Stacioni i qetësisë
Halime Demireshik Vetëm të sëmurët dhe njerëzit me probleme e dinë se sa e gjatë është nata. Një njeri që fle nuk e kupton aspak sesi kalon koha!.. Gjumi është ilaç për shumë shqetësime dhe është perde për shumë sekrete.…
Publikuar:

Halime Demireshik
Vetëm të sëmurët dhe njerëzit me probleme e dinë se sa e gjatë është nata. Një njeri që fle nuk e kupton aspak sesi kalon koha!.. Gjumi është ilaç për shumë shqetësime dhe është perde për shumë sekrete.
Amina e kishte lënë veten në duart e gjumit të rehatshëm që po e çlodhte nga të gjitha shqetësimet e ditës. Papritur u gjend në vendin e ëndrrave. Shikoi disa ëndrra të shkurtra dhe pastaj filloi të shikonte një ëndërr që iu duk sikur zgjati sa gjithë nata.
“Kishte ardhur fundi i botës. Të gjithë njerëzit ishin mbledhur për të pritur në një shesh të madh. Çdo qoshe ishte e mbushur me njerëz. Të gjithë ishin të shqetësuar. Filluan që të hapeshin librat e veprave. Amina shikonte shumë të njohur rreth vetes. Dëgjonte zërat e familjes dhe të miqve të vet. Të gjithë ishin duke u marrë me problemet e veta; askush nuk kishte kohë që të merrej me të tjerët.
Engjëjt iu afruan çdo njeriu dhe filluan ta merrnin në pyetje. I pyesnin për gjërat që kishin ngrënë e pirë, për gjërat që kishin veshur e që kishin bërë. A e ke ngrënë këtë ushqim, a nuk je ngopur? Pse ke ngrënë edhe këtë ushqimin tjetër pas atij? Si i ke fituar paratë e gjithë këtyre gjërave që ke ngrënë? A ishin hallall apo haram? Njerëzit tmerroheshin nga këto pyetje.
Më vonë, filluan të hapeshin raftet dhe të dilnin rrobat një nga një. Kur e ke marrë këtë veshje, pse e ke marrë? A nuk e dije që do të jepje llogari për të gjitha këto? Me cilat para i ke marrë këto? A nuk e dije që do të jepje llogari për të gjitha këto? A i ke blerë me para hallalli apo harami? A nuk e dije që blerja pa pasur nevojë quhet shpërdorim? Fqinja jote ishte duke vdekur nga uria. A ke trokitur ndonjëherë në derën e saj? Sa dyqane ke shëtitur për të gjetur këtë veshje!.. A ke bërë përpjekje për të ndihmuar fqinjën tënde ndonjëherë?”
I erdhi radha Amines. Sa shumë pyetje që bëjnë. Ajo është duke djersitur nga halli… Sa i jep përgjigje një pyetjeje, ja kur vjen pyetja tjetër… I jep përgjigje dhe asaj dhe menjëherë vjen një pyetje tjetër… Një moment Amina pyeti: “Ky libër i punëve sikur është i mbushur me gjëra të këqija, ku janë sevapet e mia? Unë kam marrë abdest, kam falur namaz, kam lexuar Kuran; ku janë të gjitha ato?”
“Sikur të gjitha ato adhurime t’i kishe bërë me seriozitet, do të ishin pranuar!.. Allahu nuk ka nevojë për adhurimet që bëhen pa dëshirë!..” – iu përgjigjen engjëjt.
Amina nuk e mban dot vetën dhe fillon të qajë me ngashërim.
Veprat e njerëzve që kishin mbaruar me dhënien e llogarisë fillojnë të vihen në peshore. Njerëzit, peshorja e të cilëve rëndon nga mëkatet fillojnë të dridhen. Kërkojnë të gjejnë dikë që mund t’i shpëtojë nga Xhehenemi, por çdokush ka hallin e vet. Në atë moment një grup njerëzish thotë:
“Ne mund të na shpëtojë vetëm Pejgamberi ynë i nderuar!”
“O Resulullah, na ndihmo; na shpëto!..”
Dëgjohet një zë:
“Sa e keni ndjekur Sunetin tim kur keni qenë në botën tjetër? A më keni dërguar salavat?”
Pas këtyre fjalëve, të gjithë njerëzit fillojnë të dërgojnë salavat dhe të qajnë me zë të lartë. Dëgjohet një zë tjetër:
“Tashmë është shumë vonë!.. Duhet të vepronit që në botën tjetër!..”
Amina fillon të thotë suren Fatiha.”
