Njeriu është mësues i asaj që di
Jemi në një periudhë ku besimi është bërë si thëngjill në dorën tonë, në të cilën pothuajse është bërë e pamundur të mbrohesh nga mëkatet e të qëndrosh larg haramit dhe në të cilën çdo mysliman e ka farz (obligim)…
Publikuar:

Jemi në një periudhë ku besimi është bërë si thëngjill në dorën tonë, në të cilën pothuajse është bërë e pamundur të mbrohesh nga mëkatet e të qëndrosh larg haramit dhe në të cilën çdo mysliman e ka farz (obligim) “emri bil-maruf, nehji anil munker”. Ne jemi umeti i kohës së fundit. Jemi në një kohë të vështirë. Po, “urdhërimi i të mirës dhe ndalimi nga e keqja” është detyra e të gjithëve ne…
Ndoshta do të thoni:
“Si mund t’i bindim të tjerët, ndërkohë që nuk kemi bindur akoma veten tonë? Çfarë dobie do të kenë njerëzit prej nesh, ndërkohë që edhe ne vetë kemi ardhur në një gjendje që nuk e dallojmë dot se cila është e gabuar dhe cila është e vërtetë? Faktikisht nuk kemi edhe shumë dije, kështu që kujt dhe çfarë kemi për t’i mësuar?..”
Atëherë, a do të heqim dorë nga adhurimi duke u justifikuar me këto? A do të jemi indiferentë, edhe pse e dimë proverbin: “Çdo dele varet nga këmba e saj?” Sigurisht që jo!
Ne duhet të fillojmë nga diku për ta ndryshuar, për ta rregulluar dhe për ta drejtuar dynjanë nga e mira… Së pari duhet të fillojmë nga vetja jonë…
Për këtë arsye, duhet të përpiqemi që çdo ditë të mësojmë nga një gjë të re dhe çdo gjë që kemi mësuar, duhet ta reflektojmë në jetën tonë ashtu si sahabët e nderuar, sepse atij që punon me atë që di, Allahu Teala premton se do t’i mësojë gjëra të reja. Çdo gjë që jemi përpjekur ta mësojmë dhe ta praktikojmë, duhet ta ndajmë edhe me ndonjë tjetër. Ndoshta nuk dimë çdo gjë dhe çdo gjë që dimë nuk e praktikojmë në mënyrë të përsosur, por nuk duhet të harrojmë se “njeriu është mësuesi i asaj që di”.
I Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, u tha shokëve të Tij në Hutben e Lamtumirës:
“Kur ndonjëri prej jush të mësojë diçka prej meje, le t’ia mësojë atë edhe dikujt tjetër! Ka të ngjarë që ai i cili e mëson më vonë, mund ta kuptojë dhe praktikojë atë më mirë se ai që ia mësoi.” (Tirmidhi, Ilim, 7.)
Edhe ne, duke filluar nga më të afërmit tanë, duhet t’i ndajmë me njerëzit ato që dimë sipas vendit, gjendjes, shkallës së aftësisë së të kuptuarit të bashkëbiseduesit dhe në një mënyrë të përshtatshme me cilësitë e tij. Në të kundërt, nesër, në Ditën e Kiametit, ata do të ankohen prej nesh duke u shprehur se nuk ua kemi mësuar të vërtetën edhe pse e dinim. Detyra jonë është që të përpiqemi t’ua mësojmë e shpjegojmë njerëzve fenë dhe t’i ndalojmë nga të këqijat…
Atëherë, si do ta bëjmë këtë ndërkohë që njerëzit janë tërbuar?
Së pari duhet të mendojmë në vetvete se në ç’mënyrë do na pëlqente të merrnim ndonjë këshillë kundrejt gabimeve tona. Sigurisht nuk do ta dëgjonim një njeri që vazhdimisht gjen gabimet tona dhe flet duke na fajësuar pa u ndalur, edhe nëse do të thoshte të vërtetën… Të vjetrit kanë thënë: “Vlerësimi të jep kurajë, ndërsa qortimi të demoralizon.” Çdo njeri patjetër që ka një anë pozitive, kështu që duhet t’i japim kurajë duke ia shfaqur atë anë dhe nuk duhet t’i ekzagjerojmë mangësitë dhe gabimet e tij. Metoda profetike na mëson që edhe një qeni që kundërmon erë të keqe, t’i shohim dhëmbët e tij të bukur… Është e lehtë ta refuzosh apo të tregosh vazhdimisht për mangësitë e tij!..
