Parimet e botëkuptimit Islam
Siç e kemi shpjeguar, me dy veçori themelore të tij, si “hyjniteti” dhe “dualizmi”, përveç veçorive që u ngjasin botëkuptimeve, Islami ndahet plotësisht prej tyre. Parimet kryesore që e ndajnë botëkuptimin islam me këto dy parime themelore nga botëkuptimet e…
Publikuar:

Siç e kemi shpjeguar, me dy veçori themelore të tij, si “hyjniteti” dhe “dualizmi”, përveç veçorive që u ngjasin botëkuptimeve, Islami ndahet plotësisht prej tyre. Parimet kryesore që e ndajnë botëkuptimin islam me këto dy parime themelore nga botëkuptimet e tjera, që sundojnë mbi botëkuptimin islam dhe që janë herë plotësisht dhe herë pjesërisht në përputhje me botëkuptimet e tjera, mund të trajtohen në dy pjesë. Njëra prej këtyre pjesëve është krejtësisht abstrakte, domethënë teorike, kurse tjetra, zbatuese, domethënë, praktike. Nga ky aspekt mund t’i ndajmë dhe grupojmë ato. Këto parime të cilat do t’i shpjegojmë gjerësisht më tutje, janë këto:
1. Parimet abstrakte ose teorike të botëkuptimit islam
Këto mund t’i radhisim përmbledhtazi kështu:
A. Parimi i voluntarizmit. Islami i quan përgjegjës brezin e njerëzve dhe xhindve për shkak të një vullneti që u është dhënë atyre në pafillimësi (eternitet). Në aktet e tyre, Islami pranon një vullnet të pjesshëm të një niveli të caktuar dhe në asnjë akt njerëzor nuk i konsideron ata autorë të vënë nën shtrëngim.
B. Parimi i universalizmit. Islami bën një shpjegim gjithëpërfshirës të tërë Universit (Gjithësisë) duke mos e kufizuar ftesën e vet në një hapësirë të caktuar e të ngushtë.
C. Parimi i Idealizmit. Duke iu atribuar të gjitha dukurive konkrete një shprehje dhe qëllim ideal, Islami i lartëson në cilësi ato dhe synon t’u japë atyre në një farë mënyre karakter jomaterial, shpirtëror.
D. Parimi i humanizmit. Ky parim shpreh faktin që konkluzionet e Islamit janë parashtruar me një logjikë tej demografike, gjeografike dhe kulturore. Duke e kapërcyer kornizën e një përmbajtjeje të ngushtë, racore ose kulturore, Islami e ka konsideruar tërë njerëzimin “Bijtë e Njeriut” (Benî Âdem), pjesëtarë të një familjeje të vetme.
E. Parimi i realizmit. Ky parim shpreh faktin që parimet islame, në konkluzionet e veta të afta për ta siguruar lumturinë e njeriut, marrin parasysh realitetin dhe, nga ky aspekt, dallohen nga sistemet utopike të pamundshme për t’u realizuar. Nga ana tjetër, ngaqë Islami parashtron konkluzione sipas veçorive të pandryshueshme të natyrës njerëzore, konkluzionet në fjalë nuk mbeten të varura nga ndryshimet e kohës dhe vendit, por vazhdojnë ta ruajnë vlerën dhe rëndësinë e tyre. Nga ky aspekt, konkluzionet islame nuk vjetërohen dhe kjo nuk vihet në diskutim.
F. Parimi shkencor (i scientizmit). Islami është fe e mbështetur në diturinë dhe shkencën e vërtetë. Në ndryshim nga scienticizmi që e idealizon shkencën duke e quajtur të aftë për të zgjidhur gjithçka dhe, kështu, pothuajse duke e hyjnizuar atë, Islami e pranon diturinë dhe shkencën të lidhur ngushtësisht me të dhe nxit e inkurajon zhvillimin e diturisë dhe shkencave.
G. Parimi i racionalizmit nën vështrimin islam. Në ndryshim nga racionalizmi filozofik i cili e quan arsyen si mjetin e vetëm për të arritur te e vërteta, racionalizmi nën vështrimin e Islamit pranohet si ndihmës i dijes së përcjellë (revelacioni hyjnor dhe tradita profetike), sepse Islami i cili e respekton arsyen, e pranon atë si mjet të domosdoshëm e të pashmangshëm për ta kuptuar informacionin e përcjellë.
