Të qash për jetimët - Mirësia Islame

Të qash për jetimët

Ebu Derda, radijallahu anhu, transmeton: Kam dëgjuar Pejgamberin, salallahu alejhi ve selem, të thotë: “Kujdesuni për të varfrit. Mos kini dyshim se ndihmoheni nga Allahu për shkak të të varfërve që ndodhen mes jush.” (Ebu Davud, Xhihad, 70.) Çështja e…


Publikuar:

Ebu Derda, radijallahu anhu, transmeton:

Kam dëgjuar Pejgamberin, salallahu alejhi ve selem, të thotë:

“Kujdesuni për të varfrit. Mos kini dyshim se ndihmoheni nga Allahu për shkak të të varfërve që ndodhen mes jush.” (Ebu Davud, Xhihad, 70.)

Çështja e jetimëve është një nga çështjet për të cilën Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, fliste me shumë ndjeshmëri… Ajetet fisnike dhe Hadithet e Pejgamberit (s.a.s), tregojnë se sa i ndjeshëm duhet të jetë myslimani në këtë çështje.

Në suren ed-Duha Allahu na tërheq vëmendjen duke thënë:

“Mos e shtyp jetimin, lypësin mos e shtyj me ashpërsi.” (Duha, 9-10)

Përsëri në të njëjtën sure i kujtohen Pejgamberit (s.a.s.), mirësitë që i janë dhënë dhe si shpagim për këtë urdhërohet që t’i mëshirojë jetimët të cilët janë pjesa më e dobët e njerëzve:

“A nuk ishe jetim e Ai të dha strehë? A nuk të gjeti të paditur (për Islamin) e të udhëzoi? A nuk ishe nevojtar e të bëri të mos ia kishe nevojën askujt? Prandaj mos e shtyp jetimin.” (Duha, 6-9)

Sprovat e njeriut janë të ndryshme. Çdo sprovë duhet ta forcojë durimin tonë dhe duhet të na bëjë ne ta rrisim forcën e të duruarit… Duhet ta jetojmë me një dorëzim të plotë jetën që Allahu na ka dhënë ne si robër të Tij dhe nëse është e nevojshme, duhet të shohim nga kjo dritare durimi kundrejt fatkeqësive. 

Shprehja e këtyre është ana më e lehtë e çështjes… Duhet ta ndjesh gjendjen e atyre njerëzve që e përjetojnë këtë dhe të qash hallet me ta. Të mund të mendosh: “Unë nuk kam ndonjë ndryshim nga ai, kështu që edhe unë mund të bëhem si ai”… Të falënderosh me fjalë dhe me vepra…

Gjendja e jetimit e ka sprovën shumë të rëndë. Njeriu në këtë gjendje privohet nga prindërit dhe përjeton një mungesë të thellë dashurie… Jetimët sytë i kanë të mjegullt, kokat të përulura, shpirtin të plagosur dhe zemrën e thyer. Prandaj gjendja e jetimit është një gjendje që nuk ke nga t’i ikësh kur të vjen dhe që ke nevojë për anën materialo-shpirtërore të njerëzve të tjerë. 

Për këtë arsye, Allahu veçanërisht kërkon nga ne vëmendjen që t’u bëhemi strehë jetimëve dhe të bëhemi ortakë në hallet e tyre.

Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, kishte një ndjeshmëri shumë të thellë. Ndoshta në botën e Tij të brendshme gjurmët e thella të jetimit gjatë gjithë jetës kurrë nuk shuan. Ndoshta prandaj, kudo që shihte një jetim, mërzitej e i copëtohej zemra.

Ai, Pejgamberi i mëshirës, i mbrojti dhe u kujdes gjithmonë për të varfrit dhe të dobëtit. Kur iu dha detyra e profecisë, të gjitha ata që ishin rrethuar nga mëshira dhe dashuria e Tij (s.a.s), i qëndruan pranë dhe pranuan me shpirt çdo gjë që i zbriti Atij nga Allahu. 

Vetëm mushrikët e Mekës për shkak të krenarisë dhe mendjemadhësisë, duke dhënë si justifikim të varfrit, të cilët ishin nderuar të parët me Islam te Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, u shprehën se nuk mund të bëheshin myslimanë ngaqë nuk mund të përziheshin me ta:

“Dëboji ata dhe do të shohësh se do bëhemi menjëherë myslimanë!”

Kjo kërkesë e kishte bërë konfuz Pejgamberin, salallahu alejhi ve selem. Në njërën anë përpiqej me sa mundej që feja islame, e cila është rruga e shpëtimit të përjetshëm, të arrinte te secili, në anën tjetër nuk dëshironte t’i përzinte të varfrit dhe të vetmuarit të cilët kishin nevojë për dashuri e mëshirë. Ndërkohë ajeti fisnik që zbriti, nxori në pah fytyrat e qafirëve dhe urdhëroi të Dërguarin e Allahut, salallahu alejhi ve selem, të bënte zgjedhjen:

“Mos i dëbo ata që i luten Zotit në mëngjes e në mbrëmje, duke kërkuar Fytyrën (mirësinë) e Tij!..” (En’am, 52)

Një ndodhi që tregon krenarinë dhe egoizmin e mushrikëve po ashtu edhe nënçmimin e jetimëve, është kjo ngjarje që ka ndodhur mes Ebu Xhehlit dhe Pejgamberit, salallahu alejhi ve selem:

Ebu Xhehli kishte vënë dorë mbi të gjithë pasurinë e jetimit të cilin e kishte nën mbikëqyrje dhe nuk ia kishte dhënë hakun atij fëmije, edhe pse kishte nevojë. Po ashtu, kur jetimi i kërkonte diçka, sillej shumë keq me fëmijën. 