Në momentin që hapi sytë, Amina shikoi se ishte mbuluar nga djersët. U qetësua kur kuptoi se e gjitha ishte vetëm një ëndërr. Vazhdonte të thoshte suren Fatiha… I dukej sikur ishte e ngulur në shtrat. Nuk mund të lëvizte. Çfarë ëndrre ishte kjo? E kishte ndjerë aq shumë, sa çdo gjë i ishte dukur si realitet. Më në fund arriti të ngrihej. Shkoi në banjë. Mori abdest dhe filloi të falej. Namazi sikur po e qetësonte. Ngriti duart dhe filloi të bënte dua:
“Zoti im është i drejtë. Ai do të na kërkojë llogari për të gjitha gjërat që kemi bërë në këtë botë… Zoti im është edhe shumë i mëshirshëm!.. O Zot, të lutem më fal mua… Më fal për jetën time të mbushur me gabime e mëkate. Më fal për pjesën time të jetës që ka kaluar larg rrugës tënde… Më fal për gabimet që i kam bërë pa dashje… Më dhuro mua një jetë në rrugën e drejtë, një punë të hallallit dhe një burrë të drejtë dhe besimtar!.. Bëj që nesër e në vazhdim, ditët e jetës sime të jenë të mbushura me vepra të mira. Vdekja ime le të jetë më e bukur se jeta ime dhe jeta e ahiretit më e mirë se jeta e kësaj bote. Më fal mua, duke qenë se më pranove pranë Teje dhe bëre që unë t’i them këto fjalë. Më prano pranë njerëzve të Tu të dashur. Shtoi sevapet e mia dhe mbuloji mëkatet e mia. Lehtësoji rrugët që më çojnë tek Ti. Bëj që të jetoj sipas rregullave të fesë sonë. Ji i kënaqur nga unë, o Zoti im!.. Ji i kënaqur nga unë, o Zoti im!..”
***
U zgjua dhe u bë gati për të shkuar në punë. Zemra po i rrihte fort. Nuk kishte shpëtuar akoma nga ndikimi i ëndrrës që kishte shikuar atë natë. Tashmë mbi jetën e saj kishte rënë hija e Kiametit. Hëngri mëngjesin dhe u nis për rrugë.
Kur mbërriti në punë disa nga shoqet filluan që t’i hidhnin fjalë:
“Sa mirë ia kaluam mbrëmë… Kishin marrë DJ, kishte edhe muzikë live. Pije falas, dëfrim pa fund… Ah sikur të kishe ardhur edhe ti. Ke humbur shumë!..”
Amina nuk iu përgjigj, por kuptoi se ajo nuk po e ndante dot mendjen. Jeta e saj kalonte mes Xhenetit dhe Xhehenemit. Në mbrëmje kishte jetuar në një botë krejt ndryshe kurse tani ishte në një botë tjetër… Kur ishte me mësuese Saxhiden zhytej në një gjendje shpirtërore të veçantë; kur ishte me shoqet ndodhej në një ambient krejt tjetër… I dukej sikur brenda saj ekzistonin dy persona. Një pjesë e saj donte të kujdesej vetëm për anën shpirtërore kurse pjesa tjetër nuk donte asgjë veç se të dëfrehej… Brenda shpirtit të saj kishte një luftë të vërtetë dhe ajo po lodhej çdo ditë e më shumë. Kishte ardhur koha për të zgjedhur se cilën anë do të mbante. Nuk mund të qëndronte më në mes të këtyre dy rrugëve.
Filloi orari i punës. Pothuajse të gjitha shoqet e saj kishin ardhur përveç Tunës dhe Rejhanës. Amina u gëzua nga mungesa e Rejhanës, sepse do t’ia niste me ankesat e saj: “Pse nuk erdhe, ne të pritëm, sa nazet i ke…” Nuk ia kishte terezinë këtë mëngjes.
Kaluan disa orë dhe Amina nuk duroi më dhe shkoi që të pyeste një nga shoqet për Tunën dhe Rejhanën. Ajo i tha:
“Uff… Ne qëndruam deri në dy aty, pastaj morëm leje dhe u larguam. Ato ishin duke dëfryer akoma dhe si duket kanë qëndruar deri në mëngjes, prandaj nuk janë zgjuar dot sot.”
Amina mori frymë e lehtësuar. Shkoi tek tavolina e vet dhe vazhdoi të punonte. Ora ishte njëmbëdhjetë dhe shefi i personelit erdhi për të pyetur për mungesën e Tunës dhe Rejhanës. Shoqet ia shpjeguan çështjen dhe i kërkuan ndjesë në emër të dy shoqeve duke shtuar:
“Punët e tyre mund t’i rregullojmë ne, mos u shqetësoni.”