H. Parimi i optimizmit. Sipas këtij parimi, Islami, me anë të ndjenjave me të cilat është pajisur bota e brendshme të njeriut, e bën sunduese mënyrën e vështrimit sipas së cilës në çdo shfaqje, ngjarje apo dukuri, ka një të mirë dhe dobi. Nga ana tjetër, Islami pranon se në Univers mbisundojnë rregulli, qetësia dhe harmonia, me një fjalë, sundon mirësia. Gjithashtu, Islami shpall se, në Individualitetin Hyjnor, Mëshira Hyjnore e kapërcen Zemërimin Hyjnor.
2. Parimet konkrete dhe praktike ose moralo-etike të botëkuptimit islam.
Edhe këto mund t’i radhisim kështu:
A. Parimi i dinamizmit. Islami është fe e lëvizjes dhe veprimtarisë. Islami nuk është fe e tërheqjes nga jeta, e përtacisë dhe e meskinitetit siç janë disa filozofi të Lindjes së Largët.
B. Parimi i drejtësisë sociale (shoqërore). Islami është një fe sociale, në konkluzionet e së cilës në plan të parë qëndrojnë gjithmonë shoqëria dhe drejtësia sociale (shoqërore).
C. Parimi i rregullsisë. Islami është feja e cila nuk e lejon kurrë nënvleftësimin e rregullit dhe anarkinë, e cila bën rregullime të imta të jetës së individit dhe shoqërisë.
D. Parimi i drejtësisë (juridike). Duke e respektuar drejtësinë, Islami nuk mjaftohet vetëm me përcaktimin dhe deklarimin se drejtësia është një faktor i madh për qetësinë dhe lumturinë, por, me urdhrat dhe ndalimet e veta që e sigurojnë qetësinë dhe lumturinë, e parashtron dhe e zbaton drejtësinë në një nivel që nuk është arritur ende në asnjë sistem njerëzor.
E. Parimi i lirisë. Njeriun të cilin e bën përgjegjës, Islami e pranon të lirë brenda kufijve të përvijuar nga Allahu. Kjo është liria e vullnetit, burimit të përgjegjësisë. Islami e kufizon vullnetin dhe lirinë e zgjedhjes vetëm aq sa të mos shkaktojë shkeljen e të drejtave të asaj që quhet “e drejta e natyrshme”. Eshtë për këtë arsye që Islami e kundërshton shtrëngimin në pranimin e tij.
F. Parimi i xhihadit (përpjekjes dhe luftës). Islami e përfshin në konceptin e “xhihadit” çdo lloj përpjekjeje (akti dhe veprimtarie) të vlefshme për të siguruar pranimin dhe zbatimin praktik të të vërtetave të përmbajtjes së tij. Kurse luftën me armë, jo vetëm e lejon kur plotësohen shkaqe të caktuara, por edhe urdhëron zhvillimin e saj në bazë të kritereve imtësisht më të drejta. Për më tepër, luftën me armë, Islami e konsideron “xhihad të vogël”, kurse luftën në vetveten e njeriut, “xhihad të madh” duke i dhënë përparësi përpjekjes së njeriut në radhë të parë për ta përmirësuar veten, pastaj botën!
G. Parimi moralo-etik. Mund të thuhet se qëllimi më themelor i Islamit pas kauzës së unitetit të Krijuesit, është sigurimi i lartësimit në kulm të moralit dhe etikës, aq sa e ka kufizuar me këtë qëllim dërgesën profetike të Hz. Muhammedit (a.s.), gjë që është bërë me qëllim për ta nxjerrë në pah rëndësinë e moralit dhe etikës.
H. Parimi i shembullit praktik (personal të Profetit). Islami nuk është ndonjë teori utopike pa shembuj zbatimesh praktike. Zbatimin e parimeve të veta, Islami e ka treguar në mënyrën më të bukur me shembullin personal në jetën e Profetit Muhammed (a.s.). Të gjitha sjelljet e Profetit përdoren në literaturën islame si një zbatim ideal.

