kur ua shtrijmë dorën për ndihmë, ata vijnë me vrap, pa pritur asgjë në këmbim… Jeta është më e bukur me ta; uji që pimë dhe buka që hamë janë më të ëmbla… Vetëm qenia e tyre na jep siguri…
Ndjenjat e bukura që kemi për miqtë tanë dhe themelet e miqësive tanë kanë lëshuar rrënjë që në moshë të vogël… Kur nënat kanë qëndruar me gratë e lagjes për të biseduar, edhe fëmijët e tyre kanë zënë shoqëri me njëri- tjetrin. Duhet ta kuptojmë që të gjitha rregullat që zbatojmë sot me shoqërinë tonë i kanë themelet tek loja shtëpiash dhe tek lojërat me top. Ne kemi mësuar t’i duam dhe t’i respektojmë shokët tanë kur vraponim pas një topi në lagje. Duke komunikuar me miqtë tanë kemi mësuar se çfarë është: e drejta, e gabuara dhe të gjitha rregullat e tjera të jetës.
Miqësia e fëmijëve të sotëm është pak e ngatërruar… Sa keq që kushtet e jetesës dhe ambienti shoqëror ndryshojnë shumë shpejt. Në kohët e sotme familjet janë zvogëluar, kurse njerëzit largohen gjithmonë e më shumë nga njëri- tjetri. Njerëzit janë të detyruar të punojnë më shumë dhe koha rrëshqet prej nesh ashtu siç ndodh me rërën kur e marrim në dorë. Në mes të kësaj jete aktive e kemi të vështirë të gjejmë kohë për miqtë tanë. Shumicën e kohës ne vetëm u telefonojmë kushërinjve dhe miqve tanë, në mënyrë që të mos harxhojmë kohë. Nuk e kuptojmë dot që në këtë mënyrë ne po i largojmë edhe fëmijët nga njëri-tjetri dhe nuk u japim atyre mundësi për të krijuar shoqëri të sigurt. Për fëmijët e sotëm argëtimi ka vetëm një kuptim: kompjuteri dhe televizioni… Edhe në ambientet e hapura, fëmijët preferojnë të luajnë me telefonat e prindërve, në vend që të vrapojnë pas njëri- tjetrit.
Duart e tyre të vogla dhe mendjet e tyre të pastra janë ndotur nga ekranet e mjeteve digjitale; këta fëmijë, që nuk e vëzhgojnë ambientin që i rrethon, kur të rriten si do të mund t’i kuptojnë ndjenjat e njerëzve? Si do ta kuptojnë gëzimin që të jep ndarja e gjërave me njerëzit e tjerë? Si do të mësojnë këta fëmijë: faljen, humbjen dhe fitoren? Fëmijë që nuk kanë eksperiencën e lojërave në grup, si do të mësojnë të bashkëpunojnë me kolegët e tyre në të ardhmen? Ndjenjat që u dhurohen nga lojërat në kompjuter a do të mund t’i përgatisin për jetën e vërtetë?
Mënyra e dëfrimit, miqësia e krijuar dhe lojërat janë ato që ndikojnë direkt në formimin e karakterit të një njeriu. Fatkeqësisht brezi i sotëm i fëmijëve e kalon të gjithë fëmijërinë para ekranit të televizionit dhe nuk arrin të bëjë përgatitje për jetën e vërtetë. Një shkollim i mirë dhe ushqimi i mirë nuk janë të mjaftueshëm për edukimin e duhur të një fëmije!… Fëmija i cili nuk ka shokë me të cilët mund ta masë forcën e vet, nuk arrin ta kuptojë ndjenjën e suksesit. Një fëmijë të cilit i mjafton shtypja e një butoni për të filluar një lojë të re, nuk arrin ta mësojë as se çfarë është llastimi.
Për shkak të lojërave në kompjuter dhe zakonit të të shikuarit televizion, mësuesit në shkollë ankohen nga mungesa e vëmendjes së fëmijëve, kurse prindërit ankohen nga ndjenja e egoizmit që vihet re tek fëmijët.
Trupi i fëmijës, gjuha dhe mendja e tij zhvillohen njëlloj si ndjenjat, që nga lindja e fëmijëve. Për të arritur një zhvillim të rregullt dhe të ekuilibruar është e rëndësishme që të krijohen ambiente të duhura për fëmijët. Për shembull: një fëmijë i moshës tre vjeçare është gati për të mësuar të ndajë lojërat e veta me fëmijët e tjerë; por në qoftë se atij nuk i krijohen mundësitë për të qëndruar me fëmijë të tjerë do të vihet re një vonesë në mësimin e këtij veprimi. Të gjitha reflekset duhet të mësohen në një mënyrë zinxhir, vonesa në të mësuarit e njërës prej tyre bën që të lindin probleme.
Tek fëmijët të cilëve u krijohet një ambient shoqëror, vihet re perceptimi i shpejtë i ndjenjave miqësore. Fëmijët e vegjël janë të prirë për të zgjedhur shokë të së njëjtës moshë dhe me të cilët mund të luajnë të njëjtat lojëra. Në një farë mënyre fëmijët mësohen që të bëjnë gjëra të dobishme për jetën e tyre. Me kalimin e viteve fëmijët fillojnë që të ndryshojnë kriteret në zgjedhjen e shokëve; fillojnë të fitojnë rëndësi vlera si: besnikëria, drejtësia, mirëkuptimi dhe besimi. Fëmija i kërkon këto vlera tek shokët e tij dhe mundohet që t’i ndreqë anët e këqija të shokëve të vet. Në këtë mënyrë, kjo miqësi e krijuar në bazë të dobive reciproke fillon të bëhet më e thellë dhe kompakte. Fëmijët që nuk krijojnë shoqëri në moshën e fëmijërisë janë të prirë që në moshë madhore të mundohen që t’i krijojnë shoqëritë në bazë interesi; prandaj nuk arrijnë që të krijojnë shoqëri të qëndrueshme.
Për çdo grupmoshë ekzistojnë probleme të caktuara. Fëmija ka nevojë që këto probleme t’i zgjidhë vetë, sepse kjo do ta ndihmojë shumë në jetën e vet në të ardhmen dhe do të ndihmojë zhvillimin e fëmijës. Mos të harrojmë se fëmijët diskutojnë shumë shpesh me njëri- tjetrin, por nga ana tjetër ata pajtohen shumë shpejt. Prindërit duhet t’i trajtojnë me maturi këto gjëra dhe t’i ndihmojnë fëmijët që të gjejnë rrugëdalje; një mënyrë e tillë e të vepruarit do të ndihmojë në zhvillimin e fëmijës.
Sado që nëna dhe babai të jenë njerëz të mrekullueshëm, ata nuk mund ta zënë kurrë vendin e shokëve të një fëmije dhe nuk do të mund ta ndihmojnë fëmijën që të fitojë gjërat që fiton nga shoqëria. Le të bëjmë sa më shumë dua që fëmijët tanë të krijojnë shoqëri me njerëz të mirë që do t’i ndihmojnë ta rrisin cilësinë e jetës dhe le të krijojmë kushtet që fëmijët tonë të rriten në një ambient të shëndetshëm.
Psikologe Tuba Sokmen