Përsëri një ditë fëmija erdhi te Ebu Xhehli dhe i kërkoi diçka, ndërsa ai e përzuri. Mushrikët që panë ngjarjen, për ta acaruar më shumë gjendjen dhe për t’u argëtuar, e thirrën fëmijën dhe i thanë:

“Shko te Muhamedi, le t’ia kërkojë ai Ebu Xhehlit atë që dëshiron!..”

Fëmija në një mënyrë konfuze shkoi te Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, dhe ia tregoi gjendjen. Ai, (s.a.s.), e mori jetimin, shkoi te Ebu Xhehli dhe i tha:

“Jepja menjëherë hakun këtij fëmije!…”

Ebu Xhehli pa e bërë fjalën dysh, ia dha menjëherë hakun jetimit. Pasi Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, u largua, shokët u tallën me Ebu Xhehlin duke i thënë:

“Si ka mundësi që ia dhe menjëherë? Ne të dinim për më të fortë!”

Ebu Xhehli u përgjigj:

“Për Zotin, edhe ju po te kishit qenë në vendin tim, do të vepronit në të njëjtën mënyrë. Në të djathtën dhe në të majtën e Tij pashë nga një heshtë. Nëse nuk do t’ia jepja, do të më nguleshin.”

Si përfundim, të tregojmë shkurtimisht këtë tablo mësimdhënëse që u përjetua në luftën e Uhudit dhe ta përfundojmë temën:

Në luftën e Uhudit ranë dëshmorë përafërsisht shtatëdhjetë myslimanë nga ushtria islame. Edhe xhaxhai i dashur i Pejgamberit, salallahu alejhi ve selem, Hz. Hamza ra dëshmor në këtë luftë. Madje, u plagos edhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.) dhe lajmi se kishte rënë dëshmor shkoi deri në Medine.

Pasi mbaroi lufta, gratë myslimane të Medinës, shkuan drejt Uhudit dhe vrapuan të prisnin ushtrinë. Të gjitha pothuajse i kishin harruar dëshmorët e tyre dhe kërkonin për Pejgamberin, salallahu alejhi ve selem.

Ndërkohë, vajza e Xhahshit, Zejnepeja u takua me të Dërguarin e Allahut, salallahu alejhi ve selem dhe mes tyre u bë një bisedë e tillë: Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, i tha:

“Bëhu e durueshme!..”

Zejnepja, radijallahu anha, e pyeti:

“Përse, o i Dërguari i Allahut?”

“Sepse vëllai yt Abdullahu ka rënë dëshmor!”

“Qoftë bekuar dëshmia e tij!”

“Bëj durim!”

“Përse o i Dërguari i Allahut?”

“Daja yt Hamzai ka rënë dëshmor.”

Ajo iu përgjigj:

“Të gjithë i përkasim Allahut dhe te Ai do të kthehemi. Bekuar qoftë pozita e dëshmorit për të…”

Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, pasi qëndroi pak, u kthye nga Zejnepeja dhe i tha përsëri:

“Bëhu durimtare, o Zejnepe!”

Ajo e pyeti sërish:

“Përse o i Dërguari i Allahut?”

“Burri yt Mu’sabi ka rënë dëshmor.”

Zejnepeja, radijallahu anha, kur dëgjoi këtë fjalë, filloi të qante me dënesë. Kur e pa këtë gjendje i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, tha:

“Askush nuk mund ta zërë vendin e burrit në zemrën e gruas!..”

Në atë çast, kur Pejgamberi (s.a.s.), e pyeti Zejnepen, radijallahu anha:

“Pse po qan kaq shumë për burrin?”, ajo u përgjigj:

“Nuk po qaj për burrin, sepse ai ra dëshmor duke luftuar përkrah Pejgamberit, salallahu alejhi ve selem. Po qaj për fëmijët të cilët mbetën jetimë.”

Disa ajete lutjeje nga Kurani Famëlartë:

“…O Zoti ynë, mos na bëj sprovë për popullin keqbërës (duke i lënë të na shkatërrojnë) (Junus, 85)

“Mes robërve të Mi ishte një grup i cili thoshte: ‘O Zoti ynë, ne kemi besuar prandaj na fal dhe na mëshiro! Ti je më i miri i mëshiruesve!” (Mu’minun, 109)

“…O Zoti ynë, na jep mëshirë dhe na përgatit për sjellje të drejtë!” (Kehf, 10)

“O Zoti ynë, Ti e di vërtet çfarë fshehim e çfarë shfaqim haptazi. Allahut nuk i fshihet asgjë, as në tokë e as në qiell.” (Ibrahim, 38)

“O Zoti ynë, më fal mua, prindërit e mi dhe besimtarët në ditën kur do të jepet llogari!” (Ibrahim, 41)

“O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve! O Zoti ynë, Ti je vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë!” (Hashr, 10)

Shefika K. Meriç

Copyright © 2025 - Shoqata V.H.K Istanbul | Ndalohet përdorimi dhe riprodhimi i përmbajtjes së kësaj faqeje pa leje dhe autorizim