Shefi, zotëri Ademi i qortoi pak dhe nuk harroi t’i kujtonte:
“Nëse nuk vijnë këtu deri në kohën e drekës nuk do të jetë mirë!.. Sapo të vijnë le të kalojnë nga zyra ime.”
Vajzat iu sulën telefonave, por as Tuna dhe as Rejhana nuk u jepnin përgjigje; as Ozgyri nuk e dëgjonte telefonin. Amina ishte çuditur pak nga mirëkuptimi i shoqeve të saj dhe të shefit. Njeriu që nuk pranonte t’i jepte as një pushim dhjetë minutash për faljen e namazit tani po shfaqte mirëkuptim ndaj një vonese kaq të gjatë.
Kishte ardhur orari i drekës, por nuk kishin asnjë lajm nga Tuna dhe Rejhana. Amina mori sexhaden dhe u ul në katin përdhes për të falur namazin, pastaj doli jashtë dhe shkoi pranë shoqeve. Filluan që të hanin drekën kur ra telefoni i Jetës. Po telefononin nga një numër fiks. Jeta e hapi telefonin e merakosur:
“Qenke ti Rejhana, vdiqëm nga meraku!.. Ku je?”
Për një moment të gjithë po dëgjonin me vëmendje. Fytyra e Jetës filloi të ngurtësohej. Me zërin që i dridhej tha:
“Me të vërtetë? Ozgyri? A ishte edhe Tuna me ju? Çfarë mund të bëjmë për ju? A i ke telefonuar familjes? Mirë, mos u merakos për bankën… Sa të përfundojë orari zyrtar dhe do të vijmë për t’ju takuar…”
Jetës i kishte ikur ngjyra e fytyrës. Të gjithë e kishin kuptuar që diçka e keqe kishte ndodhur dhe po shikonin Jetën, e cila filloi të fliste duke u munduar që ta ruante qetësinë.
“Pasi kemi ikur ne paska filluar dëfrimi i vërtetë. Ozgyri paska sjellë kokainë me vete… Ato paskan përgatitur një tavolinë lart dhe paskan filluar ta merrnin drogën me radhë. Në atë moment në shtëpi paska hyrë policia dhe e ka gjetur drogën. Që prej atij momenti të gjithë qenkan nën mbikëqyrje. Në fakt paska kohë që policia e mbikëqyr Ozgyrin.”
“Kë ka marrë policia?”
“I kanë marrë të gjithë njerëzit që kanë qenë në atë shtëpi, por Ozgyri dhe Bora janë të dyshuarit kryesorë…”
“Ozgyrin e kuptuam, po Bora çfarë lidhjeje ka?”
“A është shtëpia e tyre… Ky do të jetë shkaku…”
“Edhe Tuna me Rejhanën kishin qenë aty?”
“Po, në kohën kur ka hyrë policia, ato kanë qenë në katin e parë, por policia nuk ka lejuar askënd të shkojë pa i marrë në pyetje të gjithë. Më tha se mbase do të lirohej nga mbrëmja.”
Në tryezë ra qetësia. Secila nga vajzat ra në mendime të thella. Amina nuk dinte nëse duhej të gëzohej apo të mërzitej. Sikur në mbrëmjen e kaluar ajo të mos kishte shkuar tek mësuese Saxhidja, por të kishte shkuar me shoqet e veta edhe ajo do të ishte kapur nga policia. Allahu e kishte ruajtur.
Tashmë të gjithëve u kishte ikur oreksi. Paguan llogarinë dhe u drejtuan për tek banka.
“Unë po takohem me zotëri Ademin dhe po e informoj për ngjarjen.”- tha Jeta.
Të gjithë ishin kthyer në tavolinat e tyre dhe kishin filluar punën. Në këtë mënyrë kaluan dy ose tri orë. Shoqet i bënin shenja me sy njëra- tjetrës. Papritur shikuan një valixhe të lënë aty edhe roja tek dera kishte marrë një telefonatë. Ai erdhi me vrap dhe u kërkoi të gjithë punonjësve që të braktisnin godinën. Kishte ardhur edhe policia, e cila e kishte rrethuar zonën në pritje të ekspertëve të bombave. Të gjithë i kishte zënë paniku dhe nuk dinin se çfarë të bënin, kur u afrua zotëri Ademi dhe u tha se personeli do të ishte pushim dhe se mund të largohej.