Për më tepër, ne nuk i duam shumë ata njerëz që tentojnë të kenë autoritet mbi ne dhe themi: “Askush nuk mund të më imponojë ndonjë gjë.” Megjithatë, përpiqemi për të bërë çdo gjë të atyre që na urdhërojnë me mirësi dhe nuk vështirësohemi për ta kryer atë. Atëherë, sjellja jonë nuk duhet të jetë imponuese dhe detyruese, por duhet t’i urdhërojmë njerëzit me një gjuhë të butë e të ëmbël dhe me buzëqeshje. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), ka thënë:
“Lehtësoni dhe mos vështirësoni! Përgëzoni dhe mos i bëni të tjerët që të urrejnë!..” (Buhari, Ilim, 11.)
Allahu Teala çdo njeri e ka krijuar me karakter dhe cilësi të ndryshme. Dikujt i pëlqen ashpërsia, dikujt mirësjellja, dikush i kupton siç janë ato që thuhen, ndërsa dikujt tjetër duhet t’ia shpjegojmë me shembuj me mënyra indirekte. Ajo që dikujt mund t’i duket e vështirë, mund të jetë e lehtë për dikë tjetër. Dikush kupton më mirë duke parë, dikush duke dëgjuar… Por askujt nuk i pëlqen fajësimi, poshtërimi dhe krahasimi me dikë tjetër.
Për ta kryer në mënyrën më të mirë “emri bil maruf, nehji anil munkerin”, meqë gradë-gradë është farz për çdo mysliman, duhet të mësojmë metodat e predikimit të të Dërguarit të Allahut, salallahu alejhi ve selem, i cili është udhëzuesi ynë i vetëm dhe duhet t’i zbatojmë sipas vendit dhe kohës së tyre. Gjërat që Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, donte t’ua mësonte të tjerëve, ua mësonte sipas gjendjes së tyre dhe me mënyra të ndryshme. Nganjëherë u bënte pyetje, nganjëherë vizatonte skema, a nganjëherë më gjuhën e trupit, nganjëherë duke bërë shaka, duke ua treguar dhe duke ua shpjeguar… Domethënë, nëse synimi është një, është e mundur të arrihet me rrugë të ndryshme por të lejuara…
Allahu Teala thotë në suren el-Asr:
“Pasha kohën! Me të vërtetë, njeriu është në humbje. Përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën e i këshillojnë njëri-tjetrit durimin.” (Asr, 1-3)
Domethënë, mënyra e shpëtimit nga humbja është besimi, vepra e mirë dhe këshilla për të vërtetën e durimin… Besimtarët duhet të jenë si dy duar që lajnë njëra-tjetrën dhe si një mbulesë e vetme që mbulojnë gabimet e njëri-tjetrit.
I Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, ka thënë në hadithet fisnike:
“Ai që bëhet shkak për një mirësi, është si ai që e ka bërë atë.” (Tirmidhi, Ilim, 14.)
“(O Ali!) Betohem në Allahun se, nëse Allahu Teala udhëzon qoftë edhe një njeri nëpërmjet teje, është më e mirë për ty se devetë e kuqe (që konsideroheshin si mirësia më e madhe e dynjasë).” (Buhari, As’habu’n-Nebi, 9.)
O Zot! Na bëj prej robërve të udhëzuar dhe prej atyre nëpërmjet të cilëve udhëzohen robërit e Tu!.. Jetën tonë bëje shkak për shtimin e çdo lloj mirësie dhe vdekjen tonë shpëtim nga çdo gjë e keqe! Të gjithëve na bëj prej atyre që përjetojnë mirësi, që prijnë për në mirësi, që i bëjnë të tjerët të jetojnë në mirësi dhe prej atyre që bëhen shkak për mirësi! Na bëj të jetojmë përderisa jeta jonë të jetë më e mirë dhe na prano në audiencën Tënde me fytyrë të bardhë kur vdekja të jetë më e mirë për ne!.. Amin!
Kybra Çoban