Amina ishte në një udhëkryq të madh. Në bankë mbase kishte bombë ose mbase nuk kishte, por në jetën e Aminës bombat po shpërthenin njëra pas tjetrës. Në fillim vdekja e papritur e Fusunit pastaj të gjitha trazirat e botës së saj të brendshme… Njohja me mësuese Saxhiden dhe fillimi i një jete të re…
“Për ku jam nisur unë?”- mendoi dhe njëherë.
Koka e saj ishte e mbushur plot. Një ditë më përpara ishte ulur në një kafe duke biseduar me Ozgyrin, kishte bërë një provë të së ardhmes me të. Ai ishte Ozgyri që ishte i dashuruar me të? Ky ishte Ozgyri që i dërgonte dhurata dhe i fliste bukur? Sa gjatë mund të shkonte lidhja e tyre? Një djalë i pasur, që merrej me drogë… Ai që sot pretendonte se e dashuronte kushedi kë do të dashuronte nesër?
Po vendi i saj i punës? Cilat ishin përparësitë e kolegeve të saja? Kur vinte fjala për adhurimet dhe detyrat fetare, askush nuk donte t’ia dinte, ato mendonin vetëm për dëfrimin!..
Iu duk sikur do t’i pëlciste koka. Në atë moment dëgjoi zërin e ezanit dhe vrapoi për tek xhamia më e afërt për t’iu përgjigjur thirrjes së Allahut.
***
Fali namazin. Kishte dëshirë që të takohej me mësuese Saxhiden. Dëshironte t’i fliste për gjërat që kishin ndodhur dhe e dinte që kjo do ta qetësonte furtunën brenda shpirtit. Mori telefonin nga çanta dhe i ra numrit të mësuese Saxhides. Ajo si gjithmonë iu përgjigj me dashuri:
“Urdhëro, e dashur Amina.”
“Kam shumë nevojë të takohem me ju .”
Mësuesja Saxhide u habit pak:
“Ka ndodhur ndonjë gjë?”
“Jo, s’ka ndodhur gjë, por kisha dëshirë të takoheshim.”
“Unë po shkoj të bëj një vizitë, në qoftë se ke dëshirë mund të vish edhe ti. A ke kohë?”
“Në fakt unë kisha dëshirë që të flisja vetëm për vetëm me ju… Kam kohë sa të duash.”
“Hajde se nuk do të pendohesh. Unë po vij tek ti dhe e bëjmë rrugën bashkë.”
“Dakord, po ju pres.”
Nuk kaloi shumë kohë dhe ra telefoni. Ishte Jeta:
“Urdhëro? Çfarë ka ndodhur?”
“Mos u shqetëso, valixhja në bankë paska qenë bosh. Ne po shkojmë në polici. A ke dëshirë të vish?”
“Më vjen keq, por jam shumë e lodhur dhe kam një takim. Kur të mbërrini atje, më dërgo një zile që t’i flas në telefon. Përshëndeteni nga ana ime Tunën dhe Rejhanën”
“Po Ozgyrin?”
“Mos i thoni gjë atij, do të flas ballë për ballë me të.”
“Dakord, shihemi.”
“Mirupafshim…”
Në momentin që e mbylli telefonin, shikoi zilen e mësuese Saxhides dhe foli me të. Pasi i tregoi vendin ku ndodhej, ato u takuan.
“Ka shumë kohë që dua të të njoh me dikë.”- i tha mësuesja Saxhide.
Këtë radhë ishte Amina ajo që u habit.
“Me kë?”
“Kur të takohesh me të do të shtangesh. Kur ta njohësh më mirë do ta duash atë dhe do të fillosh që ta shikosh jetën me një sy tjetër.”
“- U bëra shumë kureshtare. A nuk do më tregosh pak më shumë?”
“Nuk është një person i famshëm, nuk del asnjëherë nga shtëpia e vet… Në fakt është një person që nuk ngrihet dot nga shtrati, por Allahu i ka dhënë disa të mira që nuk ia ka dhënë askujt tjetër… Ajo është një person që i vlerëson shumë këto të mira…”
“Fjalët e tua po më duken si një gjëegjëzë. A mund të ma shpjegosh pak këtë çështje?”
“Hajde hipin në autobus dhe do të flas më gjerë.”
Hipën në autobusin që kishte shumë pak njerëz dhe u ulën në fund. Motra Saxhide filloi të tregonte:
“Ajo quhet Zylejha… Në rini ka qenë si çdo vajzë tjetër; ka luajtur dhe ka vrapuar. Kur u fejua i ndodhi një aksident që e la të gjymtuar. Ajo e shikoi këtë si një sprovë të Zotit. E falënderonte Zotin që i kishte dhënë mundësinë për të fituar sevape. Duke qenë se ajo e falënderonte Allahun pafund, Ai i hapi shumë perde. Tashmë ajo e falënderon Allahun më shumë dhe ka mësuar të ketë durim. Kur ta njohësh nuk do të dish të dallosh nëse është ajo e lumtur apo jemi ne të lumtur?.. Tani për tani vetëm kaq të mjafton…”
“Si je njohur me të?”
“Në fakt ka qenë krejt një rastësi, që m’u dhurua nga Allahu… Një shoqe më mori dhe më dërgoi pranë saj. Që nga ajo ditë unë shkoj shumë shpesh që ta vizitoj. Sot qenka fati yt. Në telefon më the se doja të më takoje sa më shpejt, mos ka ndodhur ndonjë gjë?”
“Lëre mos e pyet… Kam kaluar një ditë shumë të çuditshme. A e kujton djalin për të cilin të fola mbrëmë, ai me të cilin mendoja që kisha rënë në dashuri… Ai ndodhet në polici në këto çaste… E kanë zënë teksa po pinte kokainë me shokët. Në mëngjes e mësova këtë lajm dhe u shokova, pastaj patëm një problem në bankë. Kishte dyshime për një bombë dhe na dhanë pushim të gjithëve.”
“Pse nuk thua që në jetën tënde paskan shpërthyer disa bomba njëra pas tjetrës.”
“Me të vërtetë ashtu ndodhi.”
“Allahu të paska shpëtuar dhe të paska ruajtur nga këto probleme, do të thotë që Ai të do ty. Në fakt Allahu e do secilin nga njerëzit në mënyrë të veçantë. Ai dëshiron që të gjithë të kthehen në rrugën e drejtë dhe ta kujtojnë Zotin. Pejgamberi ynë i nderuar ka thënë: ‘Kënaqësia që ndjen Allahu kur një njeri pendohet dhe kthehet në rrugë të drejtë është shumë më e madhe se kënaqësia që ndjen njeri nga ju kur gjen devenë e vet në shkretëtirë.’ Mendo një njeri që e humb devenë në shkretëtirë, një deve mbi të cilën ka ngarkuar të gjitha ushqimet dhe ujin e vet; pastaj imagjino gëzimin e tij kur e gjen devenë e vet… Nga kjo kuptojmë që Allahu nuk ia kthen shpinën plotësisht asnjë njeriu dhe pret që një ditë secili prej tyre të kthehet në rrugën e drejtë. Nuk duhet të harrojmë se i takon njeriut që të hedh hapin e parë në rrugën drejt dashurisë së Krijuesit…”
“Pse i takon njeriut që të hedh hapin e parë?”
“Allahu i ka dhënë njeriut një shans të pastër… Ashtu, siç busulla tregon gjithmonë veriun, ashtu edhe njeriu ka prirje që të shkojë drejt gjërave të mira, përveç kësaj njeriu është i pajisur me arsye dhe logjikë. Ai duhet t’i përdorë të gjitha këto armë të forta dhe të kthehet në rrugë të drejtë… Sikur Allahu t’i bënte njerëzit me zor që t’i besonin Atij dhe të ndiqnin rregullat e fesë, arsyeja dhe logjika e njeriut nuk do të kishin më asnjë kuptim. Në një hadith kudsi thuhet: ‘Në qoftë se robi i afrohet Allahut një karësh (largësia mes gishtit të vogël dhe të madh) Allahu i afrohet atij një hap. Kur njeriu i afrohet Allahut një hap Allahu i afrohet atij një kulaç (hapësira mes gishtave të duarve kur i hapin krahët krejtësisht). Kur robi i afrohet Allahut duke ecur Ai shkon drejt tij duke vrapuar.’ Ti i ke vendosur vetes qëllimin për ta ndryshuar jetën tënde. Ke hedhur hapat e parë dhe tashmë Allahu të mbron nga problemet e jetës, edhe pse ti nganjëherë nuk e kupton. Ti duhet të mundohesh me të gjitha forcat e tua për t’iu afruar Allahut dhe të jesh e sigurt që do të hapen të gjitha dyert për të cilat ke nevojë…”
“Motër Saxhide… Nuk e di si mund t’ju falënderoj…”
“Çfarë është ajo fjalë, e dashur Amina… Unë nuk e di si do ta laj fajin që nuk të kam takuar më përpara; nuk e di si do ta rregulloj këtë gabim. Ja, këtu duhet të zbresim. Hajde, inshalla bëhet ajo që është më e hajrit… le të shohim se çfarë dyersh do të na hapen këtu… Bismillah…”